Ky talent qiellor quhet Kristiano Ronaldo, kualifikon Juventus me 3 gola në Torino

E kishte besuar, e kishte premtuar nën zë dhe e ka realizuar me vepra në fushën e blertë të “Allianz Stadium” të Torinos. Cristiano Ronaldo ka shënuar plot tri herë në portën e mbrojtur nga Jan Oblak i Atleticos së Madridit, për të përmbysur disavantazhin e dyfishtë të takimit të parë në “Wanda Metropolitano” dhe për ta kualifikuar Juventusin në fazën e çerekfinaleve të Champions League.

Për bardhezinjtë, ka mjaftuar blerja më e bujshme dhe më e kushtueshme e verës së kaluar, për të mos shuar shpresat për trofeun më të lakmuar në rang klubesh në Europë. Një gol i shënuar në pjesën e parë, me kokë, një tjetër i tillë i shënuar me fillimin e pjesës së dytë dhe një penallti e ekzekutuar në mënyrë mjeshtërore 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt, bënë që Cristiano të shkruajë me “gërma të arta” emrin e tij në këtë sukses të “Zonjës së Vjetër”.

Të shënosh tri herë në portën e Atleticos, përballë një gjiganti si Oblak, ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe shumëkush mund ta cilësonte si të pamundur, por portugezi e kishte bërë edhe dy herë të tjera në të kaluarën, kur luante me Realin e Madridit.

Me rezultatin e përgjithshëm 3-2, Juventusi hedh një hap më shumë drejt objektivit sezonal, duke qenë se titullin kampion në Itali e ka thuajse të siguruar, pasi nuk ka rivalitet, ndërkohë që të besuarit e Diego Simeones ndalin këtu marshimin e tyre në Champions shkruan tch.

Kualifikimin për më tej e siguroi edhe Manchester City, pas një fitoreje të thellë ndaj gjermanëve të Schalke 04, me rezultatin 7-0 në “Etihad Stadium”, teksa përballja e parë kishte përfunduar 3-2 në favorin e “Citizens”, luajtur në Gjermani.

SHKARKO APP