Gjykata Kushtetuese pezullon, ambasadorët Lu-Vllahutin ulin tonet
Gjykata Kushtetuese pezulloi dje ligjin për vlerësimin e figurës dhe kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ligji, i cili njihet ndryshe si “Veting”, është pjesa kryesore e gjithë paketës së reformës në drejtësi. Vendimi i djeshëm, i marrë nga 8 gjyqtarë të Kushtetueses pasi gjyqtari Sokol Berberi ka dhënë dorëheqjen, edhe pse quhet pezullim, praktikisht është bllokim i përkohshëm i reformës në drejtësi.
Pezullimi i ligjit të Vetingut bllokon procesin e ngritjes së institucioneve të tjera të reja të drejtësisë. Konkretisht me këtë vendim të gjykatës, organet që bëjnë rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të konstituohen. Nga ana tjetër, ky ligj pezullon dhe ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatave speciale, i quajtur ndryshe Struktura Antikorrupsion. Asnjë deklaratë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuritë e tyre sipas Ligjit të Vetingut nuk do të dorëzohet nga dje.
Ligji i Vetingut u miratua nga maxhoranca PS-LSI pa votat e opozitës. Padia në Gjykatën Kushtetuese u bë nga Partia Demokratike. PD-ja kërkoi anulimin e ligjit dhe shpalljen e tij antikushtetues. Gjykata ka marrë parasysh vetëm kërkesën e parë të PD-së, ndalimin e zbatimit të ligjit deri në një vendim përfundimtar. Pjesa tjetër e vendimit të gjykatës ka të bëjë me interpretimin e ligjit nga Komisioni i Venecias. Për shkak se vetë gjyqtarët janë objekt i këtij ligji dhe reformës në drejtësi, ata kanë vendosur të kërkojnë mendimin e Venecias nëse kanë të drejtë të gjykojnë kushtetutshmërinë e këtij ligji apo jo. Derisa Venecia të japë një mendim për juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, ligji nuk mund të vihet në zbatim.
Pavarësisht argumenteve juridike, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të mos jetë pjesë e debatit që lidhet jo me ligjet, por me rëndësinë politike të reformës. Gjykata nuk ka pranuar thjesht një kërkesë të opozitës, por ka dalë kundër qëndrimit të partnerëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Pavarësisht se Vetingu kaloi vetëm me votat e PS dhe LSI, SHBA dhe BE ishin mbështetëse të hapura të miratimit të tij, duke pranuar dhe kostot e bojkotit politik të opozitës.
Në kohën që PD-ja deklaroi se do ta dërgonte ligjin në Gjykatën Kushtetuese, SHBA bëri një deklaratë paralajmëruese, që më shumë se opozitës i drejtohej vetë anëtarëve të Gjykatës. Sipas saj, kush ishte kundër ligjeve të reformës mbronte gjyqtarët e korruptuar. Ndërsa nga ana ligjore, SHBA deklaronte se, Presidenti Bujar Nishani kur dekretoi ligjin nuk kishin gjetur diçka antikushtetuese.
Tashmë është fakt se ligji është pezulluar nga gjykata dhe konteksti i deklaratës së tre javëve më parë të SHBA-ve mund të tingëllojë negativ për gjyqtarët që pezulluan jo thjesht një ligj, por zbatimin e reformës.
Gjithsesi në një deklaratë gjatë mbrëmjes së djeshme, Ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së përdorën tone më të moderuara dhe jo kërcënuese siç ka ndodhur këto muaj me deklaratat e ashpra në adresë të Partisë Demokratike. Kishin zë më paqësor për momentin. E dinë se të dalin kundër Gjykatës Kushtetuese të një vendi nuk i përkrah njeri në BE. Dy janë mesazhet që selitë kryesore diplomatike japin pas pezullimit të ligjit. I pari, që “SHBA dhe BE respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij”. Dhe i dyti, që referimi në Komisionin e Venecias të bëhet sa më shpejt dhe pa vonesa.
Përballë faktit të kryer të pezullimit të ligjit, tashmë ritmet e reformës në drejtësi janë në dorë të Komisionit të Venecias. Ajo që do të ndodhë në Tiranë pas kësaj është se gjithë gjullurdia ligjore do të përdoret edhe një herë për luftë politike mes pozitës dhe opozitës. Ndërsa efekti i parë konkret është se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar mund të rrinë të qetë edhe disa kohë. Kontrollet e pasurive, vlerësimi i figurës morale të tyre dhe arrestimet e paralajmëruara me bujë do të shtyhen edhe disa muaj.
Por ambasadorët Lu dhe Vllahutin po rrinë e vëzhgojnë në hije në pritje të kalimit nga Kushtetuesja e këtij ligji. Me pas e dinë ata se ç’bëjnë! FBI dhe SPAK po rrinë me “sëpatë” në dorë për “prerje kokash” nga politika.
Lu dhe Vllahutin po durojnë edhe pak javë. Por nëse Kushtetuesja e kthen ligjin në Parlament atëherë do të ngrenë zërin duke kërcënuar. Megjithatë nuk i dihet Venecias dhe një vendimi të dytë të Kushtetueses.
po rrijnë e vëzhgojnë në hije në pritje të kalimit nga Kushtetuesja e këtij ligji. Me pas e dijnë ata se ç’bëjnë! FBI dhe SPAK po rrijnë me “sepatë” në dorë për prerje kokash nga politika.
Lu dhe Vllahutin po durojnë edhe pak javë. Por nëse Kushtetuesja e kthen ligjin në parlament atëhere do të ngrenë zërin duke kërcënuar. Megjithatë nuk i dihet Venecias dhe një vendimi të dytë të Kushtetueses.