Ky është Edi Rama i vertetë dhe jo ai i vitit të mbrapshtë, 1997!
Fotografi Petrit Kumi, në një intervistë të dhënë për “Panorama”, mes të tjerave tregon se si kryeministri Edi Rama i shkoi në mes të natës në shtëpi në ’97-n, kur e rrahën barbarisht.
Rama kërkonte të dokumentonte rrahjen, me anë të fotove.
Por foton e Edi Ramës te çarë e të goditur në kokë asnjë gazetë tjetër nuk guxoi apo nuk donte ta bonte, përveç gazetës “KOHA JONE” (shiko faqen e parë 24 janar 1997). Bile redaksia (Ben Blushi i cili ishte kryeredaktor) bëri një sulm frontal Berishës duke mbrojtur intelektualin Edi Rama që shkruante në “KOHA JONE” kundër pushtetit të Sali Berishës.
Ndërsa sot ky Edi Rama, një mosmirënjohës i madh, kritikon gazetën e cila e rriti në sytë e publikut, e bëri të njohur dhe e mbrojti hapur kundër regjimit të Berishës së I-rë.
Sot, ky Edi Rama pikërisht ata gazetarë apo gazeta që e poshtëruan asokohe, i ka miq, u jep tenderime, u fal prona shtetrore, urdhëron t’ju jepen dhjetra milionë lekë reklama nga buxheti i shtetit, u jep para dhe leje ndërtimi.
Ky është Edi Rama! /redaksia KJ, datë 11 tetor 2019/
Ja shkrimi i botuesit të KOHA JONE botuar me rastin e 19 vjetorit të këtij akti kriminal ndaj Edi Ramës (lexo më poshtë). /Botuar me 23 janar 2016/
Nga Nikoll LESI
Si mbrëmë vonë, 19 vjet më parë, ishim tek koka e njeriut që sot është Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama. Me Ben Blushin e Martin Lekën sapo kishim mbaruar gazetën “Koha Jonë” dhe e kishim nisur për shtypshkronjë, kur morëm vesh se kishin goditur Edi Ramën dhe Vladimir Myrtezain.
Për Edin na thanë se është në gjendje kritike. Na thanë se gjendet tek spitali nr.2. Nxituam në një makinë me Blushin e Lekën për tek krevati ku ndodhej i shtrirë në gjak Edi. Nuk kam ç’të shtoj më shumë se sa shkrimi i Martin Lekës në lidhje me këtë akt kriminal shtetërorë botuar në datën 24 janar 1997, por më duhet të bëj këtë shënim të sotëm jo vetëm për faktin e një kujtese njerëzore se si ishte ai fillimviti i mbrapshtë 1997, por edhe si thirrje Kryeministrit të sotëm dhe Edit të djeshëm.
Rilexova shkrimin e Fatos Lubonjës botuar në “Koha Jonë” një ditë pas goditjes nga shikasit e pushtetit të asaj kohe dhe mund të them se jemi 19 vite pas asaj nate të zezë, por ende pothuaj nën një mendësi pushtuese, ku pushteti nuk rreh më si dikur, por të blen, që jep leje pallatesh apo koncensione pronarëve të medias, që jep leje në bregdet pa pyetur për ligjin, ku mendimi oponent e kritik shikohet me shpoti e inat edhe nga ata që u goditën natën 22 janarit 1997.
E ribotova sot gazetën e asaj nate 1997 edhe si një thirrje Kryeministrit Edi Rama, i cili asokohe ishte një intelektual karizmatik e kurajoz, që ta lërë të lirë median e sotme të jetojë në kushte konkurrence të barabartë e jo ku disa i mban me hatër, disave iu jep leje ndërtimi biznesi, të cilët shkatërrojnë median e pavarur apo ndonjërin e mbron publikisht sepse i duhet politikisht në luftë kundër opozitës apo aleatëve.
Zoti Rama! Kujto atë natë të dhimbshme të 19 viteve më parë, kur i sapo kthyer nga Parisi, po bëje një shkrim në “Koha Jonë” dhe të goditën për mendimin, për lirinë tënde me të cilën i shkruaje idetë tuaja për një demokraci e vend të lirë dhe tani që keni gjithçka në dorë mundohu të zbatosh ato çka kishe shkruar edhe në atë janar 1997.
Ndjesë nëse botimi i sotëm të solli lëndimin për një kohë kur të dhunuan në emër të asaj çka besoje se duhej të ishte Shqipëria.
Sot fati, puna dhe Zoti ta sollën të realizosh atë çka kërkoje publikisht prej ish-Presidentit të atëhershëm Sali Berisha.
Në të kundërt e meriton një “rrahje” të dytë, por kësaj radhe prej Ben Blushit, Martin Lekës dhe mua që ishim tek koka e krevatit tënd , i gjakosur, atë natë të 22 janarit 1997 /23 janar 2016/