Analiza/Luan Rama: Kiço Blushi, i pazëvendësueshëm edhe në mungesën e vet!
Post mortum; Mungesa e pazëvendësueshme e Kiço Blushit!
Nga Luan Rama –
Ikja e Kiço Blushit erdhi e heshtur, erdhi e ngjashme si ikja e anijes që humbet me diellin tutje në horizont, ndërsa e presin të tjera brigje.
Sepse kështu e donte ikjen ai vetë.
I neveriste zhurmat, tam-tamet, butaforitë.
Nuk i donte titujt e dekoratat pas të cilave rendnin pa u lodhur shumë të tjerë.
Mbi çdo gjë, urrente hipokrizinë dhe servilizmin.
Kiço Blushi nuk ishte.
Kiço Blushi është.
Eshtë referencë përfaqësuese e brezit të shkrimtarëve të viteve 1970 – 1980 si prozator, si kineast e skenarist i rendit të parë, e po aq edhe si botues e publicist, mendjehapur e gjithnjë me një konstante angazhimi qytetar, që asnjëherë nuk e negocoi me askënd e për asgjë!
Sfidant e stoik, fisnik në heshtjen e vet e uragan kur fjalës i jepte përmasën e përjetimit të tij shpirtëror, Kiço Blushi është ndër ne modeli për të na dëshmuar angazhim qytetar dhe përgjegjësi intelektuale, fisnikëri e dinjitet, mbi të cilat lartohet njeriu si bartës vlerash jo vetëm për vete.
Mungesa e tij është e pazëvendësueshme.
Prandaj ai nuk ishte.
Kiço Blushi është.
I pazëvendësueshëm edhe në mungesën e vet…