LSI përjashton nga grupi dy këshilltarët që votuan rritjen e çmimit të ujit

LSI përjashton nga grupi dy këshilltarët, Genta Mezini dhe Agim Kraja, që votuan rritjen e çmimit të ujit në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Vendimi i Grupit të këshilltarëve te LSI-së u mor sot në një mbledhje urgjente, pas thyerjes së vendimit politik të dy këshilltarëve.

Në një deklaratë zyrtare, LSI shprehet se ky përjashtim është një distancim ndaj qëndrimit korruptiv të dy këshilltarëve.

Distancohemi qartë dhe prerë nga qëndrimi korruptiv i këshilltarëve Mezini dhe Kraja. Votimi i Genta Mezinit dhe Agim Krajës është në kundërshtim me vendimin politik të LSI”,- thuhet në reagimin për mediat.

Gjithashtu, grupi i LSI shprehet se Genta Mezini dhe Agim Kraja nuk përfaqësojnë LSI. Realisht “me letra” këshilltarët figuronin nën siglën. Por nëse ndjek karrierën personale Agim Krajës dhe mënyrën sesi është emëruar dje Genta Mezini në këshill, vetëm pak minuta para vendimit për ujin, rezulton votimi i tyre ka qenë personal dhe jashtë qëndrimi politik të LSI.

Këshilltarët e LSI-së në bashkinë e Tiranës deklaruan dje para nisjes së mbledhjes se nuk votonin projektin e rritjes së çmimit të ujit, pa u plotësuar disa kushte që lidheshin me mbrojtjen e shtresave në nevojë. Pas këtij qëndrimi, LSI bojkotoi mbledhjen duke synuar dhe mos krijimin e kuorimit të nevojshëm për vendimmarrje në Bashkinë e Tiranës. Por në nisje të mbledhjes ishin të pranishëm këshilltarët e PD-së, të cilët edhe pse më vonë u larguan i shërbyen Këshillit për të zyrtarizuar vendimet pas krijimit të kuorumit në nisje të seancës.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes në mënyrë individuale, pa miratimin e LSI, morën pjesë dy këshilltarët që në letra figurojnë si të LSI, Genta Mezini dhe Agim Kraja.

Akil Kraja është një këshilltar i LSI-së që më parë ka qenë me LZHK dhe disa parti të tjera në këshillin bashkiak. Praktikisht është një këshilltar që ka provuar të gjitha partitë politike dhe ka marrë vendime të ngjashme edhe më parë. Ndërsa Genta Mezini është një këshilltare e re që vetëm dje mori mandatin, pas zëvendësimit të disa mandateve nga LSI, për shkak se anëtarët janë zgjedhur deputetë. Procedura e zgjedhjes së Mezinit dje si këshilltare është e paqartë dhe nga ana ligjore. Në listën emërore të LSI-së ka pasur disa emra të tjerë që duhet të ishin zgjedhur në vend të saj.

Procedura e zgjedhjes së saj është bërë në mënyrë urgjente vetëm pak minuta para votimit dhe nuk ka pasur asnjë konsultim. Kjo vendimmarrje të bën të dyshosh për interesa personale të dy këshilltarëve.

Deklarata e plotë e koordinatores së Grupit të Këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Eriona Bixha 

Grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës me përgjegjësinë e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesit të qytetarëve, me angazhimin për të garantuar transparencën maksimale të të gjithë procesit të vendimmarrjes në këshillin bashkiak, me vendosmëri për të mos lejuar askënd që të përdorë atributet e përfaqësimit politik dhe publik në mënyrë të trafikuar dhe në dëm të bashkëpunimit institucional, në koherencë të plotë me qëndrimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vendosi:

– Të përjashtojë nga grupi i këshilltarëve të LSI-së, Genta Mezinin dhe Agim Krajën për veprim në kundërshtim me statutin, me programin dhe vendimin e forumeve drejtuese të LSI-së.

– Qëndrimi dhe votimi i tyre në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës të datës 26 korrik 2017 ka qenë tërësisht individual dhe i shtyrë prej interesave korruptive, dhe nuk ka të bëjë aspak me qëndrimin parimor për bashkëpunim institucional, transparent dhe në shërbim të qytetarëve të shpallur dhe ofruar me shumë seriozitet nga grupi i këshilltarëve të LSI-së.

– Grupi i këshilltarëve të LSI-së, duke u distancuar qartë dhe prerë nga qëndrimi korruptiv i këshilltarëve, Genta Mezini dhe Agim Kraja u propozon forumeve drejtuese të LSI-së të Bashkisë së Tiranës, që në zbatim të statutit të partisë të përshkallëzojnë masat ndëshkuese ndaj këtyre dy individëve, që më papërgjegjshmërinë e tyre qytetare dhe amoralitetin politik keqpërdorën atributet përfaqësuese të LSI-së, duke trafikuar votën dhe shitur dinjitetin në dëm të interesit të qytetarëve, duke u bërë vegël në duart e atyre që zgjodhën të zëvendësojnë bashkëpunimin transparent e institucional me bashkëpunimin korruptiv individual.

Duke e konsideruar opozitën mision në shërbim të vendit dhe demokracisë, duke e vlerësuar atë si çështje morali dhe jo pazar numrash, grupi i këshilltarëve të LSI-së garanton qytetarët e Tiranës se shërbimi ndaj tyre ka qenë dhe do të mbetet detyrimi ynë madhor e i pandryshuar.

SHKARKO APP