Rama me familjarët e viktimave: Drejtësia për 21 Janarin po afron
Në 6 vjetorin e vrasjeve të 21 Janarit, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me familjarët e viktimave. Kreu i Qeverisë u shpreh se dita e vendosjes së drejtësisë po afron.
Kreu i Qeverisë theksoi se ky përvjetor shërben si një pasqyrë e drejtësisë së vonuar, pasi ende nuk është zbardhur e vërteta për 4 viktimave të ’21 janarit’. ““4 jetët e humbura në bulevard kërkojnë drejtësi. 21 janari është motivi i motiveve për reformën në drejtësi. Është pasqyrë i një drejtësie të munguar. Viktimat janë nxitja më e fortë për drejtësinë. Nuk është e lehtë të çlirohemi nga pengu i 21 janarit. Prandaj, spastrimi i drejtësisë është misioni ynë i patjetërsueshëm, dhe sot është mision i mundur falë reformës. Vetingu do spastrojë Shqipërinë nga të korruptuarit”,- tha kryeministri.
Mes të tjerash Rama theksoi se nuk do të ketë më si ai kryeministër, dhe Forca Speciale që t’i jepet e drejta që të marrin jetë njerëzit për të mbrojtur godinën po as përplasje të thella institucionale.
“Duhet të ndihmojmë për hendekun që është hapur në mes të Bulevardit mes vendit dhe drejtësisë. Sot në Bulevard përveç godinës së Kryeministrisë, pamjet kanë ndryshuar. Janë hequr kangjellat e larta që e bënin kryeministrin një të burgosur të cilësisë së veçantë që ruhej prej popullit. Godina është hapur dhe kati i parë i saj i përket qytetarëve, artit të kulturës. Debatin dhe leksioneve, nxënësve dhe studentëve. Askush sot nuk ka më frikë të protestojë para asaj godine, për gjithçka që e çmon të rëndësishme për të protestuar me apo pa të drejtë në këndvështrimin e atyre që janë brenda godinës, por me bindje se në fund e drejta e secilit për të protestuar është një e drejtë jo vetëm e fituar por dhe e pacenueshme”,- tha Rama.
Rama tha se vendi ka ndryshuar dhe askush nuk i vret më protestuesit. “Nuk mund të imagjinohet më se nga dritaret e godinë mund të shkrehen plumba në urdhër të kryeministrit, si përbuzës i qytetarëve që duhet t’i shpërbej, pavarësisht se e kanë votuar apo jo. Nuk do ketë më kurrë jo vetëm as si ai kryeministër, apo Forcë Speciale e Rendi apo Sigurie,që t’i japë të drejtën që të marrë jetë njerëzit për të mbrojtur godinën po as përplasje të thella institucionale si ato që kulmuan pas zbrazjes së Bulevardit dhe tërheqjes së 4 trupave prej tij”,- pohoi kryeministri.
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/687106108081181/
FJALIMI I PLOTE I KRYEMINISTRIT
Përshëndetje të gjithëve!
Sot bëhen gjashtë vjet nga dita tragjike e 21 janarit, që solli një tragjedi të madhe në familjet tuaja.
21 janari vazhdon të jetë një moment ndalese në kujtesën e të gjithëve, pa përjashtim, pavarësisht nga këndvështrimi i secilit. Një moment, që vendos përpara popullit tonë dhe përpara gjithë protagonistëve të jetës politike e publike, një pasqyrë. Një pasqyrë të drejtësisë së vonuar dhe të nevojës për ta kapërcyer hendekun, që është hapur në mes të bulevardit, mes vendit dhe drejtësisë.
Sot, në bulevard dhe rreth godinës së kryeministrisë, pamja ka ndryshuar. Janë hequr kangjellat e larta që e bënin Kryeministrin një të burgosur të rëndësisë së veçantë, që ruhej prej popullit. Godina është hapur dhe kati i parë i saj u përket qytetarëve, artit, kulturës, debateve, leksioneve, nxënësve dhe studentëve.
