Lexoni se ç’shkruante Edi Rama me 15 Nëntor 1994 në KOHA JONE. Një shkrim brilant, por për dreq, Edi i asaj kohe ka përshkruar Ramën e sotëm në pushtet
Duke ribotuar shkrimet më të mira në këto 30 vite të gazetës “KOHA JONE”, sot rastisi numri i radhës që do të botohet nesër në gazetë një shkrim i Edi Ramës botuar në gazetën KOHA JONE me 15 nentor 1994, pak ditë pasi Presidenti i kohës, Sali Berisha humbi referendumin për Projekt-Kushtetutën.
Edi Rama e solli te gazeta “KOHA JONE” shkrimin që po botojmë, një shkrim brilant i një intelektuali të asaj kohe, kundër metodave diktatoriale dhe frymëbllokuese për lirinë e fjalës dhe të mediave të lira, nga pushteti i atyre vitëve të para të pluralizmit.
Por na tërhoqi vëmëndjen se çka shkruar Edi Rama me 15 nentor 1994. Fiks sikur ta shkruante për kryeministrin e sotëm, që ka futur në dorë krejt mediat, biznesin, pushtetet dhe që në ERTV vetëm ai është Udhëheqësi, “Skenderbeu”!
Kaq bukur e ka përshkruar Edi, asokohe, Ramën e sotëm, aqsa meriton të quhet shkrimi i vitëve, por për fatin tonë të keq, ky Edi Ramë është konvertuar nga një intelektual i pavarur (vitet ’90) në një uzurpues i frikshëm i lirive dhe të drejtave të medias, njeriut dhe opozitës.
Lexoni shkrimin e tij të para 26 vitëve dhe gjykoni vetë!
Redaksia e Koha Jone online
Nga Edi Rama-
(Botuar me 15 nentor 1994 në KOHA JONE)
Zoti President i Republikës, pasi e kam kundërshtuar projektin e një kushtetute bunker për presidentin e tyre, shqiptarët gjenden në një udhëkryq shumë të rrezikshëm e nëse juve dhe partisë që ju drejtoni do t’ju mungojë vullneti i nevojshëm për të reflektuar mbi arsyet e vërteta të dështimit të projektit, shumë shpejt të gjithë ne mund të jemi dëshmitarë të një katastrofe politike, e cila, përveç jush dhe partisë suaj, do të shkatërronte edhe vetë ëndrrën e demokracisë. I bindur se përreth jush ka vetëm qenie parapolitike të komanduara, të cilat nuk e gëzojnë privilegjin e të arsyetuarit, i vetëdijshëm që pas kësaj disfate ju duhet të kapërceni mbi vetveten për të gjetur politikën e dimensioneve njerëzore dhe me shpresë se do të zbuloni më në fund dëshirën për të mos e penguar më tej gjallërimin dhe zhvillimin e kulturës së alternativave, e ndjej për detyrë qytetare t’ju shpreh publikisht shqetësimin tim në këtë moment kur e ardhmja e të gjithëve ne është një problem historik dhe kur mendimi zyrtar politik, i mishëruar në fushatën tuaj dhe të partisë suaj për miratimin e projekt-kushtetutës si edhe në zhurmën e mjeteve tuaja të informimit, është më i pafuqishëm se asnjëherë tjetër për të përballuar këtë problem të ndërlikuar, çka, sipas mendimit tim, e bën urgjent reflektimin tuaj të thellë për përgjigje negative të Referendumit është fakti se, me përjashtime të natyrshme, vota kundër projektit të Kushtetutës nuk është aspak një votë nostalgjie për të vjetrën, siç është shkruar në mënyrë të sipërfaqshme në disa gazeta të huaja; vota kundër projektit të Kushtetutës nuk është asnjë votë kundër strukturës apo disa neneve absurde të këtij projekti, të cilin jam i sigurt se 99 për qind e shqiptarëve, përfshi këtu edhe ideologët e partisë suaj, nuk e kanë lexuar fare; vota kundër projektit të Kushtetutës nuk është as votë pro platformës së opozitës socialiste, pasi ndryshimi i madh midis partisë suaj dhe Partisë Socialiste nuk qëndron në programe, por në faktin që kryetari i partisë suaj është Presidenti i Republikës që do të quhej demokratike sikur të miratohej projekti juaj i kushtetutës, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste është një i burgosur politik që gjithnjë sikur të miratohej projekti, zor se do ta shihte më qiellin e Tiranës pa i hequr një për një mbi murin e qelisë së tij në Tepelenë vijat për mijërat e mijërat e ditëve dhe netëve të dënimit që i cakton gjyqi partizan i demokratëve.
