Lulzim Basha: Të arrestohet kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar sot aksionet e policisë në gjithë vendin. Në një prononcim për mediat, Basha tha se personi që duhet të arrestohet është kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

“Aksioni është kryer përgjysmë. Peshku i madh që duhet të arrestohet është Vangjush Dako. Dako është provuar se është kapur në përgjime me krerët e bandave që janë arrestuar. Prokuroria po mbyll dosjen për Dakon dhe po lehtëson dënimet për të arrestuarit. Dosja “Dako-krimi i organizuar” po shfryhet me disa peshq të vegjël”,- tha Lulzim Basha.

Kryedemokrati tha se opozita ka denoncuar disa kohë më parë lidhjen e Vangjush Dakos me bandat që janë goditur dje nga Policia e Shtetit. Sipas tij, kemi të bëjmë me një aksion selektiv që ka si qëllim fshirjen e provave për kryebashkiakun e Durrësit dhe lehtësimin e akuzave për personat që janë ndalur dje nga Policia e Shtetit. Basha i cilësoi personat e arrestuar nga policia si “peshq të vegjël”, ndërsa shtoi se “peshku i madh” është kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Video/Deklarata e kreut të PD për gazetarët

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/345556156203076/

Komunikimi i plotë i kreut të PD me gazetarët

Pyetje: Komenti juaj për këto aksione të policisë të cilat rezultojnë me arrestimin e dy ish-deputetëve të PS por edhe me disa eksponentë të botës së krimit? 
Basha: Dosja hetimore mbi të cilën është vepruar përgjysëm natën e mbrëmshme, është dosja hetimore e Vangjush Dakos.
Peshku i madh i kësaj dosje është Vangjush Dako, i cili, siç kam paralajëmruar tash dy vjet, është kapur në flagrancë në përgjime zyrtare të Prokurorisë shqiptare dhe të partnerëve ndërkombëtare, në transaksione politike dhe financiare me krimin e organizuar.
Pra, në shkëmbim të votave për Partinë Socialiste, duke iu ofruar tendera dhe të tjera lehtësira grupeve kriminale të krimit të organizuar shqiptar.
Pra, peshku i madh i kësaj çështje quhet Vangjush Dako, të tjerët janë peshq të vegjël të cilët po serviren si pjesë e përpjekjes së Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës, për të shpëtuar peshkun e madh të kësaj dosje Vangjush Dakon dhe për të shkatërruar provat, hetimet, të cilat çojnë dhe duhet të çojnë në arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos.
Kjo është e vërteta!
Ky është realiteti që kam denoncuar tash dy vjet. Kjo është një nga dosjet që ka marrë përsipër të shkatërrojë Donika Prela.
Ndaj, ngjarjet e mbrëmshme nuk janë gjë tjetër vetëm se pjesë e skenarit të shkatërriimt të dosjes hetimore ndaj peshkut të madh të kësaj dosje që quhet Vangjush Dako.
Peshqit e vegjël që kanë arrestuar mbrëmë, do të lirohen dhe akuzat do t’u lehtësohen. Është e gjitha pjesë e një përpjekje të Prokurorisë të kapur nga krimi dhe nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa.
Sot ne faktikisht nuk kemi një Prokurori të Krimeve të Rënda, kemi një celulë kriminale e cila i shërben pikërisht këtij plani: që duke i servirur opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtare disa peshq të vegjël të cilëve prapë se prapë do t’i lehtësohen akuzat dhe do të lirohen, siç ka ndodhur në të gjitha rastet e derisotme, të mbyllet hetimi për Vangjush Dakon dhe të paktën katër depuetët të tjerë socialistë, si pjesë e kësaj dosje hetimore.
Të njëjtin fat i presin edhe dosjet e tjera hetimore, të cilat ngarkojnë drejtpërdrejt me përgjegjësi kriminale Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj, dhe natyrisht edhe hetimet për Sajmir Tahirin dhe Agron e Fatmir Xhafajn.
Asgjë të re nuk kemi përveçse një përpjekje propagandistike për ta shfryrë dosjen Dako-Krimi i Organizuar, në një dosje peshqish të vegjël dhe ndonjë peshk i ngordhur që edhe ata do t’i lehtësojnë dhe do t’i nxjerrin shumë shpejt në arrest.
Pyetje: Z. Basha, por përse i paragjykoni operacionet? Ambasadori i BE-së në Tiranë pati vlerësime maksimale për operacionet… 
Basha: Unë nuk paragjykoj asgjë. Unë ju kam thënë para dy vjetësh, që ka një dosje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për Vangjush Dakon. Unë ju kam thënë para dy javësh, që po bëhet gjithçka për ta shkatërruar këtë dosje.
Dhe ajo që ndodhi mbrëmë është pikërisht kjo, mosarrestimi i Vangjush Dakos dhe manipulimi i dosjes hetimore, për t’ju ushqyer ju dhe nëpërmjet jush shqiptarët dhe disa peshq të vegjël është pikërisht ajo që po ndodh.
Nuk ka asnjë paragjykim këtu, por ka faktim të asaj që kam thënë prej kohësh, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa, bashkë me Donika Prelën e cila ka qenë prokurore në Durrës, të bëjnë gjithçka që hetimi për Vangjush Dakon të degjenerojë në arrestimin e përkohshëm të disa ish-deputetëve dhe disa cironkave të tjera.

