Lulzim Basha: Me Ramën dhe Partinë Socialiste, kurrë bashkëqeverisje!

-Pas takimit me Presidentin Donald Trump dhe kthimit nga SHBA, lideri i opozitës rrëzon çdo mundësi qeverisje me Partinë Socialiste pas 26 qershorit. 

-I pyetur nga “Koha jone” nëse do bëjë bashkëqeverisje me PS dhe Edi Ramën, kreu i PD-së thotë, ndër të tjera, “JO”.

Marrëveshja Rama-Basha e datës 18 maj, përveç kthesës së fortë të aksionit opozitar të PD-së hapi dhe precedentin për një qeverisje të mundshme mes PS dhe PD pas zgjedhjeve. Detajet se çfarë kanë diskutuar dhe vendosur Rama dhe Basha në paktin muajit maj, edhe sot nuk janë bërë publike për opinionin. Në fjalimet e tyre pas marrëveshjes që u cilësua edhe si pazar Rama-Basha kanë qenë të paqartë se me kë do të qeverisin pas zgjedhjeve. Rama, më shumë se Basha, i ka mëshuar idesë se do të bashkëpunojë ngushtë me PD për reformat kryesore të vendit duke mos përjashtuar mundësinë e një qeverie me bazë gjerë. Por kjo gjë ka sjellë demotivim ndër radhët demokrate dhe të opozitës, pasi mendonin se pazari është bërë dhe kot të lodhen për të mbledhur vota e për të rrëzuar qeverinë e PS-së.

 Ideja e një ndarje pushteti  me PD në mandatin e dytë duket se i leverdisë pikërisht Edi Ramës edhe për të tërhequr pas partisë së tij elektoratin e pavendosur të së djathtës. Basha, i gjendur përballë fushatës zgjedhore që i erdhi papritur dhe debateve të brendshme në PD, javët e para dha mesazhe kontradiktore. Në fjalimet e tij nuk kuptohej qartë se çfarë do të bënte me PD-në pas zgjedhjeve dhe nuk përcaktoi se kë kishte PD-ja kundërshtarë në këtë fushatë elektorale. Fillimisht ai u mor me shumë me LSI se sa me PS dhe kryeministrin. Kjo solli hutim ndër radhët e opozitës.

Por dje, Lulzim Basha i ka dhënë fund përfundimisht dilemës dhe flirtit për qeverisje me PS dhe Edi Ramën. Në mitingun elektoral të Beratit, kreu i PD-së për herë të parë ka deklaruar publikisht se nuk do të ketë asnjë koalicion me PS dhe Edi Ramën. “Mos dëgjoni sirenat që flasin jo për pazare, jo për koalicione, se Republika e vjetër ka ngelur në dorë të Republikës së re. Por në 25 qershor ne do tu japim bërrylin”-tha Basha. I pyetur në mënyrë ekskluzive nga “Koha Jone” nëse do ketë pas datës 25 qershor bashkëqverisje me PS dhe Ramën, ai tha prerë: “Kurrë me Edi Ramën! Opozita do fitojë vetë përballë klikës së krimit dhe drogës”.

Kjo është deklarata e parë e qartë e Bashës që pas datës 18 maj kur bëri takimin e famshëm me Edi Ramën. Tashmë demokratët nuk kanë më dilema për atë që do të ndodh pas 25 qershorit. Por pyetje është çfarë e detyroi Lulzim Bashën që të hezitonte kaq gjatë për tu thënë demokratëve dhe shqiptarëve se nuk do bashkëqeveriste me Edi Ramën.

Arsyeja e këtij ndryshimi të Lulzim Bashës ka vetëm një shpjegim bindës. Deklarata e tij kundër qeverisjes me Edi Ramën vjen vetëm pak orë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas takimit me Presidentin, Donald Trump. Takimi me kreun e Shtëpisë së Bardhë është një garanci për rrugën e Lulzim Bashës si kandidat për Kryeministër. Pas mbështetjes në SHBA, Basha ka bërë llogarinë që duhet të bëjë çdo politikan i një forcë që ka qeverisur dikur vendin. Përderisa ka mbështetjen e SHBA dhe drejton një forcë kryesore, nuk ka më arsye të mbajë me “oksigjen” në pushtet një qeverisje si kjo e Partisë Socialiste, të cilën vet Lulzim Basha e ka sulmuar sii më të keqen e historisë së këtyre 27 viteve. Bile ka thënë se “ do të tërheqë zvarrë këtë kryeministër pas zgjedhjeve të lira. Takimi me Presidentin Trump ishte një mbështetje e hapur ndaj Bashës personalisht, por edhe ndaj opozitës. Por veç kësaj, kreu i PD-së duket se ka marrë edhe garanci të tjera në SHBA lidhur me qëndrimet e opozitës për korrupsionin dhe sidomos çështjen e kanabisit qeveritar.

Në mes të fushatës elektorale Basha u ndërgjegjësua se shanset për fitoren e PD-së nuk rriten duke bërë marrëveshje qeverisëse me Ramën, por vetëm nëse del kundër PS-së. Përkundrazi, ideja e qeverisjes PS-PD goditi gjithë kauzat e Bashës kundër Edi Ramës dhe Rilindjes.

Më në fund Lulzim Basha tha një “Jo” të madhe dhe një “Kurrë” për bashkëqeverisje me PS pas zgjedhjeve. Ndaj kuotat politike i janë shtuar Lulzim Bashës që pas takimit me Presidentin amerikan Trump dhe qartësisë së opozitës për të mos bërë pakt me PS-në.

Tashmë pritet java finale ku lideri i opozitës do ju qartësojë shqiptarëve atë çka deklaroi në mënyrë ekzkluzive për gazetën “Koha jone”.

Qamil Xhani

SHKARKO APP