Vota kundër projektit të Kushtetutës është një votë proteste kundër Sali Berishës, zoti President.
Vota kundër projektit të kushtetutës është një votë proteste kundër partisë së Sali Berishës, kundër televizionit të Sali Berishës, kundër Qeverisë së Sali Berishës, kundër gjyqeve të kafeve të Sali Berishës, kundër sigurimit të Sali Berishës, kundër intelektualëve rekrutë të Sali Berishës, kundër Presidentit kosovar të Sali Berishës, kundër pleqve sklerotikë të komunizmit shkencor dhe sazexhinjve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Sali Berishës, kundër kanunit dhe çiftelive të Sali Berishës, kundër aksionit enverist të demokratçikëve të Sali Berishës për të nxjerrë deri edhe çiliminjtë nëpër sheshet e luginat e mitingjeve, bile nuk do ta ekzagjeroja aspak zoti President sikur t’ju thosha se vota kundër projektit të kushtetutës ishte një votë proteste edhe kundër vetë zërit të ngjirur të Sali Berishës.
Është e vërtetë që kompleksi shqiptar, ashtu si çdo kompleks kombëtar, ka konstante që gjenden në epoka të ndryshme të historisë dhe ne shqiptarët kemi njëfarë tërheqjeje kah brutalitetit, kah kundërshtimit apriori, kah pozicioneve asgjësuese, ashtu siç nuk ka dyshim që deformacionet e rënda në evolucion politik dhe në sistemin e vlerave, të cilat aq shumë kanë rënë në sy në këto vite lirie, i kanë rrënjët thellë në të kaluarën dhe në karakterin e shqiptarit dhe që një fat i ngjashëm historik nuk do të kishte provokuar të njëjtat reagime te popujt e tjerë. Por tashmë nuk është fjala për të ditur nëse respekti për dhunën, brutaliteti, kokëfortësia fëmijërore, janë konstante të karakterit shqiptar, sepse, sidoqoftë këto tipare gjenden edhe në popujt e tjerë. Problemi është të ngremë pyetjen nëse është edhe paaftësia e shqiptarëve për të përvetësuar principin bazë të jetës shoqërore evropiane. Dialogun, një konstante e karakterit shqiptar? Përgjigjen e kësaj pyetje më shumë sesa tek origjina historike e deformimit të mendimit politik shqiptar dhe tek precedentët historikë, unë sot do ta kërkoj tek ajo kthesë e favorshme historike që u shfaq në rrugën tonë pasi Muri i Berlinit ra duke zënë brenda edhe komunistin shqiptar Ramiz Alia. Me aq sa më lejon vendi, do të trajtoj këtu atë fenomen të veçantë që filloi të shfaqet pas vdekjes së gjeneralit Enver Hoxha, pikërisht atëherë kur komunizmi shqiptar filloi ta humbte prestigjin e tij, derisa më 1989 ky prestigj u zhbë krejt, duke lënë trashëgim reflekset e trashëguara të frikës. Përgjatë këtyre viteve, në mënyrë gati-gati të shurdhët, dalëngadalë, filloi të shtrihej e zgjerohej ndjenja e trembur e një solidariteti mes njerëzish të shkelur keqas në personalitetin dhe individualitetin e tyre, e paralelisht, shpirtra të hapur karshi neurozave dhe historisë filluan të shfaqen për t’u bërë të panumërt në jetën politike të vendit pas Dhjetorit 90, kur gjendja e qëndrueshme gjysmëshekullore e frikës kolektive u transformua në histeri politike, transformim i njohur ky pas traumave të mëdha historike si rrëzimi i një regjimi totalitar, revolucioni, pushtimi i huaj, dështimet ushtarake, ashtu siç nuk qenë të reja as format e manifestimit të kësaj historie: frikë konstante nga konspiracionet, nga revolucioni, nga kërcënimi imagjinar në kufijtë e vendit, nga koalicionet e kundërshtarëve politikë, si edhe persekutimi sistematik i këtyre kundërshtarëve. Siç e tregon më së miri edhe eksperienca jonë e derikëtushme, kjo histeri kolektive, e cila pllakosi vendin duke përfshirë krejt shoqërinë e dalë nga trauma