LSI: Skandal, Ministria e Drejtësisë do administrojë zyrat e Kolegjit të Vetingut!

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka denoncuar sot një vendim të Këshillit të Ministrave që i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë për të ndërhyrë në punën e institucioneve të reja që do të kryejnë vetingun.

“As më shumë e as më pak kemi të bëjmë me një akt tjetër të cënimit të pavarësisë funksionale te Komisionit të Posaçëm të Apelimit, i cili është institucion kushtetues, me të njejtin status që kanë të gjitha institucionet kushtetuese. Madje ligji shprehet qartë duke e barazuar statusin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit me Gjykatën Kushtetuese!”,- shprehet Luan Rama. Zv/Kryetari i LSI-së deklaron se një akt i tillë duhet anuluar sa më parë.

Deklarata e Luan Ramës në Facebook:

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, institucioni kushtetues i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pasi është lënë bashkë me institucionet e tjera të vetingut tre muaj pa marrë pagat, pasi maxhoranca e komisionit të ligjeve në Kuvend i gjymtoi edhe struktura e propozuar, ç’ka nëse do të votohet edhe nga Kuvendi do të bëjë të pamundur përmbushjen e misionit për të cilin është krijuar, edhe zyrat do t’i ketë nën administrimin e ministrisë së drejtësisë!

As më shumë e as më pak kemi të bëjmë me një akt tjetër të cënimit të pavarësisë funksionale te Komisionit të Posaçëm të Apelimit, i cili është institucion kushtetues, me të njejtin status që kanë të gjitha institucionet kushtetuese. Madje ligji shprehet qartë duke e barazuar statusin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit me Gjykatën Kushtetuese!

Atëhere ç’punë ka ministria e drejtësisë me zyrat e Komisionit të Posaçëm të Apelimit? Përse duhet t’i administrojë ajo?!

Arsyeja është e qartë: gjithë investimet, përfshirë edhe sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve të Kolegjit dhe sistemin e sigurisë, përveç se do ti realizojë ministria, ajo, pra ministria, do të ketë edhe kontratën e shërbimit të mirëmbajtjes së tyre!

Procedura e investimeve është njëri problem, madje më pak i rëndësishmi! Problemi më i madh është aksesi në sistem!

Disa muaj më parë, ministrisë së drejtësisë ju hoq me ligj aksesi në sistemin e çështjeve që shqyrtohen në gjykatat e vendit, ndërkohë që me një VKM i jepet ekskluziviteti i administrimit të zyrave të Kolegjit të Apelimit, përfshirë edhe aksesi në sistem! Sepse operatori, marrëdhënien do ta ketë me ministrinë e drejtësisë!

Pra, nga çdo pikëpamje që ta gjykosh, VKM është një akt skandaloz i cili duhet anulluar!

Sepse nuk mundet që një institucion i qeverisë të kryejë investime e të administrojë zyrat e një institucioni të pavarur kushtetues!

Sepse është njësoj që ministria e drejtësisë fjala vjen të administrojë zyrat e Gjykatës së Lartë apo të Gjykatës Kushtetuese, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo të Komisionerëve Publikë, të Avokatit të Popullit, të KLSH e kështu me rradhë!

Prandaj VKM-ja që i jep në administrim zyrat e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ministrisë sē Drejtësisë, duhet të anulohet!

SHKARKO APP