Lokal qoftesh në Parkun e Butrintit
Prej disa ditësh në brenda Parkut Kombëtar të Butrintit kanë nisur punimet për ndërtimin e një ambienti biznesi. Punimet me makineri të rënda dhe beton po kryehen në një zonë të mbrojtur nga ligjet e shtetit shqiptar, por edhe nga UNESCO (Organizata Botërore për Shkencën dhe Kulturën). Parku i Butrintit konsiderohet nga vlerat botërore të turizmit dhe shteti shqiptar llogarit rreth 1 milionë dollarë të ardhura në vit nga turizmi në këtë zonë. Është ndër të paktat parqe shqiptare që gjendet në guidat turistike botërore. Si i tillë, parku arkeologjik është i një rëndësie të veçante dhe ruajta e vlerave të tij sanksionohet nga ligjet e vendit.
Por çfarë ka ndodhur në Butrint? Në mënyrë të beftë një biznes ka marrë leje për ndërtimin e një kompleksi multifunksional, pra që do të thotë se brenda parkut do të ketë lokale dhe biznese të tjera shërbimi. Detajet e ndërtimit nuk janë publikuar në media, por makineritë dhe betoni që po hidhet në ambientet e Parkut lë të kuptohet se objekti i ri që po ngrihet nuk ka asnjë lidhje me qëllimin e Parkut. Në media flitet për një kompani që prodhon sallam, e cila po kryen investimin. Ndërkohë, Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë projekt. Sot ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro do të jetë e pranishme në Komisionin e Kulturës për të dhënë sqarime para deputetëve.
Cilado qofshin përgjigjet e ministres së kulturës ndodhemi para faktit të kryer se punimet po vazhdojnë edhe sot. Parku është i mbrojtur si pasuri botërore nga UNESCO, gjë që do të thotë se kujdesi i qeverisë shqiptare duhet të ishte maksimal në menaxhimin dhe ruajtjen e vlerave të tij. Në rast ndërhyrje në territorin e përcaktuar, autoritetet shqiptare duhet të marrin më parë leje për ndërhyrjen, pikërisht në institucione të organizatës ndërkombëtare. Por në rastin në fjalë kjo gjë nuk ka ndodhur. Përfaqësues të UNESCO kanë deklaruar për televizionin “Report TV”, se janë venë në dijeni për punimet vetëm gjatë ditës së martë. Ndërkohë që ndërtimet kanë nisur në fund të muajit shtator. Përveç mungesës së dokumentacionit ligjor, ndërhyrja në këtë Park është një dëm i pariparueshëm që bëhet ndaj trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Ekspertë dhe arkeologë të njohur në vend kanë venë alarmin për masakrën që po ndodh në Butrint. Arkeologu dhe politikani i njohur, Neritan Ceka deklaron se kemi të bëjmë me një rast korrupsioni të mirëfilltë. Sipas tij, për interesa të bizneseve po dëmtohet një pasuri botërore. Ai përmendi se po ndërtohet lokal qoftesh. Për situatën e degradimit në një nga parqet që pret në vit 200 mijë turistë është vënë në dijeni dhe Kryeministri Edi Rama. Deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim, përkundrazi punimet me llaç dhe beton kanë vijuar me intensitet më të lartë duke mos lejuar dhe hyrjen e mediave për ta dokumentuar.
Ngjarja në fjalë është alarmante, pasi tregon për sjellje me dy standarde. Nëse policia ndërtimore arreston qytetarët pse ndërrojnë pllakat e tualeti në shtëpi, në Butrint po ngrihet një kompleks biznesi, pa pyetur fare për ligjin. Edhe pse projekti ka një leje nga institucionet e Ministrisë së Kulturës, leja nuk është bërë publike dhe institucionet e tjera nuk japin asnjë përgjigje mbi çfarë baze ligjore lejohet betoni në park arkeologjik. Mediat, arkeologë, ekspertë ligjorë dhe ekspertë të territorit kanë 15 ditë që thonë se po bëhet krim i pafalshëm në Butrint dhe Qeveria që reagon edhe për dhunën ndaj kafshëve, nuk ka një qëndrim zyrtar.
Ajo që po ndodh në Butrint, me apo pa leje, rrezikon të shkatërrojë turizmin, por edhe të hap një seri gjyqesh. Ka një rast konkret të ngjashëm që vlen për të parashikuar atë që do të ndodh. Vite më parë, në Kalanë e Lezhës u lejua investimi i një biznesi me qëllime turistike. Sot pas gati 10 vitesh shteti dhe përfaqësuesit e biznesit vazhdojnë të jenë në gjyqe pa fund. Vetë Ministrja Kombaro u ankua një vit më parë për këtë rast duke e cilësuar si skandaloz, pasi privati merrte të drejta ekskluzive për një vend me rëndësi historike si Kalaja e Lezhës. Sot ministrja që me të drejtë ankohej për rastin e Lezhës, si të paprecedentë, lejon të bëhet e njëjta gjë në Butrint.
Në këtë histori që ka përfshirë opinionin publik bie në sy dhe heshtja e Kryeministrit, Edi Rama. I kudondodhur me komentet e tij në Facebook, këtë herë Kryeministrit ka zgjedhur të mos flasë duke shtuar më shumë dyshimet mbi projektin. Nëse do Rama reagon jo vetëm në Facebook, por edhe fadromat e pushtetit.
Butrinti ka një histori mbi 3 mijë vjeçare të dokumentuar. I ka rezistuar kohës dhe pushtimeve të ndryshme. Është krim që një pasuri e tillë të masakrohet vetëm për disa lekë më shumë në xhepat e biznesit. Fatkeqësia më e madhe është se e gjithë kjo masakër po bëhet me leje dhe miratimin e vet institucioneve.