e gjatë, karakterizohet nga paaftësia për zgjidhjen e problemeve që nxjerr liria, nga paqartësia apo hipertrofia në vlerësimin e vetvetes, nga reagimet jo realiste dhe krejt të disproporcionuara ndaj botës përreth. Të gjithë individët që kontribuojnë në çlirimin e manifestimeve histerike të shoqërisë, qoftë përmes aksionit politik të drejtpërdrejtë, qoftë përmes aderimit të tyre në doktrina të ndryshme politike, nuk janë domosdoshmërish politikanë profesionistë dhe pozicionimi i tyre politik nuk është veçse një aspekt i psikikës së tyre të rënduar. Pa farë dyshimi, historia politike sekretoi në Shqipërinë postkomuniste një lloj individi qorr, të kufizuar dhe kokëderr, të zellshëm, për t’u besuar iluzioneve të marra të historisë dhe për t’i përhapur ato: ajo polli një grup përfituesish, të cilët, duke notuar mbi dallgët e ngritura nga era historike e antikomunizmit vulgar, jetojnë boll mirë. Natyrisht, nuk mungoi edhe zulma e torturuesve dhe gangsterëve që, e fshehur nën qeleshen e Gavroshit të demokracisë shqiptare, u lidh pas kërthizës së pushtetit. Por, të kërkosh t’i tregosh përditë me gisht këta surretër të neveritshëm dhe të biesh pre e idesë se vetëm duke ju gjetur atyre vendin që ju takon, mund të shpëtosh Shqipërinë nga rëndimi i mëtejshëm i histerisë, do të thotë që të biesh preh e atij iluzioni fatal që karakterizon sot e gjithë ditën politikën e PS, në themel te kultura politike e së cilës qëndron mbi traditën e së majtës primitive shqiptare që është tradita e luftës me njeriun dhe jo me idenë, e luftës me armikun dhe jo me armiqësinë, e luftës me tradhtarin dhe jo me tradhtinë, e luftës me të korruptuarin e jo me korrupsionin, e luftës me hajdutin dhe jo me vjedhjen, e luftës me gënjeshtarin dhe jo me gënjeshtrën, e luftës me të urryerin dhe jo me urrejtjen, e luftës me të vjetrin dhe jo me të vjetrën. Nëse të gjitha këto janë njëkohësisht edhe tiparet e pakonfondueshme të pushtetit që ju dhe partia juaj ndërtuat, zoti President, kjo ndodhi sepse ju dhe partia juaj jeni në vazhdim të post asaj tradite, jeni një shprehje e rëndë e kulturës së përbuzjes dhe falsifikimit, e kulturës që puth vetëm dorën që nuk e kafshon dot dhe që klanin e vë mbi ligjin, ndërsa vetveten mbi të drejtën e kundërshtarit për të qenë i mbrojtur nga ligji. Por, ndryshe nga Partia Socialiste e cila megjithëse po ashtu si partia juaj i beson vetëm britmës që e lindi, “o me ne o kundra nesh”, nuk ka ndonjë përgjegjësi direkte për dështimin e politikës së sotme zyrtare, gjë që e ka kthyer atë në një llogore gjithnjë e më të gjatë të të pakënaqurve sidomos pas burgosjes arbitrare të kryetarit të saj, ju dhe partia juaj jeni sot në sytë e njerëzve shëmbëlltyra e dështimit, e në rast se për një mendjelehtësi fatale nuk do të përpiqeni seriozisht ta ndryshoni këtë imazh duke favorizuar të vetmen zgjidhje që jua mundëson qëndrimin e mëtejshëm në politikë, dialogun në favor të kulturës së alternativave, karriera juaj politike do të jetë një rrugë nga e cila shumë prej jush, e ju i pari ndër ta zoti President, nuk do të mund të kthehen dot më. Një shoqëri e ekuilibruar, edhe pse përfshihet ndonjëherë në manifestime të dhunshme të gjitha kategorive, arrin në një fund në zgjidhjen e problemeve, pra, arrin t’i shpëtojë histerisë, sepse histeri nuk është tjetër veç një bunker për t’ju shmangur përballjes me problemet; e jo vetëm i shpëton histerisë, por del më e fortë nga kalvari i mundimeve të saj, sepse pasi i ka kërkuar shkaqet e vërteta të së keqes që e ka mbërthyer, nxjerr