Askush sot nuk ka më frikë të protestojë përpara asaj godine, për gjithçka që e çmon të rëndësishme për të protestuar, me apo pa të drejtë në këndvështrimin e atyre që janë brenda në godinë, por me bindjen se në fund, e drejta e secilit për të protestuar është një e drejtë jo vetëm e fituar me Kushtetutë dhe me ligj, por edhe e pacenueshme për askënd qysh prej 21 janarit. Sot as nuk mund të imagjinohet më që nga dritaret e godinës mund të shkrehen plumba, nën urdhrat e Kryeministrit si përbuzës i qytetarëve, të cilëve duhet t’u shërbejë pavarësisht nëse e kanë votuar, apo nuk e kanë votuar.
Po ashtu, sot nuk ka më dhe unë jam i bindur që nuk do të ketë më kurrë, jo vetëm asnjë Kryeministër, apo forcë speciale ose jo speciale rendi e sigurie, që t’i japë vetes të drejtën të marrë jetë njerëzish për të mbrojtur godinën, por as përplasje të thella institucionale, si ato që kulmuan pas zbrazjes së bulevardit dhe tërheqjes së katër trupave prej tij. Përplasje mes Kryeministrit dhe Presidentit, mes Kryeministrit dhe Prokurorisë, mes Prokurorisë dhe policisë. Përplasje brenda shtetit, të ndarë mes atyre që i japin vetes të drejtë të vrasin, por përdorin pushtetin për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi.
E sigurisht që të gjithë këto që po them, nuk ju ngushëllojnë ju, por nuk na ngushëllojnë as ne dhe s’mund të më mjaftojnë as mua, në këtë rast si Kryeministër, për të relativizuar të vërtetën e thellë dhe gjithmonë tronditëse të 21 janarit, se katër burra, vëllezër, prindër humbën jetën dhe ato katër jetë të humbura kërkojnë drejtësi.
Ashtu sikundër nuk është as ngushëllim e aq më pak pastaj, arsye për t’u mjaftuar, duke marrë frymë lirisht, edhe fakti i padiskutueshëm se vrasjet e 21 janarit dhe viktimat e pafajshme të plumbave të shtetit u bënë nxitja më e fortë mes shumë nxitjeve, arsyeja më kokëfortë mes shumë arsyeve, për të ndërmarrë reformën më të thellë dhe më transformuese të drejtësisë në këtë vend, prej 25 vjetësh.
21 janari ka qenë një motiv e mbetet një motiv i patjetërsueshëm. Motivi i motiveve që jo vetëm ta çelnim kantierin e kësaj reforme që, siç e keni ndjekur dhe e kanë ndjekur të gjithë, pështjelloi në mënyrë të veçantë politikën shqiptare, por edhe ta çojmë atë përpara, nga Kushtetuta si letër dhe ligjet e shkruara, në ligjshmërinë e jetës së përditshme të vendit dhe qytetarëve.
Qysh atëherë e kam thënë dhe e kemi thënë se 21 janari është një nga ato momente në historinë e një vendi, që krijojnë një peng dhe që nuk janë asnjëherë të lehta për t’u zbardhur dhe për të çliruar pengun që krijojnë. Por pa as më të voglin dyshim, sot falë procesit të Reformës në Drejtësi, drejtësia për 21 janarin është më afër dhe marrja e drejtësisë është një opsion shumë më realist se ç’ishte pa këtë reformë.
Njerëzit kërkojnë çdo ditë drejtësi. Njerëzit me të drejtë janë të paduruar për të marrë drejtësi, sepse drejtësia mungon për ta prej 25 vjetësh, pa llogaritur vitet përpara rënies së regjimit, kur e dinë të gjithë sesi koncepti i drejtësisë ishte një koncept krejt tjetër, pa asnjë lidhje me lirinë dhe të drejtat kushtetuese të çdo individi.
Të gjithë njerëzit që sot kanë një problem me prokurorinë apo me gjykatat janë potencialisht viktima të përditshme të mungesës së drejtësisë, katër familjet e të vrarëve të 21 janarit janë prej 6 vjetësh shëmbëlltyra më rrëqethëse e kësaj mungese dhe patjetër, edhe me të drejtën e Zotit e të zakonit të ndihen të lënduar edhe më shumë, për çdo ditë më shumë që kalon pa marrë drejtësinë.
