LSI i përgjigjet Ruçit: Precedentët me grupet e gardistëve të kuq, shenjë alarmi
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka një përgjigje për kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i cili dje paralajmëroi shkarkimin e Metës si President, nëse sipas tij nuk ndal shantazhet.
“Zoti Meta është zgjedhur në mënyrë legjitime. Ai deklaroi nuk do të dekretoj asnjë kryeministër që del nga zgjedhje të vjedhura e të manipuluara. Çfarë problemi ka zoti Ruçi me këtë përcaktim që është në mbrojtje të legjitimitetit. Nëse ka ndonjë skenar për të nxjerrë kryeministër me zgjedhje të manipuluara ky është problem tjetër. Jam i bindur se nuk do të reagojë vetëm Meta por të gjithë qytetarët shqiptarë”,- shprehet Luan Rama.
Nënkryetari i LSI-së i cilëson si alarmante hakmarrjet politike dhe precedentët me grupet e gardistëve të kuq. Ai shprehet se lojërat me gestapo janë model i shëmtuar politikës shqiptare.
“Precendentët para zgjedhore me këto grupet e gardistëve të kuq është shenjë alarmi, prandaj apeloj ti lënë lojërat e instrumentalizimit politik të strukturave të shtetit për tu hakmarrë politikisht. Lojërat për të trembur, shantazhuar janë të turpshme dhe janë modeli më i shëmtuar i sjelljes së gestapos apo dhe qoftë sjellja e këtyre gardistëve të kuq. Askush të mos trembet nëse Meta deklaron se nuk do të dekretojë askënd që del nga zgjedhje të vjedhura”,- shprehet Luan Rama.
Kreu i Kuvendit dhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta deklaroi pak ditë më parë se, në cilësinë e Presidentit të Republikës nuk do të dekretonte asnjë qeveri që ka dalë nga votat të vjedhura.
Meta i referohet standardeve demokratike të procesit zgjedhor. Ndërkohë që gjatë fushatës elektorale janë vënë re disa parregullsi serioze. Së pari, LSI ka denoncuar sjelljen e task-forcës për administratën si të jashtëligjshme. Kjo pasi task-forca ka shkarkuar dhe kaluar për ndjekje penale dhjetëra nëpunës dhe drejtorë të administratës me argumente të pabazuara në ligj, vetëm se kanë marrë pjesë në fushatë elektorale. Kjo task forca që ka brenda saj vetëm anëtarë të PS dhe PD po përdoret politikisht vetëm për të goditur zyrtarët e LSI.
Së dyti, LSI ka denoncuar segmente të Policisë së Shtetit si të përfshira në veprimtari politike me qëllim dëmtimin e kandidatëve dhe aktivistëve të kësaj partie.
Ndërkohë që lista e parrgullsieve të procesit është shtuar dhe me vendimin e KQZ që i hoqi në mënyrë të paprecedentë numëruesin LSI. Të gjitha këto ankesa dhe parregullsi kanë bërë që LSI të kërkon më shumë përgjegjshmëri nga PS dhe PD për standardet e procesit zgjedhor.
Konferenca e plotë për shtyp e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama
Nëpërmjet kësaj konference për shtyp dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë qytetarët shqiptar që me gjithë seriozitet, me përkushtim dhe me qytetari iu përgjigjën ftesës tonë për të marrë pjesë dje në mitingun madhështor që zhvilloi Lëvizja Socialiste për Integrim, duke dëshmuar kështu edhe publikisht mbështetjen, përkrahjen dhe solidaritetin me LSI.
Natyrisht kjo është padyshim edhe si rrjedhojë e një raporti shumë korrekt komunikimi që ne kemi me të gjithë qytetarët. Natyrisht me anëtarët, simpatizantët, mbështetësit tanë të shumtë në të gjithë Shqipërinë, por edhe me pjesën tjetër të qytetarëve të cilët shohin tek LSI një alternativë reale, një ofertë reale të ndryshimit të qasjes dhe të sjelljes së qeverisjes ndaj tyre, por shohin edhe një program real që ka në fokus uljen e taksave, shtimin e vendeve të punës , krijimin e kushteve për një arsim të kualifikuar, cilësor dhe dinjitoz që të rinjtë shqiptar të gjejnë punë dhe të ndjejnë kënaqësinë e të qëndruarit në vendin e tyre, për t’i shërbyer vendit të tyre.
