Lesi: Edi Rama, Belinda Balluku dhe SPAK

Nga Nikoll Lesi 

SPAK-u është një institucion që ka besueshmeri të madhe në publik. Të gjitha sondazhet e huaja e nxjerrin në krye. Mbështetet fort nga ndërkombëtarët, sidomos nga SHBA. Për momentin është në majë dhe po krijon, edhe me pranga nganjëherë të panevojshme, një kulturë, që dikush e quan “kulturë frike” që ligji nuk duhet shkelur nga kushdo qoftë.

10 vite kaluan nga reforma në drejtësi, por ka disa probleme që duhen riparë në mënyrën e funksionimit të drejtësisë, sidomos në stivën e dosjeve të stërmëdha që mundojnë mijëra familje në vend.

Swiss Digital Desktop Reklama

Po e provoj edhe vetë si media KOHA JONE që po bëhen 29 vite që akoma nuk ka vendim final për djegien e redaksisë së gazetës më të madhe shqiptare, gazetës KOHA JONE dhe prapë shkoj e vijë, personalisht, nga njera gjykatë në tjetrën prej 29 vitesh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndaj e kuptojë më së miri reagimin qytetar për dosjet e pa gjykuara që janë, në mos gabohem, diku të 142 mijë çështje në raftet e gjykatave të vendit.

Pra edhe për këtë arësye duhet që mazhoranca të gjejë mekanizma ligjorë se si mund të reformojë disa gjëra që u bënë nxitimthi në vitin 2016.

Kjo nuk e zhbën aspak reformën në drejtësi, ku siç thamë gjëja më e mirë ishte dhe është SPAK.

Personalisht në atë institucion njoh Arben Krajën dhe Altin Dumanin, dy profesionistë, që ngritën themelet dhe ndertesën e këtij institucioni që bëri histori. Por besoj se edhe të tjerët janë pasionantë për ligjin, kurajozë në vendime dhe profesionistë kur firmosin, e ku firma e tyre merr dhenë në krejt dynjanë shqiptare.

Por duke ndjekur, si gazetar që kam një barrë ekperience jo të vogël në median shqiptare, me duhet të them se për rastin Balluku prokuroria te “pezullimi” ka nxitim, nuk them keqdashje.

Për mua, gjë që e kam thënë në media më parë, zv/kryeministrja Belinda Balluku duhej të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen e parevokueshme, ndonëse sot kryeministri Rama tha në mbledhjen e grupit parlamentar se “Ma ka dorëzuar (Belinda) tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Një herë kur iu ngrit akuza, një herë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë kur nuk mori vendim GJK. Unë i kam refuzuar dorëheqjet. Dorëheqje në presion të një fuqi që është futur në pavarësinë e ekzekutivit nuk ka. I jam falënderues që nuk ka persistuar por ka vijuar të marrë gjithë atë baltë në fytyrë sepse nuk i kam pranuar dorëheqjen derisa të plotësohen kushtet, që nuk vendosen nga prokurori mediat apo gjyqi popullor”.

Pra në këtë rast përgjegjsia politike e individit Belinda Balluku ka funksionuar.

Ndërkohë në tavolinë është imuniteti i saj. Për këtë vendos parlamenti, ndonëse gjasat duken se nuk do të kemi votim për t’i hequr imunitetin. Kjo kuptohet nga toni i kryeministrit, që me sa duket, mbart inat të madh institucional në raport me SPAK.

Për të qenë korrekt me veten më duhet të pohoj se nuk ka se si të pezullohet një ministër, kur ai (ajo) është kompetencë e kryeministrit, parlamentit dhe ka një dekret presidencial.

Nuk e njoh personalisht prokurorin special Dritan Prençi, por media ka përherë burime informacioni kudo e sido, aq me tepër gazeta KOHA JONE që ka 35 vite në treg, por prokurorët e çdo niveli flasin me respekt për të, si njeri skrupuloz në punë, i pa shantazhueshëm, e ku besoj që në këtë rast ka gabuar, pasi nuk kishte pse kërkonte pezullim dhe pas kur kryeministri Rama e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen, atëhere SPAK-u kërkoi imunitetin dhe arrestimin!

Duhej që me të parën herë të kërkonte imunitetin!

Unë për vete, kur isha deputet në vitin 2004, u përballa me kryeministrin e kohës Fatos Nanon, të cilin ndonëse gazeta “KOHA JONE” e nxori nga burgu i Berishës në vitin 1997, kërkoi në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë dhe tek Prokurori i Përgjithshëm Dhori Sollaku heqjen e imunitetit tim si deputet dhe arrestimin. E pse? Se gjoja gazeta KOHA JONE, ka botuar artikuj shpifës ndaj kryeministrit dhe gruaj së tij të dytë!

Një absurditet dhe një mosmirënjohje socialiste.

Me thirri kryetari i parlamentit dhe me tha se ka një mënyrë që të mos kalojë në votim imuniteti im.

-Si?- e pyeta.

-Që ta vonojmë shqyrtimin dhe vendimin e Këshillit të Mandatëve dhe shuhet kërkesa zyrtare kur kalojnë 3 muaj- më tha ai.

-Jo! Do të shkojmë në votim- thashë dhe siç është e dokumentuar në arkivën e parlamentit të Shqipërisë për afro dy javë këshilli i Mandatëve votoi në disfavorin tim dhe shkova në votim në parlament.

Ka qenë fiks data 8 nentor 2004.

Filloi seanca, fola afro 1 orë e kusur. Me argumenta e shkatërrova kryeministrin në seancën parlamentare, pa harruar që asokohe PS-ja dhe kryeministri kishin 81 deputetë. Duhej që 71 deputetë  të votonin për kryeministrin dhe unë të humbisja. Deputetët votuan në kuti votimi në dhomën e fshehtë, e fitova! Votuan 72 pro meje, 63 për kryeministrin dhe 5 abstenime.

Pra kur ke të drejtë ndërgjegja e çdo deputeti vendos, paçka se si urdhëron partia apo si kërkon Prokuroria!

Ndaj, duhet që Belinda Balluku ta vendosë, edhe në kundërshtim me çka thotë kryeministri, DORËHEQJEN E PA NEGOCIUESHME  dhe të shkojë në Këshillin e Mandatëve e të thotë: Të shkojmë në votim në seancë!

Dhe votimi të mos bëhet në mënyrë elektronike, por me kuti votimi në dhomën e fshehtë.

Pas kësaj, në raport me votimin, ajo del e larë në publik.

Kaq kisha për sot!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?