Lesi: Të përballesh me pushtetin është detyrë dhe heroizëm, ndërsa të japesh leksione për median nga kolltuku është pushtllëk!
-Shkrimi i botuar para 18 vitëve/ Lesi: Të përballesh me pushtetin është detyrë dhe heroizëm, ndërsa të japesh leksione për median nga kolltuku është pushtllëk!-
Nga Nikoll Lesi
(botuar me 21 qershor 2003 në KOHA JONE)
Shkas për këtë shkrim të gjatë u bë një vendim i qeverisë, natyrisht i kryeministrit parmbrëmë, i cili mes shumë halleve që ka në parti e brenda qeverisë u kujtua të lidhë një pension për ish-gazetarin e gazetës “Koha Jonë”, zotin Zamir Dule.
Po them që në krye të herës, se gjithsesi është një akt civil i kryeministrit, një veprim që duhej kryer kur sapo Fatos Nano mori qeverinë në korrik të vitit 1997, asokohe kur plagët dhe shkrumbi në mjediset e gazetës “Koha Jonë” si dhe te gazetari Zamir Dule, ishin ende të pathara nga djegia dhe masakrimi që i bëri pushteti i PD-së, më 2 mars 1997.
Do të mundohem të shpjegoj se ç’po ndodh me median në Shqipëri që prej vitit 1991 e deri tani.
Natyrisht, duke synuar të përshkruaj një histori kaq të gjatë të mbushur plot e përplot me ngjarje, përplasje me pushtetin, djegie e ringritje nga hiri mundet edhe të harroj ndonjë fakt apo emër, por gjithsesi të tjerët që kanë punuar në “Koha Jonë” mund të plotësojnë tablonë e pikturës së trupit të djegur sa herë, të gazetës së parë të pavarur “Koha Jonë”. Eshtë kollaj tani të japësh leksione për gazetari misonare apo të angazhuar, pasi kur ishte puna të përballeshe me dhunën, represionin dhe arrestimet e pushtetit të kohës, të gjithë këta lektorë të medias, asokohe strukeshin poshtë divanit dhe e lexonin KOHA JONE fshehur mes gazetës së pushtetit, RD-së!
Duke iu rikthyer vendimit të vonuar të zotit Nano për t’i lidhur pension të posaçëm gazetarit, nëse më lejohet ta quaj gazetarin tim të gazetës, më duhet t’i kujtoj zotit Nano se këtë kërkesë ai, pra, si kryeministër në vitet 1997-1998 e ka pasur nga ish-kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, Ben Blushi, të cilin pas zgjedhjeve të qershorit ’97 e mori si këshilltar në kabinetin e tij. Po kështu e njëjta kërkesë i është bërë edhe nga shefi i sektorit të jashtëm të gazetës, Vladimir Prela, të cilin kreu i PS-së e mori si shef të kabinetit të tij në qeveri. Pra, zoti Nano bëri një akt civil, por të vonuar në kohë, pothuaj 6 vite, që do të thotë se në këto vite gazetari Dule është mbajtur mes skamjes së mbijetesës dhe ndonjë ndihme financiare që ka pasur mundësi gazeta “Koha Jonë” për t’i dhënë, ndonëse kontrolli financiar i tatimeve që na çoi zoti Nano vjet në dhjetor, kur i kritikuam gruan për trafiqe, na e quajti si shkelje financiare, pra ndihmën në vlera monetare që pronari i gazetës “Koha Jone” i kishte dhënë gazetarit në fjalë.
Megjithatë edhe njëherë them me ndjenjën e gazetarit-koleg të Dules, e një miku që kemi ndarë hallet bashkërisht në ato kohë të rrëmujshme, më mirë vonë se kurrë.
