LSI, Kejdi Mehmetaj: Shkarkimet janë shantazh ndaj administratës publike

Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes nënkryetares Kejdi Mehmetaj ka komentuar shkarkimet e zyrtarëve të administratës publike.

Në një konferencë për mediat, Mehmetaj se këto masa represive dhe pa asnjë bazë ligjore në administratë janë pjesë e marrëveshjes së pisët. “Është një skenar i njohur për ne dhe s’mund të prisnim gjë tjetër nga marrëveshja e errësirës, që duan vetëm të sulmojnë LSI-në”, ka deklaruar Mehmetaj.

Me marrëveshje të errësirës Mehmetaj i referohet pakti mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës me 18 maj, i cili u bë pa asnjë transparencë dhe publiku nuk është njohur me asnjë detaj të këtij pazari.

Duke denoncuar këtë hakmarrje ndaj funksionarëve publikë të LSI, Mehmetaj tha se punonjësit e administratës nuk duhet të ndjehen nën presion. “Sulmi primitiv dhe kanosja me vendin e punës janë pasojat e asaj marrëveshjeje të errësirës. Ju bëj thirrje punonjësve të administratës të mos ndihen të frikësuar, sepse koha e sulmeve politike ka mbaruar përgjithmonë”, ka shtuar Mehmetaj.

Vetëm gjatë ditëve të fundit, Ministrat “teknikë” të PD me miratimin e ministrave të PS kanë larguat nga detyra disa zyrtarë të lartë të administratës. Në asnjë rast nuk janë dhënë argumente bindëse se përse janë marrë këto vendime. Mbi të gjitha nuk ka asnjë provë të qartë të pretendimeve të ministrave teknikë për përfshirje të zyrtarëve në fushatë.

Ajo që bën dhe më shumë përshtypje është fakti se shkarkimet e drejtorëve të administratës njoftohen më parë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike dhe vetëm disa orë më vonë vjen konfirmimi nga Ministrat “Teknikë”. E gjitha kjo skemë krijon bindjen se nuk ka asnjë shkelje ligjore nga administrata, por vetëm shpërdorim të rëndë ligjore nga Ministrat “Teknikë” dhe ministrat e PS-së.

Siç edhe duket kjo metodë e pisët e largimi i administratës është pjesë e marrëveshjes mes PS dhe PD.

Deklarata për shtyp e Nënkryetares së LSI-së, Kejdi Mehmetaj

Jam këtu për t’ju bërë me dije se Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë kallëzim për fillimin e ndjekjes penale për shpërdorim detyre të ministrave: Milva Ekonomi, Gazmend Bardhi, Xhuljeta Kërtusha, dhe Zëvendëskryeministres Ledina Mandija, në cilësinë e kryetares së Task-Forcës së ngritur nga qeveria, që në shkelje flagrante të ligjit, në mënyrë arbitrare dhe në mungesë të plotë të transparencës, kanë nisur një fushatë hakmarrjeje dhe shantazhi ndaj punonjësve të nivele të ndryshme në administratën publike.

Pikërisht për ta shpërdoruar Task-Forcën për hakmarrje politike, nuk është përfshirë në të asnjë prej ministrave që vijnë nga radhët LSI-së.

Është një skenar i njohur për ne, e natyrisht që nuk prisnim gjë tjetër prej marrëveshjes së errësirës, e cila në vend të standardit të zgjedhjeve, me sa duket e ka hallin të hakmerret ndaj LSI-në.

Duke theksuar se për LSI-në është i rëndësishëm zbatimi i ligjit, ne denoncojmë publikisht fushatën e hakmarrjes dhe të kërcënimit politik ndaj

njerëzve të administratës publike, të cilët më 26 qershor do të kthehen të gjithë në vendet e tyre të punës njësoj siç ndodhi me të gjithë ata që Lulzim Basha i largoi padrejtësisht nga puna para zgjedhjeve të vitit 2013 dhe që pas fitores së LSI-së u rikthyen të gjithë vendet e tyre të punës.

Hakmarrja primitive revanshizmi politik dhe kanosja me vendin e punës janë modeli më i shëmtuar që prodhoi marrëveshja e errësirës, perversiteti i së cilës po shfaqet përmes largimit të paligjshëm nga puna të shumë specialistëve e profesionistëve të përkushtuar.

Në emër të LSI-së ju bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës të larguar padrejtësisht nga puna, por edhe shumë të tjerëve që janë përfshirë në listat e zeza të marrëveshjes së errësirës, që të mos ndihen të frikësuar, sepse koha e hakmarrjes shtetërore për shkak të bindjes politike apo shprehjes së lirë të mendimit ka perënduar një herë e përgjithmonë.

Oligarkia që është në grahmat e saj të fundit nuk mund t’i trembë dhe as t’i frikësojë qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë kuptuar përfundimisht që përballë të keqes së tyre kanë vetëm një shans, votën për LSI-në, forcë të parë më 26 qershor. Asgjë nuk e ndalon fitoren e LSI-së, sepse ajo është partia e të rinjve dhe jo partia e oligarkisë. Faleminderit!

SHKARKO APP