Lulzim Basha deklaron: Me Edi Ramën kryeministër nuk ka hapje negociatash
Shqipëria mori dje për herë të katërt rekomandimin nga Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Në vendin, ku 99% e qytetarëve janë pro integrimit në BE, njoftimi i djeshëm i KE padyshim që është zhvillimi më pozitiv i muajve të fundit për vendin. Por që në fillim duhet thënë se çështja e rekomandimeve është një film i parë disa herë. Që Shqipëria të shënojë zyrtarisht çeljen e negociatave vendimin final e jep Këshilli i BE që përbëhet nga ministrat e jashtëm të 28 vendeve anëtare. Edhe pse Tirana e ka kaluar disa herë provën e Komisionit Europian, pra vlerësimin teknik reformave, në të gjitha rastet ka ngelur në provimin final, kur duhet të votojnë përfaqësuesit e qeverive të gjithë BE.
Ndaj dhe lajmi i djeshëm nuk kishte vend për shumë entuziazëm as mes qytetarëve dhe as brenda qeverisë. Për më tepër, qeveria “Rama” ndodhej në pozitën më qesharake. Një vit më parë, në të njëjtin muaj, kryeministri Edi Rama hapi shampanjën e festës dhe doli para mediave për të deklaruar se me vendimin e KE-së, Shqipëria kishte marrë zyrtarisht çeljen e negociatave. Koha tregoi se festa jo vetëm ishte e nxituar, por një vit më pas ishim në të njëjtën situatë si qershorin e kaluar. Kryeministri doli dje para shqiptarëve për të thënë fiks të njëjtën gjë që kish thënë vjet dhe parvjet. Ketë herë munguan vetëm koncertet festive dhe ceremonia me shampanjë dhe diplomatë të huaj.
Zhvillim pozitiv dhe ajo që presin shqiptarët prej vitesh është që Shqipëria të çelë zyrtarisht negociatat me BE dhe jo të marrë rekomandimin. Ajo që bie në sy në dokumentin e KE-së për Shqipërinë është se janë shmangur të gjitha çështjet e nxehta që lidhen me situatën në vend. Situata politike përshkruhet vetëm me një fjali ku flitet për të ndarje politike dhe jo krizë sistemi në vend. “Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, duke tejkaluar polarizimin aktual dhe duke demonstruar vullnet politik për të kapërcyer ndarjet partiake, është gjithashtu e nevojshme për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga vendi”,- thuhet në raportin e KE. Ndërsa çështja e luftës ndaj korrupsionit dhe reformave të munguara kalohet vetëm me frazën befasuese se “Shqipëria ka bërë një reformë të paprecedentë në drejtësi”. Reforma sigurisht është e paprecedentë, por jo domosdosmërisht ka sjellë efekte positive, pasi ka akuza se sistemin e drejtësisë po e merr Edi Rama dhe PS. Është e paprecedentë si e ka lënë vendin prej muajsh pa gjykatat kryesore në vend dhe aktualisht Shqipëria është i vetmi shtet në botë që nuk ka elementët bazë të pushtetit gjyqësor. Nëse KE, si pjesë teknike e BE, e sheh me pozitivitet situatën, Këshilli i Ministrave që do të japë dhe vendimin final që tani ka shprehur rezerva për miratimin. Mbledhja e radhës për Këshillin e Ministrave, sipas gjasave, është fundi i muajit qershor dhe sinjalet që vijnë deri tani, për fat të keq nuk japin asnjë shenjë pozitive. Holanda, Franca dhe së fundi edhe Belgjika janë shtetet që mund të vendosin veton për Shqipërinë. Po dje, radio gjermane “Deutsche Ëelle”, raportonte se qeveria dhe parlamenti gjerman nuk kanë ende një vendim final për Shqipërinë. Arsyeja e qëndrimit kundër të këtyre vendeve, lidhet me politikën e brendshme të këtyre shteteve, por mbi të gjitha arsyet duhen kërkuar atje ku nuk i sheh Komisioni Europian. Shqipëria ndodhet prej kohësh në një krizë të rëndë politike që ka vënë në pikëpyetje jo vetëm standardet e BE, por edhe parimet themelore të demokracisë. Kryeministri dhe PS po bëhen gati të hyjnë në një fushatë zgjedhore pa opozitën, duke shënuar dhe rënien finale të zgjedhjeve. Ndërsa korrupsioni, problemet me trafiqet dhe keqqeverisjen janë aq të dukshme sa nuk ka asnjë reformë që mund t’i fsheh. Për këto arsye, Edi Rama zgjodhi dje të bëj një lojë fjalësh duke parashikuar se cili do të jetë fati i negociatave në qershor ose më pas. Sipas tij, nëse ndodh që Shqipëria merr datën për negociatat kjo është vlerësim i reformave që ka bërë qeveria e tij, por nëse qeveritë e vendeve të BE vendosin për “jo”, atëherë kryeministri gjeti dhe fajtorin, që i bie të jetë opozita. Pra, në të gjitha rastet qeveria “Rama”, me këtë logjikë del pa faj. Kur në fakt është e kundërta. Dje Lulzim Basha nga Fieri, paralajmëroi se në qershor negociatat nuk do të hapen dhe arsyeja është pikërisht keqqeverisja e Edi Ramës. “Gjendjen në Shqipëri e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel. Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ja kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Dje kryeministri festoi dhe bëri zhurmë njëllojë si vjet dhe parvjet, por nuk duhet të ngutemi pasi vjen vendimi nga Këshilli Ministrave të BE nga fundi qershorit dhe aty do të mësojmë të vertetën e festës së djeshme.