Mafia në Durrës,koka në Tiranë!

Mbrëmë në Elbasan u bë një masakër e vertetë; tre të vrarë dhe katër të plagosur. Të veshur si “policë” u vranë mes tyre dy fise. Ndërsa kryeqendra e vrasjeve, drogës dhe mafias mbetet Durrësi .Qyteti i bregdetar është tronditur gjatë muajve të fundit nga disa vrasje dhe ngjarje të rënda kriminale. Kjo është arsyeja se përse Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, dje në takimin me prokurorët e këtij rrethi është ndalur më gjatë për analizën vjetore të organit të akuzës. Por ndryshe nga herët e tjera, duke folur për krimin, Prokurori i Përgjithshëm ka pranuar se grupet kriminale në këtë qytet kanë bashkëpunime me zyrtarë publikë, çka mund të sjellë dhe pengimin e hetimeve.

  “Duhen të zbulohen motivet e vrasjeve dhe përplasjeve të tjera me pasoja të rënda. Në këtë kuadër, kërkohet prej jush një impenjim më i madh në evidentimin e interesave pasurore të personave të dyshuar si anëtarë të këtyre grupeve kriminale. Prokuroria e Përgjithshme e kupton më së miri se kjo është një sfidë e vështirë, pasi grupet kriminale kanë aftësinë që të bashkëpunojnë me zyrtarë publikë dhe hetimet jo gjithnjë ecin me ritmin e duhur”,- tha dje Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Kjo është akuzë e  rëndë dhe duket se priten arrestime edhe në nivele të kupolës që rri në Tiranë, duke përdorur Durrësin.

Ardatik Llalla la të kuptohet se Durrësi për shkak të aktivitetit kriminal mund të cilësohej dhe si “kryeqendra” e krimit. Ai foli për disa grupe që veprojnë këtë territor dhe kanë arritur të sfidojnë hapur shtetin. Sipas tij, nuk është vetëm trafiku i drogës ku veprojnë këto grupe, por edhe çështje të pronave dhe aktiviteteve të tjera ekonomike. “Dyshohet se vrasjet e ndodhura në qendër të qytetit janë rrjedhojë e përplasjeve për trafikun e lëndëve narkotike, si edhe për përfitime të padrejta të pronës. Janë disa grupe kriminale që dyshohet se veprojnë në zonën e Durrësit, të cilët tashmë po tentojnë hapur të sfidojnë autoritetin e shtetit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale”,- tha Llalla. Kryeprokurori kërkoi që të hetoheshin dhe pasuritë e këtyre grupeve kriminale.

Deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm është ndër të rrallat ku flitet në mënyrë të hapur për grupe që po sfidojnë shtetin, por edhe që kanë lidhje me zyrtarë publikë. Megjithë gjuhën e kujdesshme të kreut të organit të akuzës, termi zyrtarë publike nënkupton politikanë (drejtorë të përgjithshëm, deputetë, ministra) dhe njerëz që përfaqësojnë institucionet shtetërore. Kjo deklaratë bëhet edhe më e rëndë duke parë natyrën e krimeve që kanë ndodhur në Durrës. Bëhet fjalë për rrëmbime personi, ekzekutime dhe vrasje që ende nuk janë zbardhur plotësisht. Në muