Lulzim Basha sqaron se çfarë foli me Sekretarin Amerikan të Shtetit

Pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas takimit me dhënë për Top Channel me gazetarin Sokol Balla dhe disa analistë që ndodheshin të ftuar në studio.

Pyetje – Z. Basha, patët një takim jo thjeshtë të rëndësishëm, jo thjesht historik, por do të thoja një gur kilometrik edhe në CV-në tuaj politike tashmë si kryetar i ri i Partisë Demokratike dhe kryetar i opozitës?

Pa dyshim Sokol, unë dua të falënderoj përzemërsisht sekretarin Kerry, administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mundësuan në një qëndrim kaq të shkurtër në Tiranë, një takim me opozitën me Partinë Demokratike, me mua si kryetar i saj, si një vlerësim i madh për PD-në, për rolin e saj dhe të opozitës në Shqipëri dhe së dyti si një shenjë besimi tek opozita, e cila në çdo vend është edhe alternativa. Për të na dhënë rastin për të diskutuar së bashku prioritetet kyçe të Shqipërisë në betejën e saj për të konsoliduar demokracinë, shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut dhe për të qenë një partnere e denjë, një aleate e denjë, jo thjesht konsumuese por kontribuuese në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

luli

Pyetje –  Basha, lexova deklaratën që ju menjëherë pas takimit, ku i referehoni reformës në drejtësi si edhe luftës kundër korrupsionit, natyrisht në koordinim total me Shtetet e Bashkuara. Kryeministri Rama në deklarimin e tij pas takimit me sekretarin Kerry foli për muajin mars si afatin normal dhe i pranueshëm për kalimin dhe miratimin e reformës në drejtësi. A ndani ju të njëjtin mendim me të?

Diskutimet e mia me sekretarin Kerry u përqendruan në tre çështje kryesore. E para, sfida e madhe që ka Shqipëria për të mposhtur influencën e krimit, në veçanti influencën e krimit në politikë ku Partia Demokratike në opozitë tashmë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe unik do të thoja, për çdo opozitë evropiane, duke qenë flamurtare e kauzës së dekriminalizimit. Pra, të largimit të personave me rekorde të tmerrshme kriminale nga Parlamenti dhe nga të gjitha institucionet e tjera publike dhe ndalimin e garimit apo emërimit të tyre në të ardhmen. Betejë të cilën ne e nisëm e na detyroi te marrim deri masa ekstreme siç ishte bojkoti i Parlamentit, për të arritur ne marrëveshjen e dhjetorit 2014. Do të kishte mbetur ndoshta një betejë e pakurorëzuar në rrafshin formal pa ndërhyrjen dhe mbështetjen e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes përfaqësuesit të tyre këtu, ambasadorit Don Lu dhe përmes të gjitha institucioneve të tjera amerikane i dhanë kësaj beteje të rëndësishme. Ky është një parakusht për çdo reformë tjetër, është kushti i të gjitha kushteve për legjitimimin e hapave të mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë si për sa i përket reformës në drejtësi, çështjes së votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira dhe çështjeve të tjera të cilat mbajnë peng zhvillimin e vendit. Çështja e dytë është ajo e reformës në drejtësi ku Partia Demokratike ka një qëndrim të qartë dhe koherent: atë të mbështetjes pa kushte të një drejtësie të reformuar, të një drejtësie që lufton korrupsionin në nivele të larta dhe kudo, duke përfshirë në gjirin e saj por një drejtësie të pakapur politikisht dhe ku konfirmova edhe një herë angazhimin tonë për një reformë gjithëpërfshirëse me konsensus bazuar në parimet dhe normat e gjithëpranuara të Komisionit të Venecias dhe ku theksova gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për të punuar së bashku në frymën e konsensusit për këtë reformë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Dhe çështja e tretë ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ku Shqipëria nuk mund të bëjë përpara pa zgjidhur këtë nyje që ndan demokracitë në të dështuara apo demokraci të vërteta, ku kërkova dhe mora mbështetjen për angazhimin amerikan për të mbështetur Shqipërinë, për të mbështetur shqiptarët që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje me të vërtetë të lira dhe demokratike.

