Lulzim Basha:”Nuk hyjmë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka këmbëngulur në kërkesën për zgjedhje të parakohshme, duke paralajmëruar edhe për një bojkotim të mundshëm të tyre. Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në Report TV, Basha është shprehur se “nuk hyjmë në zgjedhje me Ramën kryeministër”.

Basha u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së djeshme, por thotë se ky takim nuk ka shërbyer për të ndryshuar qëndrimin e të djathtëve për Reformën në Drejtësi.

“Nuk ka reformë në drejtësi pa konsensus”, thotë Basha.

Ai shton se gjatë takimit në “Rogner” zyrtari i lartë amerikan e konsideroi arritje të Partisë Demokratike miratimin e ligjit të dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike.

Strehimi i muxhahedinëve në vendin tonë është një hap pozitiv sipas Bashës. Ai thekson se për zhvendosjen e tyre në Shqipëri është arritur marrëveshja me SHBA­në që në kohën e qeverisë së djathtë që drejtohej nga Sali Berisha.

Për kryedemokratin, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja kundërpërgjigje ndaj një qeverie që është e korruptuar dhe që e ka zhytur vendin në varfëri. Ndaj Basha kërcënon për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2017.

“Nuk hyjmë në zgjedhje me Ramën kryeministër”, ishte deklarata e fortë e kryetarit të partisë më të madhe të opozitës.

Në radhët e të djathtëve pati kritika ndaj Bashës se nuk konsultohet për qëndrimet që shpreh publikisht për procese të rëndësishme në vend, por lideri i opozitës thotë se për çdo vendim konsultohet me ish­kryeministrin Sali Berisha, por edhe me kryesinë.

Megjithatë, Basha thekson se “është sovran në vendimet e tij poltike”.

Ai thotë edhe se qeveria gënjen për projektin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi opozita nuk ka rënë plotësisht dakord për projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave. I pyetur se përse nuk i përgjigjet kërkesës së mazhorancës për të nxjerrë ai projektin për Byronë, Basha përgjigjet shkurt: “S’jam noter i Ramës”, duke shtuar se për ngritjen e këtij institucioni që do të hetojë korrupsionin në radhët e zyrtarëve të lartë është rënë dakord vetëm parimisht.

Të mërkurën qeveria bëri publik projektligjin për Byronë, e cila do të jetë në varësi të Policisë së Shtetit dhe të prokurorisë. Pika që i ndan demokratët në këtë nismë është vendosja e Byrosë së Hetimit në varësinë e plotë të Prokurorisë, kjo sipas tyre e kërkuar edhe nga Komisioni i Venecias.

SHKARKO APP