Llogaridhënia e qeverisë. Rama “masakrohet” nga qytetarët në Lezhë
Turi i kryeministrit për “Llogaridhënien e qeverisë” është ndalur sot në qytetin e Lezhës. Ndryshe nga qytetet e tjera, ku kryeministri ka bërë gallatë dhe u është përgjigjur pyetjeve të porositura, me banorët e Lezhës “bashkëbisedimi” i ka dalë nga kontrolli. Këtë herë ishin banorët e Lezhës ata që kanë bërë ironi therëse me kryeministrin duke e vënë në jo pak raste në pozitë të vështirë. Pyetjet që i kanë drejtuar qytetarët jo vetëm ishin të drejtpërdrejta, por edhe kanë prekur çështje konkrete që lidhen me problemet e tyre të përditshme.
Një qytetar ishte i ashpër me kryeministrin duke i thënë në sy një kritikë që i bëhet edhe vet nga socialistët nën zë kreu të qeverisë. “Ngele në televizor vetëm ti. A ke administratë?”.
Pjesë e pyetjes së qytetarit ishte dhe çështja e “tepsisë” që Edi Rama e përdori gjatë dhe pas fushatës elektorale. “U bënë 6 -7 muaj, a mund të na thoni në çfarë pjesë është kjo e tepsisë që është çuar për skrap? Se jemi dhe të painformuar, dhe të pakënaqur. E treta, bëtë mirë që kërkuat falje për rrugën e Kukësit, pyetja ime, pse këtë punë që u bë atje, që u la të shkatërrohej dhe prona, kjo administrata juaj, pse duhet të dilni vetëm ju? A keni administratë ju?”.
Një tjetër qytetar nuk hezitoi ta cilësonte fushatën për shëndetësinë si një sajesë, duke ju drejtuar kryeministri se “shëndetësia falas mund të jetë për ty, por ne të tjerët nëse nuk kemi lekë vdesin”.
Kryeministri u përgjigj se edhe ai ishte si qytetarët e tjerë, por nuk mungoi dhe përgjigja rrufe e qytetarit: “Ju jeni Zoti 2, se i pari është në qiell, për shumë njerëz…s’të ndjeva duke fol, për fshatin, bujqësinë, qumështin që e japim e s’marrim lekë fare”.
Pyetjet në takimet e kreut të qeverisë, edhe kur nuk e kërkon Edi Rama, sajohen nga krerët lokalë të PS-së. Janë deputetët dhe kryetarët e degëve të PS që orientojnë pyetjet për kreun e qeverisë, sipas shijes së partisë. Por në Lezhë kryeministri pa një tjetër realitet. Edhe pse në takim duhet të ishin të gjithë votues dhe mbështetës të PS, pakënaqësia dhe pyetjet e sikletshme ishin “masakruese” për turin e “Llogaridhënies”.
Në takimin e një jave me parë të kryeministrit mbeti emblematik servilizmi i një qytetari që i lutej kryeministri: “Mos e lësho pushtetin se është gjynaf të ikësh ti”. Ndryshe nga këto skena që arrijnë deri në servilizëm të turpshëm, sot në Lezhë, Edi Rama të paktën pa se ka qytetarë që nuk gënjehen nga propaganda e qeverisë dhe as ushqehen me fjalime dhe gallata të kryeminsitrit, por kanë shqetësime dhe probleme reale.
Pjesë nga bashkëbisedimi i Edi Ramës me qytetarët e Lezhës
Qytetari: Populli ka shumë halle
Rama: Popullin lëre se është gjë e madhe fol për vete se në emër të popullit e ke vështirë.
Qytetari: Pjese e popullit jam dhe unë.
Rama: Pse unë ca jam unë apo pjesëtar i…?
Qytetari: Ju jeni Zoti 2 se i pari është në qiell, për shumë njerez…s’të ndjeva duke fol, për fshatin, bujqësinë, qumeshtin që e japim e s’marrim lekë fare. Edhe për shendetësinë e di që s’është falas nëse është për ju, për popullion e për njerun e thjeshte është me lekë shumë bile ose vdes ai që s’ka lekë. Edhe për arsimin, për hesapin tem shkollat e mesme gjimnazet që janë në fshatra s’duhet të jenë gjimnaze, pse mos bëhen shkollat e fshatrave profesionale? Profesionistat janë në shpi e të paaftit në punë.
