Luan Rama: LSI kërkoi qeveri besimi me Ramën dhe futjen e PD në zgjedhje
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama deklaroi sot se marrëveshja mes PS dhe PD është realizimi i një qeverie besimi që u deklarua nga LSI-ja në kulmin e krizës politike.
“Na vjem mirë që zgjedhjet nuk do të jenë një aventurë pa opozitën. Ndjemi mirë, që opozita ka besim te Qeveria me Kryeministër. Jemi mirë që sot nuk ka mazhorancë dhe opozitë, por jemi të gjithë njësoj”,- tha Luan Rama.
Ai theksoi se marrëveshja u arrit edhe falë presionit pozitiv të LSI-së brenda mazhorancës për të patur konsensus mes palëve.
Luan Rama solli në vëmendje faktin që Kryesia e LSI-së disa javë më parë kërkoi me insistim zgjidhjen e krizës politike, duke kërkuar nga të dy palët që të bëjnë lëshim. Ne emër të konsensusit, Ilir Meta në cilësinë e kreut të LSI-së, deklaroi disa javë më parë se duhej një Qeveri Besimi dhe se LSI-ja vendoste të gjitha postet e saj në funksion të zgjidhjes së ngërçit politik.
Luan Rama shtoi se qëndrimi i LSI-së ka qenë i qartë gjatë gjithë krizës. “Dua të riktheksoj, qeveria e besimit me Ramën kryeministër dhe me zgjedhje me praninë e PD është ajo që ka kërkuar LSI. Kjo quhet qeveri besimi. Marrëveshja është arritur falë presionit të LSI dhe aleatëve të tjerë. LSI do të dalë forcë e parë, të tjerë na vinë pas”,- tha Luan Rama.
Deklaratën e tij, Rama e ka bërë në përfundim të mbledhjes së komisionit të ligjeve, që konstatoi dorëheqjen e Denar Bibës nga posti i kreut të KQZ-së, si pjesë e marrëveshjes.
“Është gjë e mirë që edhe komisioni i ligjeve po formalizon në dimension ligjor marrëveshjen e arritur. Gati 1 muaj e ca më parë, kur ne insistuam për nevojën e dialogut, kur thamë se për LSI është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje e madje kur thamë se ishim gati të ofronim të gjitha postet qeveritare nëse kjo do të zgjidhte krizën, sot mbetemi shumë korrekt dhe seriozë në angazhimin tonë për të implementuar këtë marrëveshje, që u arrit nga presioni i LSI dhe faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Rama.