konkluzionet, duron atë që e njeh si të paevitueshme, merr përgjegjësinë për atë që e pranon hapur si dështimin e saj, kërkon satisfaksionin moral te padrejtësitë që i janë bërë, dorëzohet përpara asaj që nuk e lëshon dot, heq dorë nga iluzionet e parealizueshme, fikson dhe përmbush detyrat e saj. Por krejt e kundërta ndodhi në Shqipëri: karakteri i pamasë dhe i paparashikuar i shkatërrimit në të gjitha kuptimet, ndjenja dominante që vuajtjet tona ishin të pamerituara, të padrejta, çnjerëzore, problemet e rënda që u shfaqën radhazi, papjekuria jonë e plotë politike, eksperiencat e gabuara historike që patën lindur shpresa të mëdha apo një optimizëm krejt të pabazuar, krijuan një patologji, rrezikun e së cilës ju dhe partia juaj jo vetëm që nuk kishit sy për ta parë, por edhe e ushqyet qorrazi me një propagandë të shfrenuar antikomuniste, e cila solli paralizën politike. Duke u rikthyer tek referendumi i 6 nëntorit, duhet të besoni zoti President se përgjigja negative ndaj projektit të kushtetutës që ju paraqitët dhe propaganduat nën zhurmën e daulleve dhe çiftelive duke humbur çdo sens mase, është përpjekja instiktive e shoqërisë për t’u ngritur nga lëngata e paralizës politike, është shenja e parë që shoqëria kërkon të reagojë, është tentativa për t’u zgjuar nga ëndrra me sy hapur e integrimit të shpejtë evropian, është përpjekja për të ardhur në vete e për të mos besuar më në abrakadabrat e partisë demokratike, është momenti historik kur histeria politike ka ndeshur në murin e fortësisë së fakteve, i cili është përherë më rezistent sesa kështjellat e iluzioneve. Pas kësaj përplasjeje mund të vijë zbehja shëruese, të cilën e uroj me gjithë shpirt edhe për ju e partinë tuaj, apo një tjetër histeri, edhe më e rëndë se kjo e derikëtushmja, frika ndaj së cilës ishte dhe motivi im për t’ju shkruar këto radhë. Nga sa munda t’ju ndjek e dëgjoj në maratonën tuaj rreth e rrotull Shqipërisë krijova bindjen se midis jush dhe sistemit evropian të vlerave ka hëpërhë një kundërshti të fortë, e cila është ajo midis pushtetit personal dhe demokracisë, bile paralelen e ngritur me Skënderbeun do ta quaja shprehjen më kuptimplotë të kësaj kundërshtie. Prej pothuajse një mijëvjeçari e gjysmë evolucioni politik i Evropës drejtohet kah suprimimi i sundimit personal, kah shpirtërimi i pushtetit, kah demokracia dhe vetadministrimi. Pak nga pak i gjithë populli kërkon të drejtohet jo nga metodat tradicionale të dinastive dhe sovranëve, por nga metodat që marrin në konsideratë nevojat dhe ekzigjencat e tij. Por shembja shumë brutale e një sundimi personal tradicional mund të çojë lehtësisht në degjenerimin e ekzigjencave thelbësisht demokratike: atëherë, e hutuar dhe mendjeprishur, shoqëria i rinënshtrohet një diktature personale. Duke humbur mbështetjen popullore, ju zoti President, keni pasur shansin e madh të humbisni edhe mundësinë për ta absordizuar pushtetin tuaj personal, por, nëse pikërisht tani, ju nuk do të kërkoni ta rifitoni atë mbështetje duke kërkuar përmes dialogut dhe tolerancës afirmimin e një kulture të alternativave si melhem për zbutjen e qindra mijëra shpirtrave të trazuar nga fantazmat e kulturës politike të së majtës primitive shqiptare, atëherë shoqëria shqiptare rrezikon të mbetet e paralizuar dhe të mos arrijë dot të përfitojë dot nga neveria që ka krijuar për pushtetin personal, por përkundrazi të kërkojë qorrazi rrëzimin tuaj, për të gjetur pastaj pas jush ndonjë “dorë të fortë”, e cila do t’i zhyste shqiptarët dhe ëndrrën e tyre për demokraci