Luan Rama: LSI forcë e parë. Nuk merremi me PD, ata garojnë për vendin e tretë
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama në një konferencë për shtyp deklaroi se falë punës së bërë LSI-ja ka rritje disa herë referuar gjithë rezultateve të mëparshme. Ai deklaroi se LSI-ja do të jetë forcë e parë.
“Të tjerët janë në panik, të çoroditur, të përçarë e demoralizuar për shkak të listave skandaloze që kanë. Ata shohin rritjen e LSI dhe nuk menaxhojnë dot panikun e tyre. Unë i ngushëlloj me vargjet e Migjenit”- tha ai.
Rama tha se LSI do të jetë forcë e parë në Tiranë, Durrës, Fier etj. Ndërkohë që shtoi se LSI, sipas edhe rezultateve të zgjedhjeve të kaluara, është forcë e parë në Berat dhe në Gjirokastër.
I pyetur nga gazetarët për akuzat e PD-së, Luan Rama tha se nuk merrej me qëndrimet e Lulzim Bashës, pasi LSI nuk merret me forca që garojnë për në vendin e tretë.
Luan Rama pohoi i bindur se në Tiranë forca që ai përfaqëson do të dalë e para, duke kryesuar kështu dhe ndaj PS-së. Nga ana tjetër ai u pyet dhe për faktin nëse rrezikon zgjedhjen si deputet, pasi është i 5-ti në listë, për faktin që tashmë opozita u fut në zgjedhje.
“Asnjë kushtëzim nuk ka pasur LSI prej faktit nëse opozita do të futet apo jo në zgjedhje. Ju siguroj se do kisha të njëjtën garanci edhe nëse do isha i dhjeti. Luftojmë përballë PS për vendin e parë në Tiranë, në Durrës, Elbasan, në Fier, absolutisht qe jemi të parët në Berat dhe Gjirokastër.”, tha Luan Rama.
Konferenca e plotë për shtyp e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama:
Me lejoni që përmes kësaj konference shtypi të dërgoj një mesazh përshëndetjeje dhe falënderimi për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në mënyrë të veçantë për të gjithë kandidatët tanë për deputetë në të gjithë Shqipërinë, të cilët përmes një pune të jashtëzakonshme, përmes një angazhimi maksimal dhe komunikimi të drejtpërdrejtë me shumë sinqeritet me të gjithë qytetarët e vendit, kanë bërë të mundur që LSI të ketë një rritje të jashtëzakonshme të mbështetjes qytetare në të gjithë vendin.
Falë kësaj pune, falë thjeshtësisë dhe seriozitetit në komunikimin me qytetarët rritja e Lëvizjes Socialiste për Integrim është disa herë më e madhe, referuar të gjitha rezultateve të mëparshme që ajo ka arritur.
Prandaj të tjerët janë të shokuar dhe të çoroditur, në panik prej rritjes së LSI-së, të përçarë e të demoralizuar prej listave skandaloze, jo përfaqësuese dhe largimit gjithnjë e në rritje të votuesve të tyre, ata shohin rritjen e LSI-së dhe nuk menaxhojnë dot panikun e tyre. Punë për ta, ata le të vazhdojnë të merren me LSI-në, unë nga Selia Qendrore e LSI-së por në emër të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, mbështetësve dhe votuesve të shumtë të LSI-së, mund t’i ngushëlloj me vargjet e Migjenit: “Rrugës për në theqafje këtejpari i ranë”.
Unë i ftoj të gjithë kandidatët, drejtuesit e strukturave elektorale të LSI-së që të kenë në fokusin e tyre vetëm qytetarët, qytetarët dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Me seriozitet dhe transparencë maksimale të përqendrohen tek programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për uljen e taksave, në veçanti për pagat dhe bizneset, si e vetmja rrugë për formalizimin e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. LSI forcë e parë do të thotë drejtim i ri i qeverisë që ul taksat dhe krijon vende pune të mirëpaguara.
Pyetje nga gazetarët: Kryetari i PD-së Lulzim Basha prej ditësh artikulon akuza ndaj LSI-së. A keni ndonjë koment për to?
Më lejoni të ruaj fokusin e vëmendjes, të angazhimit dhe të të gjithë impenjimit maksimal të anëtarëve, simpatizantëve dhe të qytetarëve që votojnë, mbështesin dhe shohin te Lëvizja Socialiste për Integrim drejtimin e ri të qeverisë dhe të mos humbas as kohën tuaj të çmuar, as kohën time, duke u marrë me ata që luftojnë për vendin e tretë.
Po për komentet e atyre që janë në vendin e parë keni ndonjë koment? Për deklaratat e z. Rama?
Ne jemi në garë për vendin e parë dhe të bindur që LSI-ja do të dalë forcë e parë, të bindur jo sepse kështu duam ne por të bindur sepse kjo është zgjidhja më e mirë për qytetarët, nuk na intereson fare se çfarë mendojnë, thonë apo bëjnë të tjerët. Ju e keni parë edhe gjatë fushatës deri tani, por edhe në vazhdim, ne kemi vetëm një fokus: LSI forcë e parë, drejtim i ri i qeverisë për të ulur taksat dhe për të rritur vendet e punës.
