LSI, Luan Rama: Paligjshmëri dhe paturpësi e Kryeministrit!

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama e cilëson si të paligjshme dhe të papërgjegjshme sjelljen e kryeministrit Edi Rama për procedurën e ndjekur lidhur me emërimin e ministrit të ri të Brendshëm.

Në një reagim në rrjetet sociale, Luan Rama thekson sa pas refuzimit që Presidenti i bëri dekretit të parë, Kryeministri deklaroi se do t’i mësonte kreut të shtetit Kushtetutën. Por faktet dhe dokumentet lidhur me kriteret e emërimit të një ministri i dhanë të drejtë kreut të shtetit.

Luan Rama shprehet se pasi Rama u kap në shkelje kushtetuese, tashmë i kërkon dhe Presidentit të bëjë të njëjtën gjë duke ja dekretuar propozimin e paligjshëm. Luan Rama shprehet se sjellja e kryeministrit është “as më pak dhe as më shumë e gjitha kjo është një paturpësi dhe papërgjegjshmëri, që kur na shfaqet si qasje e Kryeministrit ndaj ligjit dhe ndaj Kushtetutës, është e paprecedentë dhe e patolerueshme!”.

Deklarata e plotë në Facebook e Zëvendëskryetarit të LSI, Luan Rama:  

E gjithë praktika e emërimit të Ministrit të Brendshëm mund të përcaktohet me këto tri fjalë: paligjshmëri, paturpësi dhe papërgjegjshmëri!
Sepse ai, Kryeministri pra, në rastin kur nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës propozimi i tij i parë për emërimin e Ministrit të Brendshëm, deklaroi se është i vendosur t’i mësojë Kushtetutën Presidentit të Republikës, ndërkohë që me propozimin e dytë, në kushtet e paligjshmërisë flagrante, pasi pranon se e ka shkelur vetë Kushtetutën, i kërkon Presidentit që të bëjë të njejtën gjë, pra që edhe Presidenti të shkelë Kushtetutën!
As më pak dhe as më shumë e gjitha kjo është një paturpësi dhe papërgjegjshmëri, që kur na shfaqet si qasje e Kryeministrit ndaj ligjit dhe ndaj Kushtetutës, është e paprecedentë dhe e patolerueshme!
Mjaftojnë edhe shembuj të tillë që të tjerët, miqtë, partnerët, por edhe ata që nuk na duan, jo vetëm të mos na konsiderojnë e të mos na marrin seriozisht, por të na quajnë me të drejtë qesharakë e karagjozë të pavlerë!
Ndaj e gjej me vend të kujtoj Fan Nolin kur thoshte se “kanë të drejtë dhe ata që qeshin, dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qarë…
…Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”.

Lexoni dhe…

SHKARKO APP