E keni parë dhe përjetuar të gjithë, me dhimbje, forcën përbuzëse me të cilën drejtësia e korruptuar dhe e paaftë për të bërë detyrën e vet ka shtyrë përtej mureve të saj, në gjendje të lirë, ata të cilët sot duhet të ishin prapa hekurave. Nuk ka guxuar të dalë nga muret e saj, për të kërkuar edhe ata, të cilët asnjë ditë, asnjë orë, asnjë minutë nuk janë marrë në pyetje, për të zbardhur deri në fund dhe ndëshkuar deri në fund krimin shtetëror të 21 janarit.
Prandaj, spastrimi i Pallatit të Drejtësisë nga prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar është misioni ynë i patjetërsueshëm. Sot është një mision i mundur falë reformës dhe falë kapërcimit të pengesës, më të fundit, të Gjykatës Kushtetuese për Vetting-un. Vetting-un që do të çlirojë drejtësinë nga kthetrat e shumë prej atyre që edhe sot që flasim, vazhdojnë të bëjnë padrejtësi, jo si përfaqësues të popullit dhe si ushtrues të vullnetit kushtetues të njerëzve të këtij vendi, por si protagonistë të korrupsionit dhe të krimit që e kanë kapur prej fyti drejtësinë në këtë vend.
Reforma në Drejtësi është një reformë që do t’i japë Shqipërisë së Gjeneratës Tjetër mundësinë që të jetë një Shqipëri e ndryshme nga ajo që trashëguam dhe nga kjo që kemi sot. Dua ta përsëris edhe sot, me edhe më shumë bindje sesa një vit më parë, apo sesa 6 vjet më parë, që drejtësia për 21 janarin mund të vonojë, por nuk do të harrojë.
Qeveria jonë, pavarësisht se ka bërë sa ka qenë e mundur për t’ju lehtësuar juve në jetën tuaj të përditshme, do të vazhdojë të bëjë atë që ka si detyrim, në radhë të parë duke njohur përgjegjësinë e shtetit shqiptar për krimin shtetëror të 21 janarit. Një përgjegjësi, që ne e kemi njohur “de facto” dhe që jemi të vendosur ta njohim “de jure” edhe në nivelin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për t’i dhënë mundësi rihapjes së çështjes, me besimin se një çështje si kjo, e rihapur në kushtet e një drejtësie të reformuar, nuk mundet dot të përfundojë për një herë të dytë, siç përfundoi herën e parë në rrugën e gjykatave të korruptuara dhe të kapura të këtij vendi.
Pak ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, ne miratuam edhe fondin për dëmshpërblimin e familjeve tuaja. Një detyrim që nuk e lehtëson barrën tonë kryesore, që është nxitja dhe mbështetja deri në fund e procesit për të marrë të gjithë drejtësinë e munguar, por që dëshmon sidoqoftë, se ne jemi deri në fund solidarë me të gjithë ju, me gjithçka kemi ne në dorë.
Ndryshe nga çfarë me ligësi apo mendjelehtësi u komentua në kazanin e mediave, dëmshpërblimi i dhënë për ju nuk ishte një qokë, por ishte një detyrim që të mos e harrojmë dhe buron nga domosdoshmëria për të zbatuar vendimet gjyqësore, të cilat vonuan, por sidoqoftë erdhën. Sapo erdhën, ne morëm menjëherë vendimin e duhur, në drejtimin e duhur.
Dua me këtë rast t’ju siguroj jo vetëm ju, por me siguri dhe shumë tjerëve që na ndjekin në këtë moment, se as unë dhe as ne që qeverisim Shqipërinë qysh prej qershorit të vitit 2013, si shprehje e vullnetit të 1 milionë shqiptarëve, që nuk na votuan për të zëvendësuar një qeveri me tjetër por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë, nuk e kemi harruar në asnjë hap, por e kemi pasur parasysh, në çdo vendim që kemi marrë, këtë fakt: pse shqiptarët na deshën në krye të punëve të këtij vendi, në qershorin e vitit 2013.
Ne nuk jemi të përsosur! Me siguri në rrugën tonë shumë të vështirë të qeverisjes, pas një periudhe të gjatë e sfilitëse rrënimi të shtetit, ne i kemi bërë gabimet tona. Por sot, në këtë moment solemn, unë dua solemnisht ta përsëris atë që ma ha mendja e kam thënë edhe herë tjetër:
Askush nuk mund të provojë të kundërtën e faktit, se kjo qeveri nuk ka bërë asnjëherë gabime të qëllimshme.
