Lëvizja “Salianji-Alimehmeti” dhe “ujqërit” e vjetër në Selinë Blu!
Në PD-në e sotme kanë filluar trazirat nga brenda. Pas heshtjes dhe afishimit të grupit të Gaz Bardhit nën hijen e Berishës, dukej sikur nuk do të kishte më “rebelë” ndaj kupolës 35 vjeçare të Selisë Blu.
Në fakt Berisha para zgjedhjeve të fundit gjeti një mënyrë dinake duke i futur disa nga drejtuesit e grupit Bardhi në listën e sigurtë të deputetëve dhe ra në qetësi për karriken e kryetarit të PD-së. Tani, realisht, më salistë janë Gaz Bardhi and co se sa Edi Paloka, që ka qenë përherë salist 24 karatsh.
Humbja e thellë e PD-së në zgjedhjet e 11 majit 2025 solli reagimin e bazës demokrate që “boll mbetet duke u justifikuar se “na i bleu votat Rama”, ndaj duhet gjetur lidership tjetër për tu rikthyer në pushtet”.
Në pranverën e vitit të ardhshëm PD-ja duhet të zgjedhë krejt organet e reja drejtuese, përfshirë edhe kryetarin e PD-së që bazohet në votën e çdo demokrati të regjistruar në kartelat e Selisë Blu. Por Berisha, duke e ndjerë që mund ti kërkojnë të mos kandidojë më, e mbylli vetë kandidimin. Ai deklaroi se do të rikandidojë në prill 2025 për kryetar dhe shtoi duke qeshur se “kush të dojë tjetër mund të rivalizojë me mua për kryetar”.
Kjo nuk është zgjidhje për demokratët, sepse askush nuk ka fuqi të rivalizojë Berishën në PD, pasi ai mbetet kryetar i përjetshëm mëqënëse partia demokratike është kthyer në parti familjare.
Problemi aty qendron se momentalisht nëse Berisha ikën, kjo PD shkërmoqet. Por me Berishën kjo PD nuk vjen dot në pushtet!
Ky ekuacion zgjidhet vetëm nëse Berisha hap udhë sinqerisht dhe e lë garën të lirë për kryetarin e ri, kryetar që përgatitet për zgjedhjet e vitit 2029, e që të sjellë prapë në pushtet PD-në.
Fare mirë Berisha mund të përzgjedhë si kandidatë për postin e kryetarit të PD-së emra që kanë staturë të fortë e të besueshëm: Gazment Bardhin, Tomor Alizotin, Agron Gjekmarkaj, Luçiano Boçin, Edi Palokën, Ervin Salianji, Ilir Alimehmetin, Jorida Tabakun, Jozefina Topallin.
I lejon të gjithë të kandidojnë në bazën e PD-së dhe ai ose ajo që fiton vota, të jetë kryetar i ri në PD.
Kjo do të ishte zgjidhja për një PD të re, me kupolë drejtuese të besueshme dhe fituese në vitin 2027 për zgjedhjet vendore dhe atyre politike në vitin 2029.
Ndërkohë duket se asgjë nga këto nuk do të ndodhë!
Sali Berisha nuk ikën. Ai, ashtu do ta mbajë PD-në, të vogël dhe solide rreth tij.
Me sa duket nga kjo është nisur Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti që kanë bërë një takim dje me disa nga kandidatët me të votuar të PD-së në qarqe.
Por shqetsimit të tyre për një PD me të fortë dhe fituese iu është përgjigjur me ironi kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi i cili mbrëmë ka komentuar takimin e Ervin Salianjit me disa prej figurave të selisë blu, përfshirë dhe Ilir Alimemeti.
Në emisionin ‘Opinion’ Bardhi tha se nuk do që të komentojë ‘gjëra’ që nuk janë seriozë”!
“Unë besoj se kemi ardhur për bisedë serioze, jo për të komentuar kafet që pinë kolegët çdo ditë. Secili prej nesh kur takohet me koleg, ka dhe biseda të caktuara. Salianji është anëtar i kryesisë ka të gjithë shansin për të diskutuar në kryesi. Alimemeti është drejtues i departamentit të shëndetësisë në PD. Fokusi duhet të jetë te skandalet e qeverisë. Të bësh një lajm se kolegët pinë kafe nuk e di, ne te kafja e PD jemi çdo ditë’, tha Bardhi.
Pra la të nënkuptohet se ata të dy,Salianji dhe Alimehmeti, të përfshihen në sulmet ndaj qeverisë për skandalet e fundit e jo të “pinë kafe”!
Reagimit të Gaz Bardhit, mbrëmë në studion e Top Story, i ka dhënë përgjigje Ilir Alimehmeti, duke thënë me ironi se statuseve në Facebook nuk u jep koment.
