Ligji i plehrave përçan PS, Braçe: Nuk e votoj, rrëzon kauzën e socialistëve
Tre vjet pasi Partia Socialiste bllokoi ligjin e qeverisë “Berisha” që lejonte importin e mbetjeve në Shqipëri, tre deputetë të mazhorancës kanë depozituar një tjetër nismë ligjore që mundëson diçka të tillë.
Kreu i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi dhe deputetët, Ervin Bushati dhe Bujar Derveni kërkojë nga Kuvendi lejimin e importit të mbetjeve, ku nuk përjashton dhe ato që cilësohen si të rrezikshme. Qëllimi i ligjit synon ti vij në ndihmë biznesit të përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve.
Eduard Shalsi është deputeti që ka marrë përsipër ta mbrojë një nismë të tillë, të cilën më parë e kundërshtonte fuqishëm. Madje ishte PS-ja ajo që për ligjin e ngjashëm të qeverisë Berisha udhëzoi anëtarët e partisë të jepnin firmat për një referendum kombëtar kundër kësaj nisme. Me ardhjen në pushtet të PS referendumi u bë i panevojshëm pasi qeveria “Rama” vendimin e parë që mori ishte bllokimi i ligjit që lejonte importin e mbetjeve.
Tre vjet më pas gjithçka nis nga e para. Ndryshimi këtë herë është se deputeti socialist Shalsi thotë se tashmë janë kushtet për të lejuar importin e mbetjeve.
Por një nismë e tillë ka hasur rezistencë edhe brenda vetë Partisë Socialiste. Deputeti Erjon Braçe shkruan sot në Facebook se është kategorikisht kundër miratimi të këtij ligji. Sipas tij, jo vetëm që një ligj i tillë është i dëmshëm, por rrëzon dhe kauzën e Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.
“Thjeshtë e qartë: NUK E VOTOJ! Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë nga 3 vite më parë kur isha kundër. Nuk ka ndryshuar gjë as nga 12 vite më parë kur isha po kundër!”,- shkruan Braçe.
Lidhur me këtë nismë Qeveria është treguar e kujdesshme që të mos e prezantojë në publik si një projektligj që ka mbështetjen zyrtare. Dy ditë më parë, Zyra e Shtypit në Kryeministri reagoi për lajmet që qarkullojnë në media, duke deklaruar se kemi të bëjmë më një nisme personale të tre deputetëve. Megjithatë ky nuk është rasti i parë, kur për çështje të diskutueshme idetë për ndryshime ligjore nuk vijnë direkt nga qeveria, por në mënyrë indirekte deputetë të veçantë kanë mbështetjen e saj.