Pyetje –  Z. Basha, duke iu referuar diskursit të mëparshëm politik çështjes së zgjedhjeve, keni thënë që kjo qeveri me këtë ministër të brendshëm, me këto institucione nuk mund të garantojë zgjedhje të lira. Kur thoni se keni marrë mbështetjen amerikane, keni marrë mbështetjen amerikane që të futeni në zgjedhje të tjera me një kabinet tjetër teknik siç ju keni kërkuar apo bëhet fjalë për diçka me thelbësore dhe më të dakordësuar edhe nga kundërshtarët apo rivalët apo partnerët politikë në këtë rast që janë sot në qeveri.

Së pari për të garantuar votën e lirë dhe të ndershme të qytetarëve shqiptarë ne duhet të garantojmë një set rregullash strikte të cilat nga njëra anë të pamundësojnë influencën e krimit dhe kriminelëve në shprehjen dhe numërimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë, së dyti të parandalojnë fluksin e parave të krimit dhe korrupsionit për të deformuar përmes shit-blerjes së votës dhe mekanizmave të tjera shtypëse vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Këto janë çështje të cilat do të shtrohen dhe për të cilat jam i bindur se do të kenë mbështetjen e partnerit tonë strategjik, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë diskutimit të reformës ku komisioni bipartizan, konsensual bashkëkryesuar nga Partia Demokratike do të ketë rolin e tij. Por, siç e theksoi edhe vetë Sekretari Kerry, në këtë reformë e rëndësishme sikundër në çdo reformë tjetër është jo vetëm të shkruhen rregullat, por ti zbatojmë ato. Dhe unë kërkova vëmendje të vazhdueshme si përsa i përket zbatimit të gërmës së ligjit për dekriminalizimin po kështu shpirtit të ligjit të dekriminalizimit për një ndarje përfundimtare të vendimmarrjes politike nga krimi në çdo nivel institucional por edhe në nivel partiak dhe së dyti për të mbështetur një reformë zgjedhore dhe zbatimin e saj që ti japë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe demokratike të pakontestueshme. Këtu duhet të bini dakord për aktet nënligjore të ligjit të dekriminalizimit të cilat ende nuk po e bëjnë këtë ligj efektiv. Këtu gjeta rastin të vlerësoj mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po na japin. Ju besoj e keni pasqyruar se si para një jave ekspertët amerikanë janë ulur me ekspertët tanë me njerëzit që janë marrë në Partinë Demokratike por edhe nga ana e shumicës me ligjin e dekriminalizimit për të përfunduar një orë e më parë këto akte nënligjore në mënyrë që ky ligj të nisë zbatimin pa vonesë.

Pyetje –  Z. Basha, ju folët për mbështetjen që amerikanët ju japin tek kjo nisëm, që duhet thënë, është një nisëm politike e hedhur në tregun politik të ideve nga opozita.

Ishte një betejë që detyroi opozitën të bojkotojë parlamentin, institucioni më suprem të demokracisë. E detyroi në një masë ekstreme dhe që solli marrëveshjen e 24 dhjetorit 2014 dhe prapë se prapë gjatë një viti në vijim, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjet lokale pati mungesë vullneti dhe ishte pikërisht ndërhyrja dhe mbështetja e fortë nga SHBA që detyroi më në fund arritjen e një konsensusi bazuar gjerësisht mbi draftin e PD-së që njihet sot si Ligji për Dekriminalizim.

Pyetje –  Z. Basha amerikanët po ju kërkojnë të zbatoni një kontratë dhe një dakordësi paraprake që ju keni rënë me ta për sa i përket Ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit. Pas këtij takimi të rëndësishëm me z. Kerry, do t’i qëndroni këtij premtimi që i keni dhënë ju amerikanëve në këtë rast?

