Luan Rama bën disa pyetje publike Presidentit të Republikës, për ministrin
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Ministrin e Brendshëm, Dritan Demirajn, ku ka diskutuar për situatën politike në vend.
Pas këtij takimi zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama, me anë të një statusi në Facebook, thekson se pavarësisht zjarreve që kanë pushtuar vendin nuk duhet hequr vëmendja nga droga. Ndërsa pyet presidentin Meta, a e ka pyetur ministrin rreth drogës.
Ja çfarë shkruan Luan Rama:
Vëmendja tek zjarret, nuk duhet të na bëjë të “harrojmë” listën e kriminelëve të drogës!
Siç bëhet e ditur zyrtarisht, Presidenti i Republikës zhvilloi një takim me Ministrin e Brendshëm, gjatë të cilit, citoj njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të Presidencës:
“… Kreu i Shtetit i Shtetit diskutoi me shqetësim dhe vëmendje maksimale mbi situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë për shkak të zjarreve në disa qarqe”.
Natyrisht, njoftimi është më i gjatë e më i detajuar, por thelbi është në çfarë citova më lart.
Shumë mirë deri këtu! Sepse zjarret po djegin Shqipërinë!
Dhe me gjithë përpjekjet e sforcuara dhe angazhimin e një morie institucionesh, edhe për shkak të një strukture inefiçente të mbrojtjes kundër zjarrit e të pa pajisur me e mjetet e nevojshme, zjarret vazhdojnë të bëjnë kërdinë, sidomos në pyje, e të mbeten një rrezik i madh.
Mirëpo unë gjetiu e kam fjalën.
A u informua Presidenti i Republikës prej Ministrit të Brendshëm për atë “zjarrin” tjetër, për drogën që po e djeg Shqipërinë prej vitesh e që u rindez në kohën e Rilindjes në të gjithë teritorin e vendit?
A ju bë e njohur Presidentit të Republikës lista me 124 emrat e shpallur si kriminelët e drogës prej vetë Kryeministrit e më pas edhe prej Ministrit të Brendshëm?
Vëmendja tek zjarret që po djegin Shqipërinë, nuk duhet të na bëjë të harrojmë listën e kriminelëve të drogës!
E meqë po bëhet mbi një javë që Kryeministri deklaroi se e ka këtë listë, a ka ndërmarrë ndonjë veprim procedurial Prokuroria, qoftë edhe kryesisht, siç e lejon edhe Kodi i Procedurës Penale, pavarësisht faktit nëse e dërgon në Prokurori këtë listë Kryeministri apo jo?
Eshtë koha për luftë me forcën e ligjit ndaj çdo veprimtarie kriminale e sidomos, ndaj kultivimit e trafikimit të drogës!
Ndaj Presidenti i Republikës, nëse nuk është informuar zyrtarisht nga Ministri i Brendshëm për “listën me 124 emrat e kriminelëve të drogës” dhe se çfarë po bëhet për t’i dërguar ata në duart e ligjit, duhet ta thërrasë sërish.
Duhet ta thërrasë e jo vetëm të informohet.
Duhet të thërrasë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, edhe Drejtorin e SHISH, edhe Kryeministrin, sepse lufta kundër drogës duhet kthyer në një aksion kombëtar.
Kjo është një luftë që duhet fituar medoemos, për të shpëtuar Shqipërinë!