Lulzim Basha: Trafikantët e drogës drejtojnë ekonominë dhe qeverinë. Jemi në gjendje alarmi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë nga selia e PD këtë të shtunë në mbrëmje, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë propagande miliona euroshe për të fshehur përgjimet e frikshme të publikuara nga gazeta “Bild”.
Basha u shpreh se krimi elektoral i Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Ulsi Manjës, Xhemal Qefalisë, Vangjush Dakos dhe të tjerëve, nuk mund të fshihet me propagandë naziste.
“Prej disa ditësh në hapësirën publike shqiptare po zhvillohet një fushatë agresive nga Edi Rama dhe makineria e tij prej milona eurosh e propagandës për të shpërqendruar opinionin publik dhe mbuluar krimet e rënda që kanë ndodhur në bashkëpunim mes qeverisë dhe Partisë Socialiste, dhe krimit të organizuar. Kjo propagandë është një kopje e parimeve dhe metodave të propagandës naziste për të justifikuar krimet shtetërore. Qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale”,- tha Basha.
Kreu i PD-së tha se asnjë nga krimet nuk do harrohet, por do të ndëshkohen. “Me një arrogancë dhe shpërfillje ekstreme ndaj zgjuarsisë së njerëzve, bisedat për koordinimnin e vjedhjes të zgjedhjeve mes kokave politike të vendit me vrasës e trafikantë e të tjerë po shiten si biseda të pafajshme të politikanëve me votues apo të drejtuesve të qeverisë dhe vartësve të tyre. Një linjë tjetër e propagandës kriminale qeveritare dhe mercenarëve të tyre është relativizimi i krimeve që kanë ndodhur. Përmes pretendimit se vjedhja e zgjedhjeve nuk është gjë në lidhje me krimet e tjera të politikës. Si pjesë e kësaj strategjie sulmohet opozita, deri edhe me akuza të montuara politike, që qytetarët të mendojnë se janë të gjithë njësoj dhe marrëdhënia mes vrasësve dhe trafikantëve me qeveritarët nuk është ndonjë tmerr i madh. Qëllimi tjetër i propagandës me frymëzim gëbelsian të qeverisë është paraqitja e situatës si normale. Ka një përpjekje për ta trajtuar vjedhjen e zgjedhjeve si dicka të zakonshme, si dicka normale, me shpresë që do kalojë dhe do harrohet. Këto teza i përhapin vetë njerëzit e përfshirë në krim dhe të gjitha levat e tyre në media dhe në jetën publike”,- deklaroi Basha.
Basha tregoi lidhjet kriminale financiare mes qeverisë dhe bandave që blenë zgjedhjet. “Shteti u dha Avdylajve edhe mundësinë të përdorin dhe pastrojnë paratë e krimit duke ju dhënë leje ndërtimi dhe leje të tjera, direkt apo indirekt në emër të tyre. Mbi katër leje ndërtimi ka marrë banda e Avdylajve nga Vangush Dako. E njejta gjë në Peshkopi. Imer Lalës dhe të tjerëve shteti u dha licensën të kultivonin dhe trafikonin drogën. Madje policia direkt u ka afruar këtë pazar kriminelëve: na ndihmoni të vjedhim vota dhe jeni të lirë të mbillni kudo kanabis. Vjedhja e votave ka çuar në kapjen e shtetit dhe të ekonomisë nga krimi”,- tha Basha.
Ai shtoi se “trafikantët e drogës sot financojnë direkt apo indirekt kompani ndërtimi, projekte zhvillimore, kompani minerare, kompani transporti, televizione, koncesione publike, punë publike, janë në naftë në minerale ne rezorte turistike dhe në zhvillimin e pronave. Jo pak biznese tani kanë bërë aleanca me kriminelët për menaxhimin dhe mbrojtjen e bizneseve të tyre sepse krimineli u ofron atyre edhe forcën e dhunës, edhe mbrojtjen e shtetit”.
Kreu i PD-së deklaroi se nuk mund të ketë negociata me njerëz që kanë kryer krime të tilla. “Prandaj, hetimi i vjedhjes së zgjedhjeve nuk do jetë kurrë i plotë pa hetuar në thellësi bashkëpunimin ekonomik të krimit me shtetin, si shpërblim për vjedhjen e votave. Drejtësia nuk mund të bëhet pa zbuluar të gjithë shtrirjen e konspiracionit krim-qeveri”,- deklaroi kreu i PD.
Në konferencën për mediat, kreu i PD-së falënderoi dhe qytetarët që morën pjesë dje në mitingun e opozitës kundër qeverisë “Rama”. “Ishim të gjithë shembull i qytetarëve të përgjegjshëm dhe i kurajës për të patur një qeveri që buron nga vullneti i njerëzve dhe qeveris në interes të njerëzve. Dua të falenderoj mijëra shqiptarë në Shqipëri, dhe bashkatdhetarët që jetojnë kudo në botë për mesazhet e mbështetjesh që më kanë dëguar dhe në emër të tyre ju përcjell bindjen se përpjekja jonë është jo vetëm me rëndësi kombëtare, por ka edhe mbështetje kombëtare”,- tha Basha.