Nuk kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës diçka jashtë parimeve dhe standardeve dhe normave të rakorduara siç janë ato të Komisionit të Venecias dhe për sa i përket kësaj çështjeje, trokasin në një derë të hapur. Dera e PD-së, dera e Lulzim Bashës ka qenë dhe është e hapur, ftesa ime ka qenë dhe mbetet për një gjithpërfshirje konsensuale të faktorëve politikë dhe do të thoja që kjo është unike sepse unë jam alternativa ndaj kryeministrit, i takonte kryeministrit ta bënte këtë ftesë. E kam bërë unë këtë ftesë që mbetet akoma pa përgjigje, pra gatishmëria e Partisë Demokratike dhe e imja personalisht është që të ulemi sa më parë për t’i dhënë formë përfundimtare reformës në drejtësi në tërësi në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe pjesë e kësaj pakete janë masat e luftës kundër korrupsionit e në veçanti kundër korrupsionit në nivele të larta siç është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, qëndrimin për të cilin unë e kam bënë kristal të qartë prej ditës së parë.

Pyetje, Skënder Minxhozi – Dua t’ju bëj dy pyetje të cilat ia bëra edhe z. Rama në mënyrë që të kem një përgjigje të të gjithë krahëve politikë të nivelit të lartë pas kësaj vizite shumë të rëndësishme. A mendoni ju se pas kësaj vizite të John Kerry-t në Tiranë ndodhemi më pranë kalimit të reformës në drejtësi dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit? Dhe e dyta, z. Kerry pati një fjalëformim paksa të ngrohtë kur doli në konferencë shtypi me Ramën duke deklaruar pikërisht se ndodheni në rrugën e duhur. Si ish-ministër i Jashtëm, mendoni se kjo  ishte një formulë kortezie apo realisht ka një distancë mes asaj që ju thoni dhe artikuloni dhe keni kohë në të drejtën tuaj që të bëni kriticizëm të fortë ndaj qeverisë, pra si e shihni këtë qasje dhe këtë pozicionim të amerikanëve ndaj asaj që ndodh  aktualisht për sa i përket standardeve demokratike dhe ecurisë përgjithësisht të Shqipërisë.

Po e nis me pyetjen e fundit z. Minxhozi, si njohës i mirë i gjuhës diplomatike, si kryetar i opozitës, si njohës i kulturës politike i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të them me përgjegjësi të plotë se SHBA nuk e kanë vesin e atribuimit të të mirave apo të të këqijave veçanërisht gjatë vizitave të tilla në një krah politik apo në tjetrin. Është e pamohueshme që Shqipëria ka ecur përpara, është sot anëtare e NATO-s, ka statusin e kandidates për Bashkimin Europian, ndërkohë që ka sfida më të rëndësishme për të kapërcyer.

Dhe Sekretari Kerry i përmendi këto sfida, përmendi ligjin për largimin e kriminelëve nga politika siç u shpreh edhe ai vetë,  që është një arritje jashtëzakonisht e mirë por që duhet zbatuar nuk duhet të mbetet në letër. Përmendi prioritete të tjera të Shqipërisë siç është reforma në drejtësi. Ndaj mendoj se bashkë me inkurajimin për të vazhduar në një rrugë që Shqipëria e ka nisur tash e 25 vite, rrugë nga e cila as nuk duhet të ndalemi as nuk duhet të bëjmë kthesa të rrezikshme nëpër rrugicat qorre të oligarkisë apo të regjimeve hibride, apo të aleancave me krimin apo të korrupsionit, nga ana tjetër ka kërkuar që Shqipëria të vazhdojë të përparojë me reformat.

Shqipëria me një drejtësi të reformuar, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, Shqipëria ku korrupsioni luftohet dhe nuk lufton qytetarët duke i zhvatur dhe duke i grabitur nga pasuritë publike është Shqipëria e cila nuk konsumon por kontribuon në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontribuimi i parë vjen duke u konsoliduar si një demokraci funksionale si një shtet ligjor i cili bazohet tek ligji dhe vetëm tek ligji dhe jo tek vullneti i njëshit apo vullnetit personal të politikanëve. Dhe këtu SHBA tek PD dhe Lulzim Basha kanë dhe do të kenë gjithmonë një faktor të besueshëm dhe të vendosur për të mbështetur reformat që vendi ka nevojë për të ecur përpara. Reforma të cilat nuk ndodhin ne vakum por ndodhin sipas standardeve dhe normave të përcaktuara qartë si nga partnerët tanë ashtu edhe nga BE dhe në këtë rast nga Komisioni i Venecias.