Në asnjë vendim tonin, ne nuk e kemi përdorur pushtetin kundër interesit të vendit, të popullit në tërësi, apo qoftë edhe të një individi të vetëm. Nëse mund të kemi marrë vendime të gabuara, nuk kanë qenë gabime të qëllimshme, si rezultat i abuzimit me pushtetin, por kanë qenë pjesë e një përpjekjeje kolosale të përditshme, për ta nxitur transformimin e vendit si asnjëherë më parë.
Kemi bërë reforma që askush nuk ka guxuar t’i ndërmarrë në 20 e kusur vite. Reforma, për të ndriçuar rrugën e të ardhmes së Anës dhe të të gjithë bashkëmoshatarëve të saj për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër, për Shqipërinë që nuk e kishin ata që sot na mungojnë këtu dhe që humbën jetën e tyre në një protestë kuptimplotë, jo thjesht për të ndërruar një qeveri me një tjetër, por për të kërkuar një Shqipëri tjetër.
Reformat që kemi ndërmarrë janë të thella, janë të dhimbshme dhe padiskutim, kostot e reformave bien sipas shkallëve, në radhë të parë tek më të dobëtit. Por nuk ka një rrugë tjetër për të shëruar organizimin e një vendi nga një kancer, si ai që e kishte kapur Shqipërinë në çdo funksion vital të saj, në çdo sektor dhe në çdo institucion të saj dhe që ia kishte bërë të pamundur funksionimin si shtet.
Kemi bërë reforma që mund të hanë diskutim, nëse mund të bëheshin më mirë; Mund të hanë diskutim, nëse mund të jepnin rezultate më të shpejta; Mund të hanë diskutim, nëse mund të jepnin më shumë rezultate. Por nuk ka diskutim që kanë pasur dhe kanë një impakt transformues në çdo sektor, që nga energjia, arsimi, shëndetësia e me radhë.
Ato që na vënë në kurriz janë të padrejta, jo se janë opinione të ndryshme. Ne mund të kemi opinione të ndryshme për të gjitha gjërat, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme mbi të cilat të ngremë opinionet tona. E pra, problemi i madh që ne kemi sot në debatin tonë politik është se nuk debatohet për opinione të ndryshme, por për fakte të ndryshme, ku një palë flet me fakte të vërtetueshme, një palë tjetër flet me fakte të krijuara, njësoj si për 21 janarin. Një palë fliste dhe flet për katër të vrarë nga plumbat e shtetit, pala tjetër fliste për çadra-pushkë, për stilolapsa-revolverë, për një zinxhir të tërë faktesh të krijuara.
Po njësoj zhvillohet debati për energjinë. Faktet thonë se Shqipëria, për herë të parë në 26 vjet, vitin e shkuar ishte eksportuese më shumë, sesa importuese e energjisë. Ky është fakt. Ndërkohë që, faktet e krijuara thonë se çmimi i energjisë për familjarët është rritur. E pavërtetë! Çmimin e energjisë, të gjithë mund ta llogarisin në xhepin e tyre, në arkën e familjes së tyre për çdo faturë që paguajnë. Ndërkohë që “po”, është rritur për biznesin, por jo për familjarët.
E njëjta gjë për arsimin. Mund të diskutojmë sa të duam mbi bazë opinionesh të ndryshme për reformën që kemi ndërmarrë, por si mund të vëmë në diskutim faktet kuptimplota, që po japin rezultate kuptimplota! Si mund të vihet në diskutim fakti se ne po hapim rrugën për një Shqipëri me shumë më tepër punësim real, duke rikthyer arsimin profesional si një alternativë! E fakti është se kur ne nisëm të qeverisim, kishim 3 mijë nxënës në arsimin profesional, sot kemi 27 mijë njerëz të lidhur me shkollat profesionale, apo me qendrat e formimit profesional. Ky është një fakt mbi të cilin mund të kemi opinione të ndryshme. Mund të na thuhet se duhet të kishim 55 mijë, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme.
