Lajmi për largimin e Ditmir Bushatit drejt Vetvendosjes, i pavërtetë
Sipas Ballkani.info thuhet se ish-ministri Ditmir Bushati, pas kritikave ndaj kryeministrit Rama për mënyrën e qeverisjes dhe raportet konfliktuale me opozitën, ka vendosur të largohet nga PS-ja dhe të futet në Partinë e Vetvendosjes së Albin Kurtit, e cila do të jetë parti konkuruese edhe në Shqipëri. Bile sipas portalit në fjalë Vetvendosja e Shqipërisë do të udhëhiqet nga Ditmir Bushati.
Burime të “Koha Jonë”, brenda stafit të ish-ministrit Bushati, thanë për “KJ” se asgjë nuk është e vertetë, përkundrazi Ditmir Bushati do të vazhdojë të kontribuojë edhe më shumë për PS.
Sipas të njëjtave burime ky është një diversion futur nga kundërshtarët e Bushatit, aq me tepër pas fjalimit të tij në parlament, fjalim i cili bëri jehonë pozitive brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mësohet se Ditmir Bushati do të vazhdojë edhe më fort në linjën e tij të bërë publike në parlament, platformë e cila i shërben një qasjeje më realiste se si duhet të sillet mazhoranca dhe opozita me njëra-tjetrën, duke nënkuptuar se pa opozitë vendi përfundon në diktaturë.