Në këto 9 ditë që kanë mbetur deri në zgjedhje, unë kam një apel të veçantë për të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit, votuesit dhe qytetarët shqiptar të vazhdojnë punën të fokusuar tek alternativa jonë, tek programet tona reale të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të mos bien pre e provokimeve e kulisave apo insinuatave që mund të krijohen për shkak të depresionit të madh dhe të dëshpërimit të madh, në të cilin gjenden rivalët dhe konkurrentët tanë.
LSI është një forcë e madhe politike. Është një forcë e madhe qytetare . Është një forcë që rritet në çdo sekondë dhe ditë pas dite për të shkuar e vendosur tek triumfi madhështor në zgjedhjet e 25 qershorit.
Ndërkaq gjej rastin të falënderoj gjithashtu për korrektesën në shërbim dhe për lehtësitë që na u krijuan për të administruar atë masë të madhe qytetarësh nga ana e strukturave të Policisë së Tiranës dhe në mënyrë të veçantë dua ta falënderoj për angazhimin e drejtpërdrejtë edhe vetë Ministrin e Brendshëm.
Për fat të keq menjëherë pas atij mitingu madhështor të zhvilluar dje, sot është ridimensionuar gjuetia e shtrigave përmes grupeve të kontrollit të ashtuquajtura, por që në fakt janë grupe të ngjashme me gardistët e kuq që shkojnë nëpër institucione me fotografi nëpër duar për të larguar nga puna qytetarët të lirë dhe punonjës dinjitoz të administratës vetëm e vetëm, sepse kanë qenë të pranishëm dje në mitingun e LSI.
Kjo është një shfaqje tjetër e shëmtuar dhe e turpshme e frikës, e panikut dhe e gjithçkaje negative që ka përfshirë kampin e rilindjes, por ndërkaq kjo as na tremb, as na frikëson përkundrazi na bënë më të fortë dhe unë kam një mesazh për të gjithë ata punonjës që në mënyrë të kundra ligjshme dhe vetëm për hakmarrje politike janë larguar, janë në proces apo do të largohen nga puna të mos kenë asnjë merak sepse me 26 qershor të gjithë do të kthehen në vendet e tyre të punës në respekt të ligjit dhe të të drejtës së tyre si qytetarë të lirë në Republikën e Shqipërisë.
Pyetje nga gazetarët: A keni një përgjigje për atë që tha një ditë më parë z. Gramoz Ruci, lidhur me atë çfarë deklaroi ish-Kryetari i LSI-së apo Presidenti i zgjedhur z. Meta për mosdekretimin e zgjedhjeve. Ndërkohë që nga z. Ruçi u tha se edhe mund të shkarkohet. A ka një koment LSI për këtë?
Atëherë me lejoni ta ritheksoj atë që ka theksuar z. Meta në cilësinë e Presidentit të zgjedhur të Republikës së Shqipërisë të një Presidenti të zgjedhur ën mënyrë legjitime nga një kuvend legjitim siç është Kuvendi i republikës së Shqipërisë.
Meta ka thënë shprehimisht: Nuk do të dekretoj asnjë Kryeministër dhe asnjë ministër që del nga zgjedhje të vjedhura, e theksoj asnjë Kryeministër dhe asnjë Ministër që del nga zgjedhje të vjedhura, të manipuluara, etj. Prandaj unë nuk e kuptoj çfarë problemi ka z. Ruçi me këtë përcaktim që në fakt është në mbrojtje të legjitimitetit dhe të standardit të zgjedhjeve.
Nëse ka ndonjë skenar për të nxjerrë Kryeministër me zgjedhje të vjedhura apo të manipuluara ky pastaj është një problem tjetër ndaj të cilit natyrisht jam i bindur nuk do të reagojnë vetëm z. Meta në cilësinë e Presidentit të zgjedhur të Republikës, por do të reagojnë të parët qytetarët shqiptarë sepse ka ikur një herë e mirë koha e zgjedhjeve nën presion në frikë në kërcënim apo në hakmarrje politike dhe Shqipëria duhet më në fund pas 27 vitesh demokraci dhe pluralizëm të dëshmojë pjekuri, maturi dhe seriozitet për të realizuar zgjedhje korrekte të ndershme të lira dhe të barabarta.
