Lutfi Haziri: Emri i kryeministrit të Kosovës kalon nga zyra e LDK!
Takimi i pestë i grupeve punuese LDK – VV do t’i gjejë dy partitë, që po pretendojnë të qeverisin së bashku, në një ambient të tensionuar. Pozita e kryeministrit ende po vihet në tryezë nga Lidhja Demokratike e udhëhequr nga Isa Mustafa. Vetëvendosja po shprehet, ndërkaq, më e matur në deklarata, shkruan Gazeta Express.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i njohur si më i zëshmi kundër koalicionit VV – LDK para zgjedhjeve, si duket nuk ka ndryshuar qëndrim as tani kur këto dy parti veç se janë marrë vesh që të fillojnë diskutimin për ta formuar qeverinë.
Pavarësisht se deri më tani janë mbajtur katër takime e është harmonizuar programi në fusha të ndryshme, Haziri nuk po heziton ta provokojë situatën duke e vënë në tavolinë pozitën e kryeministrit. Kjo deklaratë e tij vjen pasi që LDK-ja e VV-ja ishin dakorduar se ai që del i pari nga zgjedhjet është edhe ai që do të mbajë pozitën e të parit në qeveri.
Haziri shfrytëzoi vikendin, dy ditë para takimit të ardhshëm, që të thotë se emri i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së.
“Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së”, ka shkruar Haziri në Facebook, derisa, ka publikuar një foto në krah të shefit të tij në parti, Isa Mustafës.
Shkurtimisht atij i është përgjigjur pak orë më vonë Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes. Haxhiu tha se emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor.
“Ajo që tashmë është e qartë… emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”, deklaroi Haxhiu.
Këto dy deklarata të dhënë nga figura të rëndësishme në të dy partitë u panë si tensione në mes të parnerëve që po diskutojnë për koalicionin.
Megjithatë, LDK-ja e VV-ja nuk e kanë anuluar takimin që e kishin caktuar për sot. Grupet punuese të Vetëvendosjes do t’i shkojnë sot në konak partisë së Isa Mustafës, pavarësisht deklaratave të nënkryetarit të LDK-së.
Javën e kaluar kur u diskutua për sundimin e ligjit e sigurinë, dy partitë bënë të ditur se sot do të diskutojnë për kulturën e arsimin. Një gjë e tillë megjithatë ende nuk është konfirmuar.
LDK-ja e VV-ja që pas 6 tetorit kanë filluar takimet fillimisht në nivel të liderëve e pastaj mes grupeve punuese për t’u dakorduar për programin qeverisës. Deri më tani janë zotuar se do të krijojnë një qeveri me 12 ministri. /Express/