Të gjitha këto që fole për popullin e thjeshtë është mangut
Rama: Konkretisht?
Qytetari: Në radhë të parë, fshatari s’ka rrugë, ska punë, tokën e kanë marrë të ardhurit, ne kemi tokë sa për të mbijetuar. Këto prona që jemi pronarë s’na njeh kush. Pak kryeministra mendojnë për popullin dhe njeriun e thjeshtë.
Rama: Kjo eshte nje lloj mode qe ka arsyet e veta po une se shoh e se pranoj te me fusi njeri ne kete kellef. Nese une sdo mendoja per vendin e per popullin sdo merresha me kete pune se shume mendojne se kjo puna ime edhe qejf i madh. Kjo eshte nje pune qe e bej se mendoj per njerezit dhe besoj shume se ky vend mund te behet dhe nese behen gjerat e duhura femijet e ketij vendi neser sdo kene hallet e problemet qe kane pasur prinderit e tyre sot. Ka nje kosto qe ty sta rrok rradakja, (qytetari ia ben me shenje per parate, Rama ia kthen: Ate tregoja dikujt tjeter jo mua), ka nje kosto familjare, te madhe shpirterore, fizike dhe eshte nje pune qe ka nje peshe mjbi koke dhe mbi supe qe po nuk e provove, nuk e kupton, qe ta dish ti.
Qytetari i kërkon llogari Ramës: Pse del vetëm ti në TV, ke administratë a jo?
Rama: Pse bërtet ti shoku? Se atë (parafolësin) e sajdisa shumë se ka bërë hap të madh, nga djathtas majtas, po ti ke qenë gjithmonë majtas, s’të sajdis fare. E para ti duhet të kuptosh që kur flasin grate, burrat duhet të heshtin.
Qytetari: E para, a ka vend ne NATO që si trajton ushtarakët me status të vecante? 194 mijë lekë marr, për 35 vjet pune. E dyta, u bënë 6 -7 muaj, a mund të na thoni në çfarë pjesë është kjo e tepsise qe eshte cuar për skrap? Se jemi dhe të painformuar, dhe të pakënaqur.
Rama: Nëse ke ndonjë shqetësim konkret.
Qytetari: E kam në përgjithësi. E treta, bëtë mirë që kërkuat falje për rrugën e Kukësit, pyetja ime, pse këtë punë që u bë atje, që u la të shkatërrohej dhe prona, kjo administrata juaj, pse duhet të dilni vetëm ju? A keni administratë ju? Po se zuri vendin puna sqaruese e administratës suaj, do e zëjë opozita duke i genjyer.
Rama: E para, nëse dal unë s’do me thënë që s’dalin dhe të tjerët, por varet ca jep televizori. Të gjithë përpiqen të bëjnë punën e tyre, por jo të gjithë i jep TV.
E dyta, përgjegjësia s’ishte administrative, por ishte si u administrua ai proces dhe në fund të ditës s’jam unë nga ata që i ikin përgjegjësisë.
Më vjen natyrshëm ta marr unë pergjegjësinë. Edhe kjo fushatë, që nëse do shkosh në një takim tjetër ku s’do jem unë, mund të jetë Lindita e Pjerini, mos prit të jetë në TV.
Ne s’do e bëjmë këtë fushatë për të bërë premtime, por për të debatuar e për të thënë ca kemi bërë e për të nxjerrë secili mësimet e veta.
Sa i përket tepsisë, ka dy anë. Njëra të lehtësojmë maksimalisht ngarkesën burokratike, të ulim sa më shumë ndërveprimet mes qytetarëve dhe shtetit, më pak dokumente që kërkohen, të rrisim mundësinë për t’i marrë shërbimet përmes internetit e celularit në xhep.
Tani te njerezit, vullneti jonë, imi për ta çuar tepsinë për skrap është i plotë, por varet edhe nga ju, pra varet sa njerëzit duan të marrin pjesë në këtë proces.