Precedentët parazgjedhorë, domethënë ajo çfarë po ndodh paraprakisht me këto grupet e gardistëve të kuq është një shenjë alarmi dhe prandaj unë edhe një herë apeloj që t’i lëmë lojërat e instrumentalizimit politik të strukturave të shtetit për t’u hakmarrë politikisht për të persekutuar politikisht apo për të larguar nga puna politikisht qytetarë të lirë të këtij vendi të cilët kanë në themel të të gjitha garancive kushtetuese edhe të drejtën dhe lirinë pë të zgjedhur bindjet e tyre, pikëpamjet e tyre politike dhe natyrisht për t’i shprehur ato në respekt të ligjit.
Nëse ka raste që ndonjë individ vepron në kundërshtim me ligjin apo me gjithçka të krijuar në mënyrë legjitime si kod të respekt të detyrimit dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave pavarësisht mënyrë se si është marrë ai vendim, atëherë ne jemi për të zbatuar ligjin dhe për të ndëshkuar cilindo që vepron në kundërshtim me ligjin. Por lojërat për të trembur për të shantazhuar janë lojëra të turpshme dhe janë modeli më i shëmtuar i sjelljes së gestapos apo i propagandës së Gebelsit po të doni ju apo edhe qoftë sjellja e këtyre gardistëve të kuq.
Edhe një herë dua të theksoj, askush të mos trembet nëse z. meta deklaron që nuk do të dekretojë askënd pra asnjë Kryeministër apo ministër që del nga zgjedhje të vjedhura. Kjo është thënë shqip, qartë saktë, e keni edhe ju në rekordet tuaja, rikthejeni, ricitojeni dhe pastaj le ta shohim se çfarë ndjen z. Ruçi apo cilido tjetër përballë këtij deklarimi që ka qenë i hapur dhe në sytë e të gjithëve.
Rama, kush do ta përcaktojë nëse zgjedhjet janë vjedhur ose jo dhe ]farë nënkuptoni kur thoni që do të reagojmë?
Ka standarde të përcaktuara nga OSBE-ODIHR, janë standarde ndërkombëtare dhe natyrisht qytetarët shqiptarë që janë pjesë e gjithë kësaj hapësire globale dinë, lexojnë, kuptojnë, ndjejnë kanë edhe detyrimin të kontribuojnë për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Çdo sjellje ndryshe e këtyre standardeve është padyshim kontaminim i zgjedhjeve dhe do të mbajë përgjegjësi cilido që do të tentojë apo do të përgjigjet për të realizuar zgjedhje të ndryshme nga standardet ndërkombëtare, e para.
E dyta, nëse ka një vullnet të artikuluar le të dëshmojnë edhe një vullnet real të veprimit praktik e të heqin dorë nga e gjithë kjo situatë absurde e pushimit dhe e largimit pa të drejtë të qytetarëve nga puna, e punonjësve të administratës publike, sepse është një administratë e krijuar me shumë mund, me shumë përkushtim dhe edhe me shumë kontribute të taksapaguesve evropianë, të cilët presin që kjo administratë të jetë njësoj korrekte në zbatimin e ligjit siç është administrata në çdo vend të BE, nëse jemi në fokusin e detyrimeve që duhet të përmbushë Shqipëria në kuadër të këtij procesi. Kryeministria, qeveria dhe kryetari i Rilindjes është mburrur, dhe jo pa të drejtë, për krijimin e një administrate korrekte, dinjitoze dhe në përputhje me ligjin e shërbimit civil.
Çfarë po ndodh? Ose është gënjyer atëherë dhe duhet t’i kërkojmë ndjesë BE-së që e kanë gënjyer për shkak të kësaj situate ose po veprojnë sot në kundërshtim me ligjin dhe për këtë gjë duhet t’i kërkojnë ndjesë qytetarëve shqiptare dhe duhet të kthejnë sot dinjitetin dhe integritetin e çdo punonjësi pavarësisht hierarkisë që ai ndodhet në administratën publike. Kjo është e prerë dhe ky është qëndrimi që ka LSI sot për këtë problem.