Basha i përgjigjet Kryeministrit: Tani e ka radhën “peshku i madh”, Edi Rama

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratave të bëra sot nga Edi Rama, pas mbledhjes së partive të opozitës që kërkuan largimin e Kryeministrit nga drejtimi i qeverisë.

Në një koment të gjatë në Facebook, Basha i kujton Ramës se dosja e publikuar nga autoritet italiane fakton në mënyrë të qartë se Saimir Tahiri është mbështetës i trafikut të drogës.

Ndërkohë, Basha shprehet se tashmë është radha e “peshkut të madh”, duke nënkuptuar se goditja ndaj krimit do të shkojë edhe më lartë në qeveri, te Edi Rama. Basha shprehet se edhe mediat e mbështetura nga Rama sot po thonë se Kryeministri është “peshku i madh”. Kreu i PD-së shprehet se është koha që Edi Rama të largohet nga drejtimi i qeverisë.

“Shqiptarët e dinë tashmë, opinioni publik, dhe media ende e pakapur e ka kuptuar. Ndërkombëtarët po ashtu: as krimi, as trafiku i drogës, as përfshirja në to dhe as ndarja e pushtetit me kupolën mafioze, nuk mund të bëheshin pa dijeninë, lejen dhe mbrojtjen e Ramës. Ai është faktuar sot si peshku më i madh. Ndaj Rama duhet të largohet. Ai duhet të japë llogari para drejtësisë”,- shprehet Lulzim Basha.

Komenti i plotë i kreut të PD në Facebook:

PESHKU I MADH DHE….I MADHI FARE
Prej dy ditësh shqiptarët janë ballafaquar me disa fakte të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjithë: antimafia italiane ka prova ligjore të trafikut të drogës dhe armëve të kryer nga një bandë kriminelësh shqiptarë të ndihmuar direkt nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtues e oficerë të policisë.
Të njëjtën akuzë ka bërë edhe oficeri i policisë Dritan Zagani me fakte dhe prova që prej dy vitesh. Të njëjtën akuzë i kanë përësëritur Edi Ramës edhe disa përfaqësues të qeverive të huaja, sikurse më kanë informuar edhe mua si kryetar i opozitës.
Edhe përballë këtyre fakteve Edi Rama sillet si përherë: i pafytyrë dhe gënjeshtar patologjik, i bindur se do ja hedhë duke mohuar e mohuar e mohuar.
Por është e vështirë tashmë të mohosh atë që e di gjithë bota: se Saimir Tahiri është bashkëpunëtor, mbrojtës dhe përfitues i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës dhe armëve.
Dosja Habilaj-Tahiri e drejtësisë italiane ju tregon shqiptarëve dhe mbarë Europës, sesi krahu i djathtë i Edi Ramës është kapur në flagrancë në trafik droge, se si krejt shteti është kalbëzuar dhe është vënë në shërbim të trafikantëve.
Shqiptarët që në shumicë mezi mbyllin muajin shohin sesi trafikanti blen 9 mijë euro varësen për familjarët e ministrit të tij, se si Tahiri, kampioni i Ramës, merr 30 mijë euro për një ngarkesë, dhe se ka bërë të paktën 5 milionë euro në muaj.
Ndërkohë që ky skandal ka tronditur nga themelet Rilindjen, ka provuar kauzat e drejta te Opozites dhe e ka nxjerre Edi Ramen lakuriq para mbarë opinionit, ky vetë nuk ka kurajon të mbajë as më të voglën përgjegjësi, por vazhdon avazin e vjetër se fajin e ka opozita.
Edi Rama as nuk turpërohet, as nuk përgjigjet, as nuk mban përgjegjësi për një arsye të thjeshtë dhe të kuptueshme: Sepse është ai pas Saimir Tahirit, është ai pas cdo habili, është ai pas cdo shefi policie që ka ngarkuar thasët me drogë.
Ai si askush tjetër ka përfituar nga qindra milionë euro që erdhën nga droga dhe kanabizimi i krejt vendit, sepse i duheshin për të blerë votat dhe për të mbajtur pushtetin.
Shqiptarët e dinë tashmë, opinioni publik, dhe media ende e pakapur e ka kuptuar. Ndërkombëtarët po ashtu: as krimi, as trafiku i drogës, as përfshirja në to dhe as ndarja e pushtetit me kupolën mafioze, nuk mund të bëheshin pa dijeninë, lejen dhe mbrojtjen e Ramës. Ai është faktuar sot si peshku më i madh. Ndaj Rama duhet të largohet. Ai duhet të japë llogari para drejtësisë.