Pyetje, Minxhozi- Pyetja e dytë, a ndodhemi më pranë pas kësaj vizite të John Kerry-it në Tiranë, të kalimit të reformës dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit?

Z. Minxhozi unë nuk jam fallxhor dhe nuk mund të shtij fall se çfarë do të ndodhë pas kësaj vizite në kampin e kundërshtarëve tanë politikë. Por mund t’ju them se qëndrimi im para kësaj vizite, gjatë kësaj vizite dhe pas kësaj vizite është ajo që kam patur gjithmonë. Të punojmë së bashku me konsensus për një reformë e cila duhet të zgjasë më shumë se jeta e kësaj mazhorance, mazhorancës së ardhshme, apo çdo mazhorance tjetër në dekadat që vijnë. Kemi një kornizë që janë rekomandimet e Venecias. Partia Demokratike dhe unë jemi përkushtuar për zbatimin e plotë të kësaj kornize dhe kur mazhoranca, kur z. Rama si kreu i ekzekutivit dhe i partisë më të madhe në mazhorancë të jetë gati, apo zoti Meta si aleat i tij dhe pjesa tjetër e koalicioni të jenë gati, Partia Demokratike është gati për të dhënë kontributin e saj.

Pyetje – Z.Basha, një pyetje disi politike por edhe personale. Fakti që ju ishit përballë këtij takimi kaq të rëndësishëm do të thoja më i rëndësishmi i juaji në karrierën si kryetar i Partisë Demokratike dhe ishit në këtë takim pa Sali Berishën, i cili konsiderohet një faktor me ndikim edhe në partinë tuaj dhe në lidershipin tuaj. A përbën ky një hap cilësor edhe në vetëvlerësimin që ju keni për rolin që ju kanë besuar shqiptarët si alternativë.

Mendoj se takimi ndodhi në suazën e një normaliteti. Unë jam kryetar i Partisë Demokratike me një mandat demokratik nga anëtarët e partisë time, jam kryetar i opozitës dhe ky ishte një takim në suazën e normalitetit, së bashku me ekipin e bashkëpunëtorëve të mi, dy nënkryetarëve të Partisë, n/kryetarit të Komisionit me Marrëdhëniet me Jashtë, dhe zëdhënëses së Grupit Parlamentar.

Pyetje – Kam një koment për një Tëitter të fundit të John Kerry-it. Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur z. Basha, falë edhe kontributit tuaj sigurisht.

Optimizmi i mikut tonë Sekretarit të Shtetit Kerry, Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet justifikuar me vepra dhe jo me fjalë, tashmë me brendësi, me përmbajte dhe jo me fasada.  Partia Demokratike dhe Lulzim Basha janë gati. Natyrisht duhet që edhe pala tjetër të reflektojë thellësisht për mesazhet e sotme të Sekretarit Kerry, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe t’i japim fund një kulture politike të këtyre dy viteve e gjysmë kur bashkëpunimi dhe konsensusi me opozitën janë futur  në një karantinë politike, kur shtrirja e dorës mungon dhe kur opozita e cila nga pozitat parimore të standardeve demokratike kërkon bashkëpunimin, refuzohet në këtë ofertë. Ndaj le ta lexojmë optimizmin e Sekretarit Kerry si një shtytje për të gjithë ne. Unë kështu e lexoj dhe jam gati të bëj së bashku me Partinë Demokratike, së bashku me opozitën, së bashku me qytetarët shqiptarë atë që duhet në këtë drejtim. Shpresojmë që qeveria të ketë vullnetin të bëjë të njëjtën gjë.

SHKARKO APP