Gazetari Dule, simbol i guximit profesional me mafien dhe shtetin
Zamir Dule mbetet një nga emrat që realizoi perlat e gazetarisë së shkruar të kronikës së zezë, talent që drithëroi jo vetëm pushtetin e mafias që po lindte, por edhe atë politik të Berishës. Zamiri provoi disa herë kërcënimet dhe rrahjet e të kritikuarve të gazetës “Koha Jonë” derisa erdhi çasti fatal për të si dhe për ndërtesën mediatike “Koha Jonë”, duke e paguar natën e 2 marsit 1997 me përcëllim të trupit, me goditje në kokë dhe në duart me të cilat kishte shkruar ato mijëra rreshta që prej vitit 1993.
Por zoti Nano nuk duhet të harrojë as prangat në duart e Aleksandër Frangajt (sot drejtor i përgjithshëm i TV Klan), as burgun e Martin Lekës (sot drejtor i Telenorba Shqiptare), as shpatullat e masakruara dhe gishtërinjtë e shpuar të Alfred Pezës (sot kryeredaktor i “Korrieri”), as përndjekjen në mesnatë të Armand Shkullakut, por dhe shkrimet analitike të Andi Bejtjes që zgjonin mëri në stanin berishian, as tritolin e vendosur te shtëpia e gazetares sonë në Vlorë, Zenepe Luka, në kohën e qeverisjes së PS-së, por as nofullat e shqyera e të përbaltura tek kodrat e Liqenit Artificial të gazetarit Bardhok Lala. Nuk harrohen as grushtet dhe tavolinat sipër kokës në mes të lokalit “Çaplini” në Tiranë ndaj Andi Bushatit nga shikas që na survejonin orë e çast. Mirë do të ishte që të mos harroheshin as bajonetat që shpuan krahët e korrespondentit tonë, asokohe në Gjirokastër, Aleksandër Çipa, por as rrahjet e gazetarëve të RD-së dhe gazetës “Tema” gjatë viteve të sundimit socialist. Shumica e atyre që sapo përmenda, përveç “RD” dhe “Tema”, janë gazetarë MADE IN KOHA JONE.
I përmenda këto si dhe pak më poshtë të tjerë për t’i kujtuar zotit Nano, pa harruar Berishën, se gazetarët civilë nga vetë natyra janë oponentë ndaj çdo qeverie; e djathtë apo e majtë qoftë ajo. Ata si gazetarë apo nëse janë konvertuar edhe në botues, nga natyra janë larg shijeve që sjell tenderimi qeveritar siç ka ndodhur me qeveritë e PS-së e sidomos me atë zotit Nano gjatë këtyre viteve. Kjo lloj kategorie, pa harruar dhe disa të tjerë, pranon të rrijë edhe pa reklamat shtetërore, të cilat i menaxhon personalisht kryeministri.
Zamir Dule bëri mirë që na u kthye në skenë jo vetëm si dekor që i duhet Nanos të hënën në parlament, por pikësëpari për të kuptuar ose më saktë për të bërë një analizë se ç’trajektore ka bërë media shqiptare në këto 12 vite pluralizëm. Gazetari korçar Dule, edhe tani pas kaq vitesh heshtjeje, na ndezi muzën për të rithënë për të satën herë ato që duhet të ketë parasysh një pushtet politik. Nuk mundet të ndalohet fjala e lirë as me dhunë, as me djegie, as me oferta. Flas për median që përpiqet të jetë e pavarur.
Këtu nuk kam parasysh median apo botuesit që përfitojnë tendera nga fondet publike apo marrin leje ndërtimi si këmbim për ti bërë fresk kryeministrit. Kjo kategori biznesmenësh apo tregtarësh-botues që kanë lindur nën pushtetin e PS-së është një masakrim që i bëhet lirisë së fjalës dhe pavarësisë gazetareske. Nëse do të më lejonte miku im, Zamir Dule, do t’i pohoj se kjo që po bën qeveria Nano është pak a shumë si me goditjet e pësuara nga Zamiri në vitin ’97. Asokohe të godisnin fizikisht, kurse sot median e blejnë segmentet shtetërore me paratë e kontrabandës, me buxhetin e shtetit në formë tenderimesh ose mafia lejohet nga shteti që të fusë në dorë median për ta pasur si një prapavijë të pisllëqeve të tyre në miliona e miliona dollarë. Dhe e gjitha kjo lloj media merr para publike në mënyra të ndryshme dhe na dalin si njerëz të drejtë!