Rama: Asgjë e re nga fronti i opozitës. Edhe në PS kemi drurë të shtrembër në mesin tonë

Nga Edi Rama

ASGJË E RE NGA FRONTI

Asgjë e re nga fronti i vjetër, përveç faktit që sot nuk janë më ca në çadër e ca me çadrën, po janë të gjithë brenda në çadër, me po ato maska që as skuqen as zverdhen kur i marrin shqiptarët për budallenj; me po atë paaftësi për të marrë përgjegjësi mbi vete, për katandisjen e institucionit të opozitës në një sharëtore publike; me po atë hipokrizi të skajshme të tërë këtyre viteve, si në pushtet e si në opozitë, ku vazhdojnë me po atë këngë të vjetër, të cilën e dëgjojnë vetëm shurdhët me veshët në rregull!

Ata s’duan as shtet serioz, as drejtësi të drejtë, as luftë me krimin e me plagët e trashëguara prej pushtetit të tyre të vjetër. Duan vetëm pushtet për vete, në një shtet si ai që na lanë copa e çika katër vjet më parë, me një drejtësi që komandohet prej pushtetit të tyre dhe një ekonomi që rritet vetëm në oborrin e tyre të pushtetit.

Ne jemi ndryshe dhe po luftojmë përditë që të bëjmë shtet, punë, mirëqenie për Shqipërinë që duam. Nuk jemi aspak të pagabueshëm. Nuk jemi aspak të paprekur nga sëmundjet e një çerekshekulli pa shtet, pa rregulla e norma dhe pa ndëshkueshmëri. Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë.

Por, ndryshe nga këta të Frontit të Çadrës së Vjetër, ne marrim përgjegjēsi për Shqipërinë dhe mbajmë përgjegjësi për çdo gjë që nuk e bëjmë mirë apo që del në dritën e realitetit si problem i yni.

Sot, kur e tërë opozita me kuç e me maç, u zhyt si front në çorbën e dy kriminelëve të arrestuar në Itali, është dita të kujtojmë se në 20 vitet e fundit, ka patur plot raste kur politikanë, deputetë e familjarë të tyre janë përfshirë në akuza publike. Disa herë akuzat kanë dalë të vërteta, disa herë jo. Por, ndryshe nga paraardhësi im, nuk mund të jem unë ai që përcakton fajin apo pafajësinë. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të zbardhë deri në fund të vërtetën. Paraardhësi im në qeveri e çoi Shqipërinë buzë greminës vetëm e vetëm për të mbrojtur djalin dhe vajzën e tij. Lideri i sotëm i opozitës përdori një raport mjekësor për të djegur afatet e gjykimit për një akuzë të ngritur nga prokuroria për korrupsion. Por ne nuk jemi të gjithë njësoj. Ne jemi ata që punuam dhe luftuam për Vetingun dhe reformën në drejtësi (Ju kujtohet mirë besoj që të gjithë këta të frontit i kishim kundër e na bënë qepaze në sytē e Amerikës e të Europës!). Ne sot jemi plotësisht të angazhuar që Vetingu të bëhet deri në fund dhe drejtësia e re më në fund të vendoset. Për të gjithë, pa asnjë dallim.

Ndërkohë na vjen shumë mirë që të mbledhurit në front, nuk e përmendin më kanabisin si problem aktual. Dhe ndryshe nga ata që duan të përdorin muhabetet e kriminelëve, në luftën e tyre të dëshpëruar për pushtet, ne do të vijojmë luftën e nisur tanimë kundër rrjeteve kriminale dhe aseteve të perfituara nga krimi.

Në këtë luftë jemi bashkë me shqiptarët e arsyeshëm dhe me partnerët tanë strategjikë, prandaj do ta fitojmë siç fituam luftën e gjatë, të vështirë, me plot baltë e jo pak probleme brenda vetë Policisë së Shtetit, për çrrënjosjen e kanabisit nga toka jonë e për heqjen e kësaj njolle të vjeter turpi nga fytyra e Shqipërisë që duam.

Për aq kohë sa jemi në vijën e parë të luftës, kemi marrë parasysh edhe plagët, por edhe baltën, që sjell kjo betejë aspak e lehtë. Por ama ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë krimin dhe kriminelët deri në fund, për Shqipërinë që duam.

SHKARKO APP