Ligji u kthye, por mazhorancë-opozitë po shkojnë turravrap drejt përplasjes

Sherri “pro” dhe “kundër” shembjes së Teatrit Kombëtar do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta nuk e dekretoi ligjin e miratuar nga mazhoranca e PS në Kuvend. Kreu i shtetit e riktheu edhe një herë për shqyrtim në Parlament ligjin për “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Në vendimin Presidentit jepen 9 arsye kryesore se përse ligji nuk mund të dekretohet. Arsyet dhe analiza ligjore e kreut të shtetit, drejtuar deputetëve të Kuvendit, mund të jetë ndër të rrallat raste ku bëhet një shpjegim profesional juridik prej rreth 30 faqesh për një ligj. Kreu i shtetit, i referohet kushtetutës, ligjit për pushtetin vendor, ligjeve për trashëgimin kulturore, pronën publike dhe private, por edhe gjithë korpusit juridik vendas dhe të huaj për të parashtruar qëndrimin e tij. Duket se argumentet e Presidentit bazohen pikësëpari në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe në konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Kreu i shtetit argumenton se projekti i qeverisë shkel Kushtetutën në pikën që lidhet me barazinë, pasi ligji trajton në mënyrë preferenciale një kompani të veçantë. Një tjetër argument që jep kreu i shtetit është cënimi i autonomisë së pushtetit vendor. Duke ju referuar Kushtetutës dhe ligjeve, Presidentit shprehet se tjetërsimi i pronës për Teatrin Kombëtar duhet të ishte vendimmarrje e pushtetit vendor, konkretisht Këshillit Bashkiak. Kreu i shtetit vlerëson se ligji për Teatrin Kombëtar nuk përputhet as me praktikat e deritanishme qeveritare për koncensionet, për të cilat Presidenti thekson se janë të diskutueshme. Vërejtjet e kreut të shtetit bazohen dhe në aspektin ekonomik të këtij ligji. Në relacionin që i dërgon Kuvendit, Presidentit shprehet se në gjithë projektin flitet për 30 milionë euro që do të kushtojë Teatri ri, por nuk ka asnjë dokument apo studim që të argumentojë këto shifra. Gjithashtu, Presidenti shprehet se mungojnë studimet financiare për vlerën e pronës ekzistuese dhe për statusin e pronave të tjera që janë afër godinës së Teatrit Kombëtar. Kreu i shtetit argumenton se vet ligji i miratuar nga Kuvendi, pas dhënies së pronës kompanisë private, nuk e përcakton qartë se çfarë do të bëhet me ndërtesa të tjera publike që janë në zonën ku do të zhvillohet projekti i Teatrit të Ri. Veç aspekteve teknike dhe ligjore, kreu i shtetit ndalet dhe në rëndësinë që ka trashëgimia kombëtare, duke theksuar se Kushtetuta përcakton ruajtjen e vlerave që kanë rëndësi të posaçme. Duke u shprehur se ligji bie ndesh me Kushtetutën, Presidentit thekson se “Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa dëmtuar trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen”. Një argument jo më pak i rëndësishëm për këtë ligj është dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Në fund të relacionit që kreu i shtetit i ka dërguar Kuvendit theksohet se gjithë kontradiktat e këtij ligji mund të zgjidheshin fare mirë nga Gjykata Kushtetuese. Por në mungesë të këtij institucioni, i takon Kuvendit që të rimarrë edhe një herë në shqyrtim këtë ligj për të zgjidhur gjithë kontradiktat që ai ka, duke i dhënë një zgjidhje tjetër, por ligjore.

Vendimi i kreut të shtetit nuk është pritur mirë nga mazhoranca. I pari që reagoi dje ishte kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një mesazh në rrjetet sociale, Veliaj nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj kreut të shtetit që riktheu ligjin edhe një herë në Kuvend. Por, pavarësisht kësaj, Veliaj tha se brenda 40 ditëve do të nis puna për prishjen e Teatrit ekzistues dhe ngritjes së projektit të ri. Erion Veliaj thekson edhe një herë rëndësinë që ka ky projekt për ta kthyer Tiranën në një qytet modern. Kryebashkiaku shprehet se pas miratimit dhe një herë të ligjit nga Parlamentit projekti do të vijojë dhe godina ekzistuese e Teatrit Kombëtar do të shëmbet. “Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t’i hapë rrugë projektit modern-në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit. E mira, e bukura dhe e drejta, herët a vonë, triumfojnë; është vetëm çështje kohe! Koha e humbur është e vetmja dhimbje që kemi në këtë banalitet politik sepse për ne çdo minutë vlen shumë, ndërsa për ata që kanë vrarë dekada të tëra kohë shqiptare, koha është vetëm një mjet për të na penguar”,- shprehet kryebashkiaku Veliaj.

Presidenti, me shumë qetësi dhe dashuri, edhe për Erion Veliaj, por pikësëpari për Ligjin dhe Kushtetutën i ka dhënë mundësi Parlamentit të rishikojë mundësinë e një zgjidhje të pranueshme nga palët. Ndërkohë duket se PS-ja do ta rrëzojë dekretin në shtator për ti hapur një lufte të madhe politike e përplasje civile në tetor, siç paralajmëroi Lulzim Basha në një konferencë shtypi.

Me sa duket mazhoranca dhe opozita po shkojnë me turravrap drejt përballjes me popull për Godinën e Teatrit Kombëtar./Q.Xhani/

 

SHKARKO APP