E njëjta gjë për shëndetësinë. Na thuhet se ne kemi dhënë koncesione për të pasuruar disa njerëz në kurriz të shëndetit të njerëzve, që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Ndërkohë që në fakt, ne kemi mundësuar gjëra që deri dje ishin jo të pamundura, por të paimagjinueshme; kontrolli bazë falas për qytetarët; hemodializa pranë shtëpisë për ata që për vite të tëra vuajtën torturë e tmerrshme të udhëtimeve tre herë në javë, për të ardhur në Tiranë nga të katër anët e vendit, bashkë me familjarët; instrumente mjekësore të standardeve më të lartat, ndërkohë që një nga arsyet e infeksioneve dhe e pasojave nga operacionet ishin instrumentet e vjetër; duam të mundësojmë analiza të standardeve më të larta. Të gjitha këto janë për njerëzit dhe njerëzit nuk paguajnë faktikisht asgjë. Ky është fakti!
Mund të diskutojmë dhe mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme.
I solla këto shembuj për të rinënvizuar edhe njëherë, atë që thashë në fillim dhe që ka rëndësi në këtë ditë për përmbajten e qeverisë, që sot është në anën e duhur të historisë, edhe në raport me 21 janarin.
Ka rëndësi për kujtimin e atyre që u vranë në 21 janar, që kjo qeveri nuk e përdor pushtetin kundër fëmijëve të tyre apo të gjithë fëmijëve të tjerë, sepse në 21 janar mund të ishin vrarë edhe shumë të tjerë, ndërkohë që janë plagosur plot të tjerë. Apo që kjo qeveri nuk e përdor pushtetin për t’u pasuruar, duke varfëruar ata të cilëve i’u shërben. Nëse nuk arrin t’i pasurojë, apo t’ua lehtësojë më shpejt plagët e varfërisë së thellë të trashëguar, apo të papunësisë së trashëguar, le të diskutojmë. Mund të kemi opinione të ndryshme, por si mund të debatojmë me fakte të ndryshme! Si mund t’i kthejmë opinionet e kundërta në fakte, duke krijuar një mjedis shurdhësh e qorrash që vetëm flasin!
Duke ju siguruar ju dhe të gjithë ata që protestuan në 21 janar, të gjithë ata që nuk ishin në bulevard fizikisht, por ishin në bulevard shpirtërisht, apo dhe të gjithë ata që mund të mos e kenë kuptuar ashtu siç duhet, apo mund të kenë një kuptim të tyrin, krejt tjetër, për protestën e 21 janarit, se ne jemi një qeveri e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit.
Ju siguroj se sot, dita e drejtësisë për Aleksin, për Ziverin, për Hekuranin apo për Faikun është më afër së 21 janarin e kaluar, jo sepse ka kaluar një vit dhe është më afër për shkak se jemi një vit më tepër në kërkim të drejtësisë, por sepse gjatë këtij viti që kaloi, nga 21 janari i 2016-ës në 21 janarin e 2017-ës ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme në këtë drejtim. Ka ndodhur ndryshimi i Kushtetutës; Ka ndodhur miratimi i një sërë ligjesh bazë, për t’ju treguar vendin pengmarrësve të drejtësisë në këtë vend.
Unë ju siguroj se në 21 janarin e ardhshëm do të jemi patjetër edhe shumë më pranë, sesa jemi sot dhe plot nga ata që sot i kemi përballë si mur, nesër do të kenë hapur rrugë dhe do jenë duke bërë punë të tjera, por jo punën e prokurorit dhe gjykatësit. Shpresoj që ndër ta do të ketë edhe nga ata që do të jenë në bankën e të akuzuarve, patjetër, edhe për 21 Janarin; shpresoj.
Jam besimplotë, motra e vëllezër, që drejtësia për masakrën shtetërore të 21 janarit do të vijë. Më herët sesa vonë, ju do të mund të merrni frymë lirisht, të paktën në këtë aspekt, sepse e dimë që drejtësia nuk do t’jua kthejë në jetë të shtrenjtët tuaj, por padiskutim do ta bëjë jetën tuaj më të lehtë, sepse njëherë e përgjithmonë do të pengohet rivrasja e tyre në çdo 21 janar.
Shumë faleminderit!