Lulzim Basha: Nuk ka asnjë pazar me Edi Ramën. Ai duhet rrëzuar me protesta!

Pas qëndrimit të mbajtur nga Edi Rama, ku ftoi kreun e PD-së të realizojnë reformën elektorale, sipas marrëveshjes së 17 majit, sot ka reaguar Lulzim Basha.

Në një komunikim me mediat, kryetari i PD-së hodhi poshtë pazarin me Edi Ramën. Ai deklaroi se marrëveshja me Ramën nuk ekziston më, pasi thelbi i saj ishte sigurimi i votës së lirë, gjë që nuk u bë, ndërsa shtoi se reforma zgjedhore ka përparësi absolute dhe do të bëhet me ose pa miratimin e kryeministrit.

Në deklaratën para mediave, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Basha u shpreh se nuk mund të mendosh se Edi Rama do reformë zgjedhore, dhe këtu shtoi se kryesocialisti është ende kryeministër vetëm falë shitblerjes së votave.

Për Bashën, përparësi absolute është edhe mundësimi i votimit elektronik.

“Reforma zgjedhore është urgjencë absolute dhe duke nisur nga kjo javë ne do nisim konsultimet politike për t’i shtrirë ato më pas me qytetaret. Nuk ka marrëveshje me Ramën. Ky është një cirk. Marrëveshjen ai e shkeli, pasi në thelb kishte votën e lirë. Qëndrimi im për marrëveshjen 18 majit është shprehur nga unë në seancën e parë në Kuvend. Thelbi është se marrëveshja vdiq. Ai bleu votat dhe angazhoi kriminelët”,- tha Basha.

Ai shtoi se “reforma zgjedhore është domosdoshmëri dhe do bëhet do apo nuk do kryeministri. Të mendosh se Rama do reformë zgjedhore kjo është një gënjeshtër e pastër. Votimi elektronik është përparësi absolute. Përtej deklaratave ne kërkojmë nisjen e reformës zgjedhore. Falë shitblerjes së votës Rama është akoma kryeministër. PD ka qene dhe është që gjithkush të gjejë veten”.

Deklarata e Bashës vjen pas qëndrimeve të forta në media dhe nga zëra brenda PD-së për vazhdim të paktit mes Ramës dhe Bashës. Reforma elektorale gjithmonë është hartuar në marrëveshjes mes PS dhe PD, duke dëmtuar partitë e tjera. Kërkesa e Bashës për vijimin e reformës, pa paraqitur konkretisht draftin dhe propozimet, ka shtuar dyshimet për një tjetër pakt mes PS dhe PD. Bile burime të besueshme tregojnë se Basha po përgatitet për protesta për ta rrëzuar Edi Ramën.

Megjithatë për të larguar dyshimet që kanë lindur, Basha thotë se nuk ka marrëveshje. Por Rama nuk harron të kujtoj pazarin e 17 majit në çdo komunikim publik. Mbetet të shihet nëse Basha vërtetë i ka dhënë fund pakteve jo transparente, ku gjithmonë ka dalë i humbur, apo qëndrimet e tij të fundit janë diversione për të larguar vëmendjen nga bashkëpunimi mes PS dhe PD.

Nëse PD pranon variantin e PS del e humbur dhe do të thotë opozitë e përhershme.

SHKARKO APP