Llogaritë e vogla politike meskine që fshihen pas sulmeve ndaj Ilir Metës

Nga Qamil Xhani.

 

Në fund të vizitës tre ditore të Kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta në Greqi, thelbi i debateve për takimet e delegacionit është përqendruar vetëm te Çështja Çame. Komentet politike dhe jo politike nisin që nga akuzat se përse në përbërjen e delegacionit kishte disa deputetë minoritarë si dhe deri tek ato për “shitje” të interesave të vendit. Kjo e fundit është një akuzë e njohur për çdo politikan të lartë që viziton Athinën dhe Beogradin. Indirekt besohet se kur të hapen dyert në Greqi dhe Serbi duhet patjetër, sipas kësaj kategorie akuzuesish që të keni bërë një koncesion të madh antikombëtar në favor të tyre në Tiranë! Një idiotësi e plotë e këtyre hamendësuesve. Këtyre etiketimeve absurde dhe meskine nuk u shpëtoi këtë herë as vizita e kreut të Kuvendit në Kuvend. E pakta mund të thuhet se vizita e kryeparlamentarit Meta ishte e shkëlqyer. Në mos edhe më shumë se kaq.

Po pse çfarë duhej të bënte Ilir Meta, sipas këtyre meskinëve dhe eunukëve politikë në Tiranë: Të hidhte parulla në Parlamentin grek me mbishkrimin “Rroftë Çamëria!” apo të merrte një tank e të hynte në Çamëri duke e pushtuar me Eduard Shalsin?! Jemi në kushtet e një diplomacie parlamentare, ku duhen ruajtur me kujdes raportet shtetërore pasi janë qindra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi, pa harruar edhe problemin “çam”, që u tha disa herë nga kryeparlamentari në mënyrën e tij, e cila preku plagën “çame” në Greqi, duke e ledhatuar me kujdes me diplomaci. Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryetari i Parlamentit ishte i pari pas 12 vjetësh në këtë nivel që zhvillohej në Greqi. Ministrat e jashtëm, kryeministra, liderët e opozitës kanë vizituar shpesh Athinën. Madje, kanë bërë dhe tubime partiake në shtetin helen. Megjithatë, në nivel parlamentar, mes dy vendeve ka pasur pak ose aspak komunikime dhe bashkëpunime. Për dy Republika, ku vendimet kryesore, marrëveshjet dhe paktet kalojnë në Parlament, mungesa e komunikimit në nivele të tilla kthehet shpesh herë në ngërç për vijimin e marrëdhënieve. Nga ana tjetër, vizita e Metës përfshiu takime me gjithë zyrtarët më të lartë shtetëror, Presidentin Prokopis Pavlopoulos, Kryeministrin Alexis Tsipras, ministrin e Jashtëm Nikos Koxias. Meta është i pari Kryeparlamentar shqiptar që pritet, jo vetëm nga homologu i tij, por edhe nga Presidenti dhe Kryeministri i Greqisë. Nga ana tjetër, vizita e Kryeparlamentarit nuk është fokusuar vetëm tek drejtuesit e institucioneve,  por edhe të spektri i partive politike parlamentar greke. Meta zhvilloi takime me drejtuesit e gjithë grupeve parlamentare. Përjashtim ka bërë vetëm partia “Agimi i Artë”, një forcë politike e njohur për nacionalizmin ekstrem ndaj shqiptarëve dhe emigrantëve dhe e penalizuar nga gjithë faktori ndërkombëtar. Në tryezat e takimeve me grupet parlamentare, delegacioni shqiptar nuk ka pranuar të zhvillojë takim me deputetët e kësaj force politike. Një mesazh ky që lidhet edhe me faktin se partitë nacionaliste nuk i shërbejnë marrëdhënieve mes dy vendeve. Takimet kanë vlerën e tyre dhe flasin për normalizimin e marrëdhënieve. Por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me mesazhet. E në këtë pikë, mesazhet e kreut të Kuvendit nuk munguan dhe kishin brenda tyre qëndrime të sakta për gjithë problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Por në Tiranë segmente periferike politike dhe mediatike thumbuan Ilir Metën për mostrajtimin e Çështjes Çame. E vërteta mbetet se ajo u përmend me ministrin e Jashtëm, me homologun grek, kur foli për njohjen e pronave të shtetasve shqiptarë, me Presidentin kur foli për çështjet e kaluara, por dhe në takimin e fundit me Kryeministrin Aleksi Tsipras, kur tha se, “si të gjithë fqinjët, në historinë e marrëdhënieve tona kemi disa plagë, por nuk janë këto që dominojnë marrëdhëniet tona. Ato dominohen nga interesat e përbashkët, dhe dihet që një plagë edhe kur e përkëdhel, prapë e lëndon. Por unë besoj që ne me urtësi dhe me vullnet pozitiv do t’i japim një hov të ri marrëdhënieve të gjithanshme shqiptaro-greke”.

