Lulzim Basha: Kur të vij unë në pushtet do krijoj Xhandarmërinë Kombëtare me 1000 efektivë!

Lulzim Basha ka premtuar se nëse do të vijë në pushtet do të krijojë xhandarmërinë kombëtare, pasi sipas tij vendi meriton më shumë rend dhe siguri.

Postimi i plotë

Përkushtimi ynë është një Shqipëri e fortë, që garanton rend dhe siguri brenda kufijve të vet dhe projekton forcë dhe gatishmëri për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe interesit tonë kombëtar në rajon e kudo ku NATO të ketë nevojë.

Në funksion të rendit, sigurisë, mbrojtjes së jetës, pronës dhe shëndetit të qytetarëve do të mundësojmë:

  1. Krijimin e Xhandarmërisë Kombëtare, si një forcë elitë e specializuar, e përbërë prej 1000 efektivë, e cila do të këtë në fokus të saj:
  • luftën kundër krimit;
  • ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike;
  • ndërhyrjen në operacionet kundër Akteve Terroriste;
  • angazhimin në rastet e Emergjencave Natyrore;
  • mbështetjen e Forcave të Armatosura në raste të operacioneve ushtarake.
  1. Reformimin e strukturës së Policisë së Shtetit në përshtatje me situatën e kriminalitetit në vend;
  2. Pastrimin e Policisë së Shtetit nga personat me lidhje kriminale, nëpërmjet një procesi ligjor, transparent dhe të besueshëm;
  3. Do të përmirësojmë trajtimin financiar të punonjësve të rendit dhe sigurisë, duke rritur pagën në masën 50%;

Në funksion të Sigurisë Kombëtare:

  1. Prioritet do të jetë zhvillimi i partneriteteve strategjike me vendet e aleancës në vlerësimin e përbashkët të rreziqeve dhe kërcënimeve të hapësirës Euro-Atlantike;
  2. Themelimi i Komandës së Mbrojtjes Kibernetike, e cila ka përgjegjësi për të garantuar funksionimin e infrastrukturave kritike dhe sigurimin e hapësirës kibernetike të Forcave të Armatosura dhe të partnerëve tanë të NATO-s në Shqipëri;
  3. Krijimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare brenda vitit 2029, e cila do të jetë një agjenci e koordinimit të Sigurisë dhe inteligjencës;
  4. Si firmëtar i integrimit në NATO, do të mbështes politikat e NATO-s duke rritur shpenzimet reale për mbrojtjen, në interes të sigurisë kombëtare;
  5. Fuqizimi i kapaciteteve të mbrojtjes do të realizohet në ndërveprim me Kosovën dhe do të jetë udhërrëfyesi i forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes;
  6. Do të mundësojmë përmes Reformës në Forcat e Armatosura shërbimin aktiv të të paktën 5000 djemve dhe vajzave për një periudhë kohore prej jo më pak se 4 vitesh. Gjatë kësaj kohe ata do të mund të studiojnë me shpenzimet e Forcave të Armatosura, të marrin profesion, si dhe të vazhdojnë të shërbejnë si rezervistë në Forcat e Armatosura deri në moshën 45 vjeçare.

SHKARKO APP