akoma më thellë në baltën e demagogjisë dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut. Që evolucioni politik i shoqërisë sonë të sigurojë vazhdimësi dhe të shpaloset në kushte harmonie duhet që në analizë të fundit, çështja e shoqërisë të përputhet me atë të lirisë, duhet të duket qartë se çlirimi i individit do të thotë në të njëjtën kohë edhe çlirimi i shoqërisë, lulëzim dhe pasurim material e shpirtëror i saj. Çështja e demokracisë dhe çështja e kombit vijnë nga e njëjta rrënjë dhe turbullimi i raportit mes tyre mund të na çojë në sëmundje të rënda. Përpjekja për përvetësimin e idesë së kombit nuk është shoqëruar deri më tash me çlirimin e individit dhe pushteti juaj është kthyer në një fantazmë të nacionalizmit antidemokratik, e cila, edhe pse për fat të mirë nuk gjen dot një shërim në mendësinë jonacionaliste të shqiptarëve të Shqipërisë, nga ekrani i Televizionit Shqiptar ju tund dhëmbët dhe telat e çiftelisë shqiptarëve të varfër e të lodhur, pa reflektuar asnjë çast në këta dy vjet të sundimit të demokratëve se si ta çlirojë individin nga prangat e ideve të imponuara, si të kultivojë cilësitë e njeriut të lirë, entuziazmin e tij spontan, shpirtin e tij të sakrificës, ndjenjën e tij të përgjegjësisë. Çdo të thotë të ngjiresh duke përsëritur me zë gjoksi nga tribunat e mitingjeve fjalë të shkëputura me ngarkesë të veçantë simbolike si “liri”, “flamur”, “kanun”, “tokë”, “dashuri”, “kuvend”, “besë”, “individ”, “kodër”, “revolucion”, “fllad”, “diktaturë”, “tregti”, “qafë”, kur shoqëria së cilës i drejtohesh nuk garanton as kushtet elementare të të qenit individ, duke e mbërthyer në fyt këtë të gjorin me kërcënimin se po nuk erdhi në miting do të ketë pasoja serioze!? Të jesh demokrat do të thotë të jesh i çliruar nga frika, të mos kesh frikë nga ata që mbrojnë ide të ndryshme nga të tuat dhe përhapin opinione të ndryshme nga opinioni yt, nga ata që flasin me një gjuhë tjetër apo që i takojnë një kombësie tjetër, të mos dyshosh apriori te konspiracionet apo dredhitë e armikut të brendshëm e të jashtëm, të mos i trembesh propagandës së tij, e në përgjithësi të mos trembesh nga rreziqet imagjinare që lindin prej frikës. Këto rreziqe imagjinare bënë që në këto dy vjet të pushtetit tuaj dhe të partisë suaj vendi të bjerë në stadin parademokratik kur shoqëria nuk e pret shërimin nga ligji, nga kontrolli që ushtron shteti apo nga inteligjenca politike e qytetarëve të vet, por nga vullneti i mirë i princit, pra nga pushteti personal apo nga zgjidhjet e tij të “mençura”. Deformimi i të gjitha strukturave shoqërore u ndoq nga deformimi i karakterit politik, një karakter histeroid që injoron vazhdimisht ekuilibrin e shëndoshë midis realitetit dhe aspiratave. Duke qenë në pushtet dhe në ekranin e televizionit, ju dhe partia juaj e manifestoni shumë më dukshëm se sa opozita socialiste cenin e rëndë në kulturën politike të së majtës primitive shqiptare, çekuilibrin që vjen nga afirmimi i skajshëm i vetvetes e që shoqërohet me një dobësi të brendshme përherë e më të dukshme, nga kotësia kombëtare e stërzmadhuar, nga kapitullimet e papritura e të çuditshme në politikën e jashtme, nga këmbëngulja shumë e rëndë në bujën për rezultatet dhe sukseset, ndërkohë që në realitet, ne asistojmë në rënien e ndjeshme të moralit dhe në rritjen e papërgjegjshmërisë. Mjafton të shtypësh butonin e Televizionit Shqiptar në orën e lajmeve për ta ndjerë veten më zi se sa një peng në dorën e një grupi banditësh, sepse dëgjon të kumtohet kaq shpesh fjala “demokraci”, ndërkohë që mund të shohësh në të vetëm mishërimin e filozofisë së sistemit totalitar për informacionin, ku synohet dhunshëm që burimi i lajmit, zëdhënësi i tij dhe vetë lajmi të kenë pamjen e Udhëheqësit. Në këtë gjendje shpirtërore sensi i vlerave politike veçse tretet në jehonën e të parëve dhe në errësirën e mistereve të korrupsionit. Tamam jehona e të parëve, e cila sa vjen e forcohet, krijon një materializëm kombëtar, një biçim kushëriri të çuditshëm, të largët dhe të shpërfytyruar të materializmit shoqëror, të marksistëve, njëlloj mostre që u shfaq shpesh edhe në retë e fjalëve pa lidhje që ju lëshuat mbi kokat e njerëzve gjatë betejës për referendumin, sepse as ju me tuajt dhe as çeta e pleqve leqedredhur të së djathtës “së vërtetë” shqiptare që mbahet me të madhe si disidente e politikës suaj dhe antikomuniste e paepur, nuk e keni kuptuar ende se madhështia kombëtare qëndron në të jetuarit pa komplekse dhe në qetësinë natyrale, larg delirit për të çuditur apo trembur botën me përqindjen e lartë të të vdekurve për flamur.
Zoti President, revolta e studentëve kundër sistemit totalitar ishte revoltë kundër gënjeshtrës, kundër dhunës, kundër pisllëkut, ishte revolta e individit që mundi frikën, ndërsa vota kundër projektit të kushtetutës ishte verdikti kundër nostalgjisë për frikën. Midis diktaturës zemërgjerë të partisë suaj dhe lirisë, shqiptarët zgjodhën rrugën më të vështirë, rrugën e individualitetit, të përgjegjësisë, ankthit, tek të cilat mishërohet liria, e vetmja kartëvizitë për t’u prezantuar në portën e shtëpisë së përbashkët evropiane. Me përjashtim të atyre 400 e kusur intelektualëve të nderuar që nuk bëjnë dot pa dashurinë tuaj dhe të partisë suaj, shqiptarët nuk duan një dorë të fortë, por një republikë shoqërisht të drejtë, në të cilën individi nuk do të ketë frikë të jetë i ndryshëm, në të cilën nuk do të vijnë duke u shtuar vuajtjet e të vuajturve, e pleqve, e fëmijëve, një Republikë që do të vigjilojë kundër krimit dhe korrupsionit, një republikë që do të ekzaltojë vlerat morale dhe shpirtin krijues të njeriut të lirë. Shqiptarët e kanë kuptuar që as edhe një kushtetutë e shkëlqyer nuk është në vetvete një shtet i së drejtës, sepse garancia themelore e këtij shteti është mjedisi demokratik ku e drejta mishërohet, ndërgjegjja demokratike në funksion të së cilës janë kultura qytetare e lidershipit politik, mençuria e tij politike, sensi i tij i demokracisë, paanshmëria e tij, aksioni i tij i matur politik. Ju dhe partia juaj, zoti President, nuk keni dhënë ende asnjë nga këto garanci që përbëjnë themelin e asaj çka të gjithë së bashku duam dhe duhet të ngremë – një demokraci dhe një shtet juridik. Sovrani e dha verdiktin dhe tani është radha juaj ta respektoni atë në të gjithë domethënien e vet nëpërmjet një reflektimi të gjatë, serioz e mbi të gjitha burrëror; është radha juaj të qëndroni përballë realitetit, të dëgjoni apelin e kohës, të kuptoni ekzigjencat e momentit, të respektoni përshpejtimin e ritmit të shqiptarëve, nevojën e tyre urgjente për drejtësi dhe informacion të lirë. Nuk është ende vonë as për të veshur bluzën e bardhë të mjekut, dhe as për t’u kthyer tek politika e dimensioneve njerëzore – juve ju takon zgjedhja. Duke e mbyllur këtë përpjekje për t’ju vënë në alarm për rrezikun që i kanoset ëndrrës së demokracisë nga moskuptimi si duhet nga ana juaj dhe e partisë suaj i humbjes së mbështetjes popullore, pranoni ju lutem, zoti President përshëndetjet e mia miqësore.
Sinqerisht i juaji Edi Rama
Tiranë, më 13.11.1994