Ndonëse në kohë të ndryshme, reagimet e Nanos përsëri janë goditje ndaj medias. Thelbi mbetet i njëjtë: asfiksim i fjalës së lirë. Në kohën e Berishës përdorej dajaku si mjet, kurse Nano përdor në mënyrë të sofistikuar bllokimin e të gjitha arterieve për një media të lirë. Nëse zoti Nano në vitet ’93-’97 ishte pro lirisë së shtypit, ashtu sikurse lavdëronte nga vrimat e burgut të parën gazetë të pavarur “Koha Jonë”, tani qëkur e mori për të dytën herë qeverinë dhe që kur u martua për të dytën herë, është bërë shtypës i shtypit. Nuk pranon asnjë rresht kundër tij, asnjë paragraf ku të mos ketë dalë fytyra e tij, por tani e do pa syze qorri. Bile, kur ndonjë gazetë harron nga nxitimi dhe nxjerr fotografinë e tij me syze të trasha, atëherë urdhëron policinë tatimore që pronarit të gazetës apo televizionit t’i bëjë një “klizmë” shtetërore!
Kaq represiv ndaj KOHA JONE është bërë kryeministri, sa edhe sikur një gjë të vogël, si syzet t’ia përmendësh, ai dërgon kontroll. E jo më kur i nxjerrim fakte korrupsioni e shkelje të ligjit prej tij.
Ku po shkon shtypi sot?
Kështu, i dashur Zamir, po ndodh me shtypin, të cilit ti i kushtove shpirtin përveç duarve që t’u masakruan po për shtypin. Por në këto kohëra, o Zamir, na kanë dalë plot gazeta e revista. Tek revistat mbetet Klani si i parë, kurse ne, pra, gazeta “Koha Jonë” kemi humbur kurorën e Mbretit të Shtypit të lirë. Jemi princër mes princërve të panumërt të shtypit. E ka humbur apo ia morën këtë kurorë, duhen shumë analiza e analistë. Duhet të flasin edhe Armand Shkullaku (sot drejtor i lajmeve në TV Klan), edhe Andi Bejta (sot drejtor i madh në Top Channel), edhe Blendi Fevziu (sot edhe në “Korrieri”, edhe në TV Klan), por duhet të flasë dhe Rudina Xhunga (sot drejtuese në një emision të shikuar në Top Channel). Mirë do të ishte të na fliste edhe shpirti i ndritur i Teodor Kekos, që ishte pjesë e KOHA JONE. Do të na mjaftonte të thoshte disa fjalë se ku po shkon shtypi sot edhe shkrimtari Kiço Blushi.
Kanë ndodhur dhe çudira, o Zamir, në këto vite! Nuk është më koha e KOHA JONE kur kishim pasion, kurajo e ishim të “çmendur” duke rrezikuar jetën tonë dhe të familjeve tona për ti dhënë publikut të vertetat e fshehura nga pushteti.
Ne kemi interesin e publikut, Zamir! Disa pronarë të tjetër mediatikë janë kokë e këmbë me pushtetin dhe me çdo pushtet.
Mos po bëjmë gabim, Zamir, që po vazhdojmë në genin tonë të përplasjes me pushtetet?!
Apo ta dredhim edhe ne duke kaluar me pushtetin e radhës dhe të marrim leje për fshatra turistikë dhe leje ndërtimi për pallate të mëdha?
Ç’të bëjmë o miku im!
