Lulzim Basha: Jo, fraksioneve në PD!

-Praktikisht kryetari aktual ka futur nën zap PD-në dhe do të drejtojë me dorë të fortë në selinë blu. Me sa duket marrëveshja me Ramën me 17 maji i jep atij forcë e siguri, edhe ndaj të vetëve në PD.

Lulzim Basha ka vendosur të mos u japë asnjë shans kundërshtarëve të tij në PD për të bashkëjetuar në të njëjtën parti. Edhe pse ndodhet nën rrebeshin e kritikave dhe në kuotat me të ulëta publike pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, kreu i PD-së ka zgjedhur të veprojë me dorën të fortë. Në qëndrimet që ka mbajtur në kryesinë e PD-së apo edhe në intervistën e fundit në “Neës 24”, kreu i opozitës ka qenë kategorik për moslejimin e fraksioneve në parti. Gjë që do të thotë se kundërshtarëve Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu Arben Imami, etj u ka treguar derën e largimit përfundimtar nga PD. Dhe imagjino; Jozefina Topalli e cila dikur dhe për shumë vite bënte ligjin në selinë blu, natyrisht me lejen e Berishës, tashmë e shikon veten larg gardhit të selisë demokrate. Bile edhe e përjashtuar.

Ky qëndrim, përveçse kosto personale e Lulzim Bashës, do të sjellë edhe kosto elektorale për Partinë Demokratike. 250 mijë votues të së djathtës nuk shkuan në kutitë e votimeve. Ndërkohë më përjashtimin real të tyre nga partia Basha duhet të llogarisë dhe efektet e tjera anësore. Pasoja kryesore mund të jetë krijimi i një partie tjetër të djathtë, gjë që do ta përçante PD dhe do të vuloste njëherë e përgjithmonë humbjen e Lulim Bashës në zgjedhjet e ardhshme.

Këto ditë Basha dhe të zgjedhurit të tij në PD, po tregohen më të zellshëm për të sulmuar kundërshtarët si Patozi dhe Topalli, sesa Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Normalisht, pas një humbje si ajo e 25 qershorit gjëja e parë që duhej bërë në PD ishte afrimi i gjithë njerëzve që u spostuan nga listat. Një ndjesë publike e Lulzim Bashës mund të rregullonte jo pak imazhin e një partie që doli nga fushata elektorale e shpartalluar. Përvoja e politikanëve që largoi nga parlamenti mund të jetë e dobishme për Bashën edhe në strukturat e partisë. Topalli, Bregu, Patozi, Imami, Bregu, Bode etj, për shkak të karrierës së gjatë politikë edhe jashtë Kuvendit janë shumë herë më të dobishëm se deputetët e rinj që emëroi Basha.

Por ky vendim i prerë i kreut aktual të PD-së sjellë edhe disa pikëpyetje publike. Spastrimet e kundërshtarëve të Bashës janë hakmarrje personale e kreut të PD-së, apo pas tij qëndron ish-kryeministri Sali Berisha? Strategjia e konfliktit që po përdor Basha mund ta bëjë atë kryetar të fortë në PD, por nëse largon gjithë zërat kundër PD-ja nuk do të jetë më parti e fortë opozitare. Kur largon emrat e tillë nga PD-ja si mund të hapet kjo forcë politike ndaj shoqërisë civile? Si mund të krijojë besim në shoqëri PD-ja për të ardhur në pushtet?

Berisha foli vetëm një herë, gjatë 4 viteve, me kritika të forta ndaj Lulzim Bashës. Kritikoi listën dhe përzgjedhjen e disa emrave për deputetë nga Basha, si dhe sulmoi këshilltarët e tij. Por ky qëndrim i Sali Berishës nuk i dha asnjë zgjidhje dilemës së çfarë duhet të bëjnë kundërshtarët e Bashës, që kanë qenë dhe mbështetësit historik të Berishës. E vetmja këshillë e Berishës ishte që të mos largohen nga PD. Ndërkohë Basha nuk po u lë asnjë rrugëzgjidhje tjetër dhe duket se do të shpëtojë një orë e më parë nga kritikët.

Praktikisht Basha ka futur nën zap PD-në dhe tashmë ai do drejtojë me dorë të fortë në selinë blu. Me sa duket marrëveshja me Ramën me 17 maji i jep atij forcë e siguri, edhe ndaj të vetëve në PD.

AntiBashët nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveçse krijimit të forcës së tyre politike. Në selinë blu nuk ka më vend për ta.

Mili Xhani

SHKARKO APP