Delegacioni shqiptar ishte në nivel parlamentar dhe pjesa më e rëndësishme lidhet me bisedën e zhvilluar me homologun, Nikolaos Voutsis. Dy janë çështjet që janë ngritur nga Ilir Meta në këtë takim. E para, heqja e Ligjit të Luftës që është vendosur në mënyrë të njëanshme nga Greqia në vitin 1940 dhe e drejta e pronave për qytetarët shqiptarë që kanë jetuar në Greqi. Çfarë të thoshte me tepër kryeparlamentari Meta? Apo të merrte një dru nga Çamëria e të rrihte deputetët grekë!

Kush e njeh Çështjen Çame e di se Ligji i Luftës është pengesa kryesore për njohjen e pronave të tyre. Pra, të dyja kërkesat e Metës kanë të bëjnë me Çamërinë. Si mund të shkohet në zgjidhjen e këtyre problemeve? Ato nuk zgjidhen me kërcënime dhe deklarata euforike siç i kërkohet Metës këto ditë në Tiranë. Ato zgjidhen me vullnet politik nga Greqia. Këtë ka kërkuar dhe Meta në takimet me drejtuesit e institucioneve greke. Në gjithë qëndrimin e kreut të Kuvendit ka një linjë politike, ku është theksuar për nevojën e dialogut dhe diskutimit mes palëve. Problemet mes dy vendeve nuk zgjidhen me “muskuj”, por me diplomaci.

Meta nuk njihet sot me Çështjen Çame dhe nuk ishte vizita e parë që ai kishte përballë grekëve, edhe për Çështjen Çame. Ai ka folur në Athinë për këtë problem atëherë kur askush nuk guxonte ta përmendte. Ka folur edhe kur Shpëtim Idrizi nuk fliste një fjalë për çamët se ishte drejtor te doganat, ka folur edhe kur ndonjë deputet çam ishte asokohe duke ngarkuar thasët me miell, kur e hapi plagën “çame” Ilir Meta në vitin 2001. Si Kryeministër është i pari që në vitet 2001 e ka hapur këtë temë zyrtarisht në shtetin grek. Më pas, si ministër i Jashtëm e ka bërë pjesë të strategjisë së diplomacisë së jashtme. Deklaratat e tij në Athinë këto ditë janë në të njëjtën linjë dhe kanë koherencë. Çështja Çame mbi të gjitha është çështje dialogu mes dy vendeve fqinj. Për ata që njohin diplomacinë kjo është rruga e vetme e zgjidhjes, në kohën kur integrimi i vendit në BE varet edhe nga Greqia. Të tjerët që kanë nisur refrenin e qëndrimeve “anti-shqiptare” dhe tradhtisë, ose ndjehen të lënë në hije nga pesha diplomatike e Metës në rajon ose bëjnë llogaritë për zgjedhjet e vitit 2017.

Suksesin e një vizite nuk e përcakton ndonjë politikan pa tru në Tiranë që as universitet nuk ka mbaruar e jo më të njoh diplomacinë dhe shtetin se si funksionon, nuk e përcakton as ndonjë parti politike,  e cila është turrur për koshin e votave për vitin 2017, ndonëse brenda kokës së tyre as që “iu rruhet” për çamët, sepse kanë marrë poste drejtorësh pa hesap dhe xhirojnë dhjetëra milionë euro nëpër kompani të ndryshme, të cilët “vdesin” për Çamërinë duke grabitur nën emrin çam.

Çamëria është çështje që nuk tradhtohet, pasi është çështje kombëtare dhe si e tillë zgjidhet me diplomaci e jo me luftë apo parulla sa për t’ju marrë votat për karriget e drejtorëve me shumicë.

SHKARKO APP