Luan Rama: Skandali i KED, heshtja korruptive e ndërkombëtarëve
Zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama, ka denoncuar ashpër skandalin që maxhoranca bëri me ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit e drejtësisë”. Sipas Ramës, maxhoranca zgjodhi në kundërshtim me kriteret e këtij ligji, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Përmes një postimi në facebook, Rama shkruan se Reforma në Drejtësi ka marrë goditje nga kjo qeveri dhe në anën tjetër dënon heshtjen e ndërkombëtarëve, duke i akuzuar për implikim në këtë skandal të qeverisë.
Më tej Rama hedh akuzën e rëndë që kjo maxhorancë kërkon të kapë politikisht funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, përmes votimit me shumicë të thjeshtë në kuvend. ”Mënyra se si po përpiqet qeveria si duke zgjedhur një kinse “të përkohshëm” me shumicë të thjeshtē votash, kur jo vetëm përmbajtja, por edhe fryma e Kushtetutës detyrojnë zgjedhjen me shumicë të cilësuar”,-shkruan zv/kryetari i LSI-së.
Mbi këtë shkelje që qeveria po i bën Reformës në Drejtësi, Rama hedh akuzën se ndërkombëtarët po veprojnë me dy standarde. Sipas tij, ndërmombëtarët nxituan me deklaratën që prokurori i përgjithshëm të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Luan Rama i quan ata bashkëfajtorë me tepsinë e drogës.
”Asnjë fjalë, asnjë koment! Dyfytyrësi korruptive! Heshtje që e kompromenton rëndë vetē rolin dhe misionin e tyre e i bën bashkëfajtorē me tepsinë e drogës ku ështē miksuar qasja antiligjore e korruptive e vetë maxhorancës që zgjodhi KED-në”,-shkruan Rama.
Denoncimi i plotë i Luan Ramës:
“Skandali i zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe heshtja korruptive e ndërkombëtarëve!…
Pak ditë më parë, pikërisht më 8 dhjetor 2017, reforma në drejtësi mori dy goditje të rënda prej papërgjegjshmërisë së tepsi maxhorancës së drogës, e cila duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, zgjodhi në kundërshtim me kriteret e këtij ligji, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi!
Nga ana tjetër, në të njejtën ditë, e njëjta maxhorancë e drogës, vendosi po në kundërshtim me Kushtetutën, të kapë politikisht funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke zgjedhur një kinse “të përkohshëm” me shumicë të thjeshtē votash, kur jo vetëm përmbajtja, por edhe fryma e Kushtetutës detyrojnë zgjedhjen me shumicë të cilësuar!
Mjaftojnë vetëm këto dy raste, për të kuptuar se vullneti i maxhorancës nuk është reforma në drejtësi, nuk është as zbatimi i ligjit dhe as rikthimi i besimit qytetar tek drejtësia. Por rastet që përmenda më sipër fatkeqësisht na japin edhe pamjen në dy standarde të misioneve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi, të EURALIUS-it dhe OPDAT-it! Se ndërsa nxituan të shpallnin një deklaratë të tyre që ishin për zgjedhjen me votim të thjeshtë të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, madje duke “guxuar” edhe t’i tregonin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë jashtë çdo tagri etik e ligjor kufijtë e legjitimitetit e të autoritetit të tij kushtetues, heshtën e nuk bëzanë për zgjedhjen e KED-së në kundërshtim me ligjin!
Asnjë fjalë, asnjë koment! Dyfytyrësi korruptive! Heshtje që e kompromenton rëndë vetē rolin dhe misionin e tyre e i bën bashkëfajtorē me tepsinë e drogës ku ështē miksuar qasja antiligjore e korruptive e vetë maxhorancës që zgjodhi KED-në!
Për të qenë më konkret po citoj fjalë për fjalë kriteret që parashikon ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 221, për kandidatët që duhet të hidhen në short për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi:
- Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit;
b) nuk ka masë disiplinore në fuqi;
c) nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit;
ç) magjistrati ka përfunduar ciklin e plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi;
d) magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
dh) magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional;
e) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk ështē dënuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave. - Kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti.
Kështu thotë ligji, e shkruar e zeza mbi të bardhë. Mirëpo ligji u shkel; në short u futën të gjithë gjyqtarët pa asnjē dallim, an block, pas asnjë selektim siç e imponon ligji e madje, edhe ndër fituesit ka që nuk i plotësojnē kriteret e ligjit! Dhe kush e bëri këtë? Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i keqpërdorur në këtë rast prej arrogancës së maxhorancës së drogës! Këtu merr fund parlamentarizmi, këtu merr fund kushtetutshmëria dhe legjitimiteti! Ndërsa EURALIUS dhe OPDAT heshtën, a thua se nuk ishin aty!”.