LSI, miting madhështor (Foto)

-Ilir Meta para 100 mijë pjesëmarrësve: “Aq mandate sa mori LSI në 2013, aq mandate do t’i marrë vetëm në Tiranë më 25 qershor”.

-“LSI bllokoi në Parlament importin e plehrave të rrezikshme radioaktive që donte kryeministri, kurse sondazhet e Rilindjes  janë si palmat e thara të Edi Ramës”.

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi dje në Tiranë një nga mitingjet më madhështore të forcave politike që janë zhvilluar ndonjëherë në atë shesh, bile analistët e pranishëm tregonin se vetëm kur erdhi Papa Francesku kishte kaq shumë njërëz. Radha me njërëz shkonte deri te fillimi i hotel Rogner.

 Në sheshin “Nënë Tereza” dje LSI-ja sfidoi hapur dy partitë PS dhe PD që ende e quajnë veten forca kryesore politike. Pjesëmarrja e madhe në shesh, pavarësisht debateve për numrat që shoqërojnë çdo miting, ketë herë nuk lë vend për koment. LSI-ja arriti të mbushë plotë sheshin kryesor në Tiranë, deri te hotel Rogner, ku PS dhe PD e kanë problem organizimin e mitingjeve kaq masive. Kujtojmë se prej kohësh, Rama dhe Basha kanë hequr dorë nga mitingjet masive. Dje LSI-ja, arriti të thyej një tabu duke zhvilluar një miting spektakolar me pjesëmarrje masive.

 Pas këtij mitingu analizat politike ndryshojnë. Së pari, drejtuesit e LSI-së nuk flasin me retorikë politike kur thonë se do të marrin rezultat spektakolar në zgjedhjet e 25 qershorit. Kreu i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi dje se LSI-ja do të jetë forcë e parë politike. Ai shtoi se garancia për këtë rezultat është pjesëmarrja masive. Ajo ç’ka ishte dhe më rëndësishme lidhet me faktin se në takim binte në sy prania e madhe e të rinjve, gjë që ka vite që nuk shihet të partitë e tjera politike. U tregua se LSI forcën e ka te rinia.

Rëndësia e dytë e mitingut të djeshëm të LSI-së lidhet me sondazhet dhe “përpunimin” që i bëhet opinionit me shifra të dyshimta dhe të blera nga kryeministria. Realisht ka një diferencë të madhe mes statistikave të “sondazheve” dhe pranisë reale që ka LSI në jetën politike të vendit. Hartuesit e sondazheve para se t’u besojnë telefonatave apo ti ndryshojnë shifrat në kryeministri, duhet të shohin dhe mitingjet e partive. Ka një mospërputhje të frikshme dhe korruptive mes realitetit politik në terren dhe pasqyrimit mediatik të disa sondazheve. Në sheshin “Nënë Tereza”, LSI faktoi se nuk ambiciet e saj për këto zgjedhje nuk janë propagandë, por bazohen në numrat e njërëzve përreth saj. Kreu i Kuvendit dhe ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta ironizoi gjithë sondazhet e javëve të fundit për LSI-në. Ai i krahasoi sondazhet me palmat e shtrenjta që ka mbjellë Rilindja në autostradën Tiranë-Durrës, të cilat edhe pse kushtuan miliona euro sot nuk kanë asnjë vlerë praktike dhe as estetike, pasi janë tharë.

“Sondazhet e rilindjes janë si palmat e rilindjes. Janë të shtrenjta, por janë të pashpresa siç janë tharë palmat e thara të Rilindjes në autostradën Tiranë-Durrës”,- tha Meta. Kreu i Kuvendit foli dhe me shifra për rezultatin e pritshëm më 25 qershorit. Ai tha se “aq mandate sa mori LSI në 2013, aq mandate do t’i marrë vetëm në Tiranë më 25 qershor”.

Në një fjalim të ashpër kundër Edi Ramës, Ilir Meta vendosi një vijë të qartë ndarëse mes socialistëve dhe Rilindjes. Ai tha se problem i vendit nuk është e majta, por Rilindja që ka uzurpuar gjithë pushtetin duke keqqeverisur vendin. Meta e krahasoi Rilindjen me sëmundjen e Ebolës e cila po shkatërroi vendet në Afrikë. “Ne nuk duam që ky vend të braktiset, pasi çdo fëmijë që ikën nga Shqipëria lë një brengë në familje. LSI do jetë forcë e parë pasi ne nuk mund të jemi rrotë më rrotë me Sierra Leonen. Mirë në Sierra Leone ka pasur luftë cilivile, dhe ka një sëmundje që quhet Ebola, po këtu ça ka? Ne kemi një sëmundje të tmerrshme të vlerave më të mira shoqërore, Ebola jonë quhet Rilindje. Viktima e parë e kësaj Ebole ka qenë PS-ja, një parti me vlera të shkëlqyera që nuk ekziston më. Pasi është partia e Rilindjes që e ka zëvendësuar atë”, deklaroi Meta.

Kreu i Kuvendit ka komentuar dhe qëndrimet e Ramës kundër LSI-së. Ai tha se LSI-ja deri dje cilësohej nga Rama si partner strategjik, ndërsa sot si problem kritik. “Unë si Ilir Meta mbaj përgjegjësi për qeverisjen e LSI-së dhe jam gati të përballem në debat televiziv me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, në televizion dhe me gazetarët e tij”,- tha Ilir Meta.

Duke folur për reformat, Meta tha se LSI-së ka pasur qëndrim të qartë për reformën në drejtësi dhe integrimin e vendit. Ndërkohë që ka penguar Edi Ramën të miratojë reforma të dëmshme dhe ligje të diskutueshme. “Ishte LSI bllokoi në Parlament importin e plehrave të rrezikshme radioaktive që donte Edi Rama”,- tha Ilir Meta.

Dje LSI tregoi me forcën e numrit të pjesëmarrësve se është forcë serioze për vendin e parë. Beteja vazhdon. Edhe nentë ditë mbeten, ku LSI, PS dhe PD luftojnë dhëmbë për dhëmbë me njera tjetrën, ndonëse PD-ja nuk po sulmon Edi Ramën.

Qamil Xhani

SHKARKO APP