Ligji i oligarkëve/ Rrëzimi i dekretit në “ilegalitet”, ironizon Meta: Nuk besoj të ketë ndodhur

Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot për mediat kthimin e ligjit për “Tatimit mbi të ardhurat”. I pyetur për rrëzimin e dekretit të tij nga Kuvendi me procedurë të paqartë parlamentare, Presidenti Meta deklaroi me ironi se “nuk besonte se kjo ka ndodhur”, pasi ende presidenca nuk ka dhënë shpjegimet e saj për arsyet e kthimit të ligjit. Saktësojmë se ky ligj ishte hartuar nga vetë oligarkët, të cilët ia kishin kaluar qeverisë dhe kjo e fundit e votoi në parlament për ti falur dhjetra milionë euro taksa oligarkëve. Ndërkohë qeveria nuk jep lekë për ti kaluar në favor të studentëve, të cilët akoma janë në protestë. Specialistët e financës thonë se sikur qeveria të mos falte këto miliona biznesmenëve oligarkë, me kaq lekë rregulloheshin 140 mijë studentë.

“Nuk besoj të ketë ndodhur, sepse ka rregulla mjaft të qarta se si funksionohet në Kuvend në raste të tilla. Dhe përfaqësuesit e Institucionit të Presidentit, që ka kthyer këtë projektligj përmes dekretit, ende nuk janë ftuar për të dhënë shpjegimet dhe argumentet e tyre”,- tha Presidentit Meta.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka komentuar nga Pogradeci edhe propozimin e opozitës për vettingun në politikë. Meta theksoi se vettingu në politikë është mjaft i rëndësishëm dhe duhet gjetur mënyra për ta realizuar atë. Sipas tij ndarja e politikës nga krimi është një domosdoshmëri. ‘Vettingu në politikë është i domosdoshëm. Duhet gjetur mënyra për ta realizuar vettingun në politikë’, deklaroi Meta. Kujtojmë që sot mazhoranca rrëzoi kërkesn e opozitës për vetting në politikë.

Ndërkohë kreu i shtetit u bëri apel palëve që të gjejnë sa më shpejt dakordësinë për Reformën Zgjedhore. ‘Palët të gjejnë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. Marrëveshja për të kthyer besimin tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Jemi të vonuar në Reformën zgjedhore’, u shpreh Meta.

Gjithashtu Meta komentoi edhe vendimin e qeverisë për dëbimin e ambasadorit të Iranit nga vendi jonë. ‘Aprovoj vendimin për dëbimin e ambasadori iranian’, tha kreu i shtetit. Më tej Meta deklaroi edhe njëherë se duhen plotësuar kërkesat e studentëve pasi ato janë të drejta dhe legjitime. ‘Kërkesat e studentëve të marrin përgjigje. Kërkesat e studentëve janë të drejta dhe legjitime. Studentët të kthehen në auditore të mos ikin nga vendi’, përfundoi kreu i shtetit shqiptar.

 

 Prononcimi i plotë i Presidentit Meta në Pogradec

Pyetje: Zoti President, një ditë më parë Kuvendi ka rrëzuar dekretin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Si e komentoni faktin që është përpjekur ta votojë në fshehtësi, në ilegalitet të plotë dhe menjëherë?

Presidenti Meta: Nuk besoj të ketë ndodhur, sepse ka rregulla mjaft të qarta se si funksionohet në Kuvend në raste të tilla. Dhe përfaqësuesit e Institucionit të Presidentit, që ka kthyer këtë projektligj përmes dekretit, ende nuk janë ftuar për të dhënë shpjegimet dhe argumentet e tyre.

Pyetje: Ju keni mendimin që klasa e pasur të tatohet akoma edhe më shumë. Kuvendi ka tjetër mendim zoti President?

Presidenti Meta: Kemi ardhur për “Festën e Verës” këtu në Pogradec, dhe besoj që është një mbrëmje që duhet t’ua kushtojmë prodhuesve të vegjël e të mesëm të Pogradecit.

Pyetje: Një koment tuajin për protestën e studentëve?

Presidenti Meta: Besoj se ju i dini qëndrimet e mia për këtë çështje. Është e domosdoshme që kërkesat e tyre të marrin zgjidhje, sepse të gjithë i vlerësojnë si të drejta dhe legjitime në mënyrë që ata t’u kthehen auditorëve të tyre më me besim dhe entuziazëm për cilësinë e arsimit, por njëkohësisht edhe për të ardhmen e tyre në këtë vend.

Pyetje: Zoti President, mbi “vettingun” në politikë, duket sikur dy forcat politike janë të dyzuara. Ju a keni një mesazh?

Presidenti Meta: Mesazhi është që reforma në drejtësi duhet bërë seriozisht. Kushtetuta duhet respektuar seriozisht. Dhe vettingu është i domosdoshëm dhe duhet gjetur mënyra për realizimin e tij që të kemi një ndarje të qartë të politikës nga aktivitetet kriminale.

Pyetje: Për largimin e ambasadorin iranian?

Presidenti Meta: Për këtë çështje jam tërësisht aprovues ndaj reagimit të Ministrisë sonë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Pyetje: Ju keni miratuar datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por nuk kemi ende një reformë zgjedhore. Mendoni se është e vonuar?

Presidenti Meta: Padyshim që jemi të vonuar dhe unë apeloj për të arritur sa më shpejt një marrëveshje, që rikthen besimin te zgjedhjet e lira për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Pyetje: Kjo klasë politike do të jetë e përgjegjshme për ta arritur këtë?

Presidenti Meta: Ne inkurajojmë përgjegjshmërinë maksimale, sepse kjo bëhet për interesin e vendit dhe shpresojmë se interesat e politikës të mos cenojnë interesat e vendit, por të mundohen t’u përgjigjen atyre me përgjegjshmëri të plotë.

SHKARKO APP