“Të them të drejtën dhe unë statuseve në FB nuk komentoj, po të donte të na thërriste Këshilli Kombëtar do shkoja, pra mundësia për të fol nuk ka qenë. Lënia pa diskutuar e demokratëve sjellin situata si këto, që kemi një qeveri të kalbur që nuk hidhet dot në tokë, dhe një opozitë që nuk sjell dot njerëz. Pse arritëm në mbledhjen e kësaj tryeze? Kjo pyetje u duhet bërë atyre. Ata nuk e kanë bërë dhe i kanë larguar njerëzit, ne thjeshtë vazhdojmë punën, të kuptojmë ku jemi dhe ku janë problematikat”, tha Alimehmeti.
Ai ka hedhur ‘dritë’ mbi atë çka u fol dhe pse u takuan.
“Ne ishim në një moment diskutimi, si është situata dhe si e mendon secili prej nesh. Në takim kemi qenë rreth 15 veta”, tha mjeku i njohur.
Por a është ky takim një nismë apo lëvizje politike brenda PD?
Përgjigjen ai e la të hapur, duke thënë se në fillim gjithçka nis me një shtrëngim duarsh, e duke shtuar se PD i duhet një riorganizim, nga “koka te këmbët”. “Në fillim gjithçka nis me një shtrëngim duarsh dhe për të kuptuar se ku ndodhemi. Në mungesë të një përfaqësimi të demokratëve, ku përkarshi të një qeverie të kalbur opozita nuk e hedh dot në tokë dhe nuk ndodh ai rrotacioni politik, parimi ishte si mund të forcohet PD. Unë personalisht mendoj se PD i duhet një riorganizim nga koka te këmbët, vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i qasemi një sistemi zgjedhjesh vendore në mënyrë të suksesshme.
Vizioni është 2029 që kalon përmes 2027. Nëse në këto muaj bëjmë disa riorganizime që u flasin njerëzve siç duhet, në atë mënyrë situata kthehet, sepse është e lehtë më këtë qeverisje përballë sepse është duke rënë vetë”, theksoi Ilir Alimehmeti.
Kjo lëvizje duket se ka shkaktuar kokëçarje në kupolën e PD, sepse tashmë Kupola ka rënë në rehati; mandate deputeti kanë, rroga kanë, imunitet kanë, SPAK nuk i prekë se janë “opozitë” dhe ndonjë punë e kryejnë me qeverinë disa deputetë të PD-së.
Aty, në Selinë Blu, më i ndershmi që ka mbetur ndër 35 vite, i pa përzier në pazare me segmente të qeverisë, është Edi Paloka.
Edhe fakti që ai nuk po flet, tregon se ka rezerva për mënyrën se si po drejtohet PD-ja, se si Doktori ripranoi grupin Bardhi dhe pse akoma nuk po gjendet forma për të krijuar besim në popull për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar. Edi Paloka mbetet partizan i një partie të fortë demokratike që nxjerr njerëzit të përplasen me pushtetin, edhe me forcë, pasi nuk ka zgjidhje tjetër për ta rrëzuar kryeministrin Rama.
Por Paloka është një, pa grup dhe pa pazare!
Edhe lëvizja e re e Salianjit dhe Alimehmetit do të sulmohet, anatemohet nga lidershipi aktual në PD.
As mbledhja e Këshillit Kombëtar nuk bëhet, pasi kanë frikë kjo kryesi e sotme në PD, se do të ketë kritika të forta për mënyrën e drejtimit të Selisë Blu. Për t’ju shmangur llogarisë së humbjeve të zgjedhjeve parlamentare, me marifet, Berisha ka sajuar “foltoren numër dy”, ku thotë Doktori se “mund të vijnë flasin edhe ata të pakënaqurit”. Por kujt ia mban të dalë para asaj turme me 200 militantë salistë që të copëtojnë po fole kundër Saliut.
Analiza nuk zgjidhet me “foltore numër dy” dhe as me justifikimin se “nuk ishin zgjedhje, por farsë”. U bënë 12 vjet në opozitë dhe me sa duket edhe katër vjet të tjera. Pas 16 vitesh, me këtë mënyrë drejtimi, nuk dihet a do ketë më PD!
Kjo parti demokratike lindi dhe u rrit në beteja e përplasje të forta e jo me “foltore”! PD-ja ka patur intelektualët më të shquar të Shqipërisë.
Po tani?!
Ndaj betejë të vështirë kanë nisur Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, pavarësisht se janë dy figura të reja emblematikë në PD.
“Ujqërit” e vjetër në Selinë Blu do ti “hanë” sapo të kalojnë oborrin e Selisë Blu!/SP/
KOHA JONË SONDAZH