Rama, LSI ka qenë në qeveri edhe me PD-në edhe me PS-në. Çfarë mund të ofroni ndryshe për të dalë forcë e parë? Dhe pyetja e dytë: listat e LSI u bënë në kushtet kur PD nuk do të ishte pjesë e zgjedhjeve. Ju jeni i pesti në listën e Tiranës. Si ju bën të ndiheni dhe nëse do të kishit pasur mundësi do të kishit bërë një rivendosje të emrave në listave?
Përsa i përket pyetjes suaj në lidhje me faktin që kemi qenë në qeverisje edhe më PD edhe me PS-në është e vërtetë. Po, ne kemi qenë në qeverisje si garanci e stabilitetit të qeverisjes, si garanci e funksionimit normal të institucioneve të vendit. Po, ne kemi në qeverisje si garanci e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit, por kemi qenë në qeverisje dhe si profilaksi përballë arrogancës mendjemadhësi dhe abuzimit të qeverive.
Ndërkaq, LSI në të dyja qeveritë nuk ka pasur asnjëherë drejtimin e qeverisë, prandaj jemi sot përballë qytetarëve, prandaj oferta jonë është për LSI-në forcë të parë për një drejtim të ri të qeverisë për atë drejtim që duan qytetarët larg konfliktit, larg krizës larg mendjemadhësisë arrogancës dhe abuzivizmit qeveritar.
Përsa i përket pyetjes tuaj ët dytë, lista e LSI-së janë bërë duke pasur parasysh vetëm një prioritet: përfaqësim dinjitoz dhe me kurajo përballë qytetarëve me lista që ofrojnë modelin ë të mirë të përfaqësimit në mënyrë te veçantë duke respektuar me seriozitet shansin e barazisë gjinore dhe duke përfshirë në lista të rinj me zotësi dhe angazhim shembullor që do të bëjë të mundur që Parlamenti i ri të jetë krejt i ndryshëm nga Parlamenti i shëmtuar që mbaron mandatin.
E dyta, asnjë kushtëzim nuk ka pasur renditja prej faktit nëse do të futet apo jo opozita në zgjedhje. Ne jemi nisur vetëm nga fakti që qytetarët të gjejnë në listat e LSI-së përfaqësuesit e tyre më dinjitoz dhe zëdhënës real të shqetësimeve dhe të aspiratave të tyre.
Sa për vendin tim, që jam i pesti në listë, ju siguroj që do të kisha të njëjtën garanci për të qenë deputet në Parlamentin e ardhshëm edhe nëse do të isha i dhjeti. LSI-ja sidomos në Tiranë dhe këtë më lejoni t’jua them me shumë bindje, është e barabartë në garë me PS-në.
Pra ne luftojmë përballë PS-së për vendin e parë në Tiranë, luftojmë përballë PS-së për vendin e parë në Durrës, për vendin e parë në Elbasan, për vendin e parë në Fier. Ndërkohë që jemi absolutisht të parët në qarkun e Beratit dhe në qarkun e Gjirokastrës. Sfida jonë është angazhimi për drejtim të ri të qeverisë me LSI-në forcë të parë për të ulur taksat, për të shtuar vendet e punës dhe për të krijuar vende pune të mirëpaguara në mënyrë të veçantë që të rinjtë e Shqipërisë të punojnë dhe të jetojnë në vendin e tyre.
Ju thatë që keni pasur një rritje të anëtarësisë. Ku jeni bazuar në këtë që thoni ndërkohë që dje keni pasur edhen një sondazh televiziv ku dilnit të paktën forcë e tretë? Mos ndoshta i referoheni edhe sondazheve tuaja?
Jo vetëm të anëtarësisë, rritje me disa herë të mbështetësve që do të votojnë LSI-në. Nuk i referohem sondazhit, aq më pak sondazheve klienteliste të manipuluar dhe të pavërtetë.
Historia e LSI-së me sondazhet ka qenë gjithnjë histori suksesi për LSI-në dhe histori zhgënjimi për sondazhet dhe porositësit e tyre. Por për vlerën reale të mbështetjes të jeni të bindur, do të jemi këtu gjatë gjithë ditëve të fushatës dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë më 26 qershor në mëngjes kur do të konfirmojmë LSI-në forcë të parë dhe drejtim të ri të qeverisë me LSI-në forcë të parë.
Rama gjatë një takimi të bërë dje ka deklaruar se PS-ja ka kërkuar që timoni i qeverisë të jetë vetëm i PS-së, duke mos mbajtur në prehër të tjera forca politike. A do të jeni të gatshëm që pas 25 qershorit ta drejtoni së bashku timonin e qeverisjes?
E para nuk dua t’u referohem shprehjeve të mekanikës apo të automjeteve se qeverisja nuk është një makinë. Qeverisja është një përgjegjësi, qeverisja është një mision, qeverisja është shërbim ndaj qytetarëve të vendit dhe referuar këtij koncepti dhe këtij vlerësimi, ne ofrojmë modelin, drejtimin e ri të qeverisjes krejt të ndryshëm nga qeverisjet e mëparshme, që kanë pasur në fokusin e tyre kryetarët me timonin dhe jo qytetarët me hallet e tyre. Faleminderit!