LDK-VV bien dakort për shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi
Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve, lëvizja Vetëvendosja (VV) u rendit partia e parë që fitoi më së shumti vota, ndërsa, me një diferencë të vogël, LDK-ja u rendit e dyta. Të dyja këto parti ishin në opozitë gjatë mandatit të shkurtuar qeverisës në qeverinë e kryesuar nga Ramush Haradinaj. Në takimin e së enjtes (10.10), ku Vetwvendosja dhe LDK u dakorduan për krijimin e koalicionit qeverisës, morën pjesë kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe kandidatja e LDK-së që konkuroi për postin e kryeministres Vjosa Osmani. Kjo e fundit tha, se në takimin e sotëm është diskutuar më shumë në nivel të parimeve dhe jo të hollësive, por sipas saj, më e rëndësishme është që të dyja partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.
“Filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie, e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, mirëpo që patjetër do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëjmë në të për qytetarët. Për ne është me rëndësi që të presim numërimin e të gjitha votave para se të arrijmë marrëveshjen finale, por siç e thash në fillim, e mira është se ka vullnet të mirë në të dyja palët, në të dyja partitë që kjo marrëveshje të arrihet”, tha Vjosa Osmani.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosja që tash për tash në bazë të rezultateve preliminare pritet të jetë kryeministër i Kosovës, tha se “Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta prandaj pa humbur kohë duhet krijuar qeveria. Ai tha se është synim i përbashkët që të respektohen të drejtat e qytetarëve dhe shteti të orientohet nga drejtësia, zhvillimi, demokracia dhe mirëqenia për të gjithë.
“Jemi dakorduar që të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor pra do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave edhe në mesin e zëvendësministrave. Do të kemi shumë më pak ministri, shumë më pak zëvendësministra por do të kemi shumë më tepër angazhim, përkushtim, punë. Ekipet tona profesionale edhe të lëvizjes Vetëvendosje edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të takohen për të harmonizuar programet”, tha Albin Kurti.
Sidoqoftë, pos zhvillimit ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverinë e re të Kosovës e pret edhe sfida më e madhe, përballja në dialog me Serbinë që me ngulm po kërkohet nga faktori ndërkombëtar në mënyrë të veçantë nga SHBA-së. Albin Kurti që pritet të jetë kryeministër i Kosovës gjatë fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka deklaruar se ai si kryeministër do ta udhëheqë vet dialogun me Serbinë dhe jo Presidenti i Kosovës, dhe ka paralajmëruar rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi. Gjatë takimit një ditë më parë me të ngarkuarin special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Kurti deklaroi se i kaë thënë Grenell-it, që “përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes me Serbinë janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj, sesa afati kohor për të” shkruan DW.
Albin Kurti ka folur këtë të mërkurë te “Opinion” edhe për qëndrimin që do të mbajë qeveria e re ndaj Presidentit Hashim Thaçi. Ai deklaroi se do të shihet mundësia e shkarkimit të kreu të shtetit të Kosovës. “Nuk i kemi ende votat për shkarkimin e Thaçit, por do e shohim me shumë vëmendje. Raportet e tij me Serbinë kanë qënë shumë problematike, veçanërisht me idene e tij për shkëmbim të territoreve. Të thuash që veriu i Kosovës është dhuratë e Rankoviçit që duhet kthyer mbrapsht kjo është tradhti”,- tha ai.
I pyetur për raportet personale me Hashim Thaçin, Albin Kurti tha: “Raportet me Thaçin janë të mira, sepse nuk ekzistojnë raporte. Ai duhet të ma japë mandatin mua për të formuar Qeverinë, dhe më në fund po i jap shansin të bëjë diçka të mirë. Është koha që të mos e çojë deri në fund mandatin e tij si president”.
Por duke ditur votat e LDK dhe VV shkojnë në 61 vota, duke mos harruar edhe votat e partisë së Haradinajt që dihet se nuk ka patur raporte të mira me Presidentin Thaçi, pasi ish-kryeministri rrezikoi veten e tij që të mos lejonte copëtimin e Kosovës, rrezikohet që Thaçi të shkarkohet.
Po kështu burime brenda LDK e VV tregojnë se ka edhe vota të tjera nga PDK e disa grupime të tjera që nuk e duan më Hashim Thaçin për atë që bëri me presidentin serb Vuçiç, ku për pak sa nuk e firmosën copëtimin e Kosovës.
Me sa duket pranimi i shpejtë i LDK për koalicion me Albin Kurtin, pasi pak ditë hezitoi pas së dielës, japin të drejtë burimeve se Kurti i ka ofruar LDK postin e presidentit të Kosovës. Aq me tepër se edhe gjykata speciale kërkon “mall” për të bluar!