Loja me Fatmir Xhafën në PS është lojë me zjarrin për kryeministrin Rama
Fatmir Xhafa është një ndër ikonat e PS-së. Me një eksperiencë të gjatë në selinë rozë dhe në ekzekutiv ai tashmë quhet nga politikanët më me eksperiencë në PS. Por sot kanë qarkulluar lajme me burime të fshehta kryeministrore se Fatmir Xhafa mund të mos jetë më ministër i brendshëm në qeverinë e re, pasi ministri teknik i PD-së, Dritan Demiraj mund të qëndrojë akoma ministër i brendshëm, me propozim të Edi Ramës, sepse “e duan si garanci ndërkombëtarët”!
Fatmir Xhafa pas një pune titanike me Ilir Metën në realizimin e reformës në drejtësi, duke qenë se ishte kryetar i komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, si dhe nga emrat VIP në selinë socialiste, u emërua ministër i brendshëm në vend të Saimir Tahirit. Në pak javë ministri Xhafaj filloi shkarkimin dhe penalizimin e një morie zyrtarësh të policisë së shtetit, të cilët ishin implikuar ose kishin hezituar në luftën kundër trafikut të drogës. Këto veprime te Fatmir Xhafaj u përceptuan në fillim si luftë mes grupeve në PS, ku njeri grupim udhëhiqet nga Saimir Tahiri dhe tjetri grupim nga Erion Veliaj. Grupime që rrijnë të gatshëm qëkur të ikë Edi Rama nga selia e PS-së, të synojnë marrjen e kreut të PS-së. Ashtu sikurse rrinte dikur Edi Rama në PS për të marrë drejtimin kur të rrëzohej Fatos Nano. Logjikë grupazhesh! Por lufta e Fatmir Xhafajt nuk kishte asnjë lidhje me këto dy grupime në PS. Ai duke qenë edhe me përkrahje ndërkombëtare, edhe prej reformës në drejtësi, punoi në pak ditë për të ndryshuar imazhin e policisë së shtetit, sepse një pjesë e tyre ishte përzier apo kishte lidhje kriminale me trafiqet miliardadollareshe të drogës. Në pak ditë ai preu shumë koka në polici, sepse kishte informacione se kishin lidhje me trafiqet.
Fatmir Xhafaj e lëshoi mënjëherë postin e ministrit të brendshëm sapo iu kërkua për hir të një marrëveshje-pazar me 18 maj 2017, ku ranë dakort të ndajnë tepsinë e pushtetit Edi Rama me Lulzim Bashën. Ndërkohë që koha e pazarit po mbaron dhe në shtator miratohet në parlament qeveria e re e Edi Ramës, e ku Fatmir Xhafa mbetet prapë ministër i brendshëm, siç ka pohuar vetë Edi Rama, duket se dikush në PS nuk e shikon me sy të mirë rikthimin e Fatmir Xhafës në krye të ministrisë së brendshme. Ndaj filluan të hedhin në publik se “ministri teknik i PD, Dritan Demiraj do të qëndrojë ministër” ose se “ Ramës ia kërkojnë ndërkombëtarët si garanci”,etj,etj. Të gjitha këto “lajme” kanë burim një ndertesë në bulevard, ku ishte përballë çadra e lirisë së Lulzim Bashës!
Pas kësaj intrige lind edhe një pyetje konspirative: A mos është lojë djallëzore për patur një bashkëqeverisje PS-PD, por tani nën një petk gjoja “ndërkombëtar”?
Loja me Fatmir Xhafën ka rrezik të ndez fitilin e zjarrit që përherë rri i lagur me benzinë në selinë e PS-së, paçka autoritetit të fortë të Edi Ramës. PS-ja është një gjigand shumëvjeçar që rrëzon edhe degë të mëdha, kur ndizet nga brenda, ndonëse tashmë po ia zhgrryejnë palcën kurrizore historike.
Spiten Prulli