Para e madhe ka hyrë më media. Sapo bën ca miliona dollarë një tregtar me trafiqe, fap turret në hotel “Rogner” apo “Sheraton” dhe deklaron: “Edhe unë do të bëhem botues apo pronar televizioni”. Dhe i bëjnë o Zamir; para kanë, roje kanë, miqësi me pushtetet kanë. E përse të mos jenë dhe pronarë gazetash apo televizionesh!? Nesër do t’i kesh deputetë dhe drejtues të Shtetit. Nesër, edhe disa prej nesh që punuan dikur si gazetarë, do jenë me pushtetet duke shtuar milionat e tyre në kurriz të emrit tonë dhe duke marrë paratë e buxhetit të shtetit.
Po, po, Zamir!
Ah, ç’po bën kjo paraja! Ka ndryshuar shumë gazetaria që nga viti 1997. Ka gazeta me shumicë. Plot 18 të përditshme. Ka 23 radio private dhe televizione nja 12. Të thashë, po ke lekë të vjedhura, duhet t’i futësh patjetër në media!
Po qe nanoist, pra me pushtetin, bën shumë pasuri dhe ngjitesh lart, shumë lart.
Na ka ndodhur këto vite edhe një çudi tjetër. Berisha, ai që ishte i Pari i vendit asokohe kur “të rregulluan” ty natën e 2 marsit 1997, tani është bërë dashamirës i medias. Mbron shtypin! Edhe të hënën në parlament, ditë kur do të diskutohet për median, Berisha do të të mbrojë ty.
Unë nuk kam të drejtë të flas për ty!
Kanë dalë herë Nano dhe herë Berisha që luftojnë, sipas radhës, në mbrojtje të lirisë së shtypit. Ne, të shtypit të viteve të para të pluralizmit, nuk jemi më gazetarë, botues apo analistë. Jo! Janë të tjerë që vjedhin nga shteti, por që bëjnë media dhe na japin leksione neve për “drejtësi”, për “liri media”.
Miku im Zamir, gjithsesi, mbërritja e kujtesës së vonuar ka një të mirë. Sipas Sokratit të vjetër, “Dritën i verbri e sheh me trokëllimë të shkopit”. Kryeministri Nano e firmosi pensionin tënd. Edhe Berisha do të mbrojë!
Është koha që satani bëhet engjëll. Tani po iki, Zamir. Do të takohemi nëpërmjet gazetës kur të vijë prapë Berisha në pushtet dhe të të japë dekoratë nderi Ty për atë që të bënë berishianët në atë mars të vitit 1997.
Nëse don të bësh karrirerë apo të jetosh si gazetë apo media radiotelevizive duhet ta kesh mirë më shefin e qeverisë. Ndryshe, Zamir, keq është puna!
E megjithatë po e vazhdojë këtë udhë derisa të mundem, pra larg pushtetit. Më mirë pa lekë se sa i robëruar në shpirt e në fjalë!
Të përballesh me pushtetin është detyrë dhe heroizëm, ndërsa të japesh leksione për median nga kolltuku është pushtllëk!
Na janë shtuar këto “pushtash” këto vite. Por nuk kemi ç’të bëjmë Zamir! Mundet pas shumë vitesh media do jetë kaos total, e kjo do jetë fatkeqsi për pushtetin e katërt, sepse do na jenë fuqizuar pikërisht këta lloja pushtash në media e do mbizotërojnë tregun.
Shpresoj që ndonjë nga tanët e kohës së KOHA JONE të mbetet me ADN e vitëve 1992-1997, e ndaj mund të ketë dritë në fund të tunelit ku po hynë media sot në kohën e socialistëve-specialistë të Fatos Nanos.
Po hyjmë në “vrimën e zezë” të kozmosit mediatik, e ku “peshqit e mëdhenjë” do kenë gjithçka; pushtetin, median, mafien, pronat, lekët dhe natyrisht edhe jetët tona./Botuar me 21 qershor 2003 në KOHA JONE/