Rama i drejtohet Bashës: Shpif, shpif se lirohesh!

Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter pas deklaratës së Lulzim Bashës se operacionet e policisë janë pjesë e skenarit për të shkatërruar dosjen ndaj Vangjush Dakos.

“Shpif, shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s’ka më peshk se rob jo e jo, që s’e ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë! Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet”, shkruan Rama në rrjetin social.

Detajet e Policisë së Shtetit për operacione 

Reagimi i Lulzim Bashës erdhi pas publikimit të bilancit të operacionit që u zhvillua dje. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një deklaratë për mediat tha se, operacioni i koduar me emrin “Vol-vo 4” u shtri në 12 qytete. “Janë arrestuar 27 shtetas, janë shpallur në kërkim 6 të tjerë dhe është goditur laboratori i heroinës në Has. Mijëra orë përgjimi, vëzhgimi me dron dhe korrespondenca me agjenci brenda dhe jashtë vendit. Në këtë operacion morën pjesë 1500 forca policore”, deklaroi Veliu.

Plot 1500 forca policie dhe forca të ndërhyrhes së shpejtë, morën pjesë në operacionin për shkatërrimin e 4 grupeve kriminale. Bëhet fjalë për 44 shtetas, ndaj të cilëve gjykata ka firmosur masën e sigurisë ”arrest me burg”. Gjithashtu u kërkua dhe realizimi i kontrollit të banesave të 44 personave dhe 22 të dyshuar. Operacioni u shtri në 12 qytete nga Hasi në Sarandë. Janë goditur 4 grupe kriminale.

Një grup personash kanë kryer edhe falsifikime të dokumenteve dhe për këtë shkak është arrestuar Arben Ndoka, Zef Ndoka, Vasil Lika, Kolë Lleshi dhe katër të tjerë janë në kërkim, punonjës të hipotekave. Nga të dhënat ka rezultuar se ka korrupsion në bashki, gjykata dhe institucione të tjera.

Personat e arrestuar

Të arrestuar në flagrancë janë 5 shtetas për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale:

  1. Vehbi Berushi, 57 vjeç
  2. Flamur Çela, 48 vjeç
  3. Xhevit Shuti, 48 vjeç
  4. Mustaf Shuti, 76 vjeç
  5. Anila Shuti, 42 vjeç

U shpallën në kërkim 4 persona: 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar. Të arrestuar për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale janë 18 persona:

  1. Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin“Cine”, nga Shijaku;
  2. Shkëlqim Avdyli, me pseudonimin“Kiçi”, nga Shijaku;
  3. Denis Llaftiu, nga Shijaku;
  4. Fatos Llaftiu, nga Shijaku;
  5. Hajri Seferi, nga Shijaku;
  6. Petro Kuci, alias Abedin Kuçi, nga Delvina;
  7. Ilirjan Prifti, nga Fieri;
  8. Elton Shehaj, nga Tirana;
  9. Armand Spiro, nga Tirana;
  10. Astrit Balliu, alias Avdyli, Sulejmani, me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku;
  11. Altin Avdyli, me pseudonimin“Niçja”, nga Shijaku;
  12. Saimir Gjepali, nga Shijaku;
  13. Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, me pseudonimin“Xhevi”, nga Lezha;
  14. Esat Mehmeti, me pseudonimin“Çakja”, nga Fieri;
  15. Saimir Sulejmani, nga Fieri;
  16. Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin“Nita”, nga Tirana;
  17. Elis Bahushi, nga Elbasani;
  18. Elis Guri, nga Shkodra.
  19. Artur Balla, nga Elbasani.

Gjithashtu u shpallën në kërkim 2 shtetas: M.Z., dhe P.S. Në kuadër të këtij mega operacioni, ku u goditën këto 4 grupe kriminale, është zbuluar edhe implikimi i 3 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale:

  1. Ardit Gjyriqi, nga Tirana;
  2. Jasin Abdul, nga Saranda;
  3. Bledar Koçi, nga Lushnja.

Ndërkohë në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar më herët edhe 12 persona për vepra të ndryshme penale që lidhen me fushën e narkotikëve.

SHKARKO APP