Lulzim Basha: Kryeministri Rama bëri qeveri droge, krimi dhe mafie

-Lideri i Opozitës ndryshoi qëndrim të mënjëhershëm ndaj kryeministrit të PS sapo takoi Presidentin e SHBA Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Lulzim Basha ka vendosur të heq dorë nga aleanca e 17 majit me Edi Ramën dhe të sulmojë fortë dhe pa kompromis Qeverinë dhe Kryeministrin Rama. Në qëndrimet e ditëve të fundit, kreu i opozitës ka ndryshuar gjithë retorikën e butë, duke akuzuar Kryeministrin dhe Rilindjen si përgjegjës për keqqeverisje, krimin dhe korrupsionin.

Ndryshimi i qëndrimeve nisi dje në qytetin e Fierit, një qark që njihet si bastion i Partisë Socialiste dhe ku Lulzim Basha nuk i kurseu akuzat për Edi Ramën dhe ministrat e tij. “Edi Rama i shkeli premtimet, s’kishte qëllim ti mbante, ishte karremi për pushtetin. Katër vite timon i Ramës ishte shkatërrimi i ekonomisë…. Do ti japim fund shpenzimeve korruptive, fasadave, palmave, koncesioneve korruptive. Miliardat që i përpiu oligarkia dhe do ti gëzojnë fëmijët e Fierit, pensionistët e Fierit, njerëzit në nevojë, do ti kthejmë në subvencionet për fermerët”, tha Basha.

Në mbrëmje, në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares, Eni Vasili lideri i opozitës Lulzim Basha ishte dhe më i ashpër duke e bërë direkt përgjegjës Kryeministrin Edi Rama për tonelatat e drogës që qarkullojnë në vend, rritjen e korrupsionit, krimin dhe mafien që, sipas tij, ka lulëzuar në këto vite. Basha iu rikthye retorikës së ditëve kur ishte në Çadër para Kryeministrisë dhe kërkonte me çdo kusht largimin e Kryeministrit nga detyra.

Nëse e krahason retorikën politike të ditëve të fundit të Bashës me ato që deklaronte disa javë më parë, duket se kreu i PD-së ka vendosur të ndryshojë strategji. Pasi e kishte akuzuar Ramën për një mijë të zeza, kthimi të akuzat “limonatë” për ekonominë dhe shkelje të vogla ligjore, nuk ishte bindëse për demokratët. Kjo gjë duket se la shije të keqe edhe të vetë militantët që nga thirrjet për largimin e Ramës, u detyruan të bërtisnin në mitingje vetëm për emrat e kandidatëve, ndërkohë që Edi Rama filloi përqeshjen dhe rolin e “babait” për demokratët. Ironi therëse! Ndaj Basha vendosi të ndryshojë strategji javët e fundit duke vendosur në qendër të shënjestrës së PD-së, pikërisht Edi Ramën. Kjo është parë si e vetmja mënyrë për të bërë një fushatë të besueshme dhe për karikuar elektoratin opozitar. Por ia vlen të theksohet se ky ndryshim i madh i Bashës erdhi pasi takoi Presidentin Trump në SHBA. Presidenti amerikan kurrë nuk takon në mes të fushatës elektorale lider politik, por ky takim me Lulzim Bashën bën përjashtim. Dhe nuk e thirri kot në SHBA, vetëm  për një foto. Fotografia me Presidentin Trump është mesazh, kush don ta kuptojë.

Pak përpara se të takonte Presidentin e SHBA, kryeministri Edi Rama futi Lulzim Bashën në lojën e tij direkt kundër LSI-së. Duke orientuar sulmet drejt LSI-së, Rama detyroi që edhe PD-ja të binte në këtë kurth dhe të merrej disa javë me partitë e koalicionit. Në fakt Rama ndryshoi objektivin duke e larguar vëmendjen e PD-së nga qeverisja e tij dhe duke e parë problemin vetëm tek aleatët. Kjo strategji i leverdiste PS-së dhe Edi Ramës, por jo PD-së që gjithë betejën 4-vjeçare e kishte ndërtuar kundër Qeverisë “Rama” dhe ministrave të Rilindjes.

Ajo që ndryshoi pozicionimin e PD-së dhe Lulzim Bashës, përveç llogarive taktike në terren, ishte siç  thamë vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimi me Presidentin, Donald Trump. Mbështetja që mori nga SHBA ishte garanci personale për Lulzim Bashën dhe një mundësi për të vazhduar betejën më vete dhe jo si vasal i marrëveshjes me Edi Ramën. Ndërkohë kryeministri përhapte me mediat e tij se Lulin e kam në xhep dhe mezi pret të jetë në qeveri me mua! Kjo e sakatoi elektoratin demokrat.

Të gjitha këto zhvillime bënë që Lulzim Basha të ndryshojë krejtësisht modelin e fushatës elektorale gjatë këtyre ditëve të fundit. Tani po godet fort Edi Ramën hoqi dyshimin te opozita se ka bërë pazar me kryeministrin për tu futur në një qeveri me të. Duket se fitorja po i buzëqesh liderit të opozitës, sapo ka filluar sulmin me të gjitha bateritë kundrejt kryeministrit. Socialistët kanë filluar të shqetsohen dhe turbullohen nga këto goditje të Bashës.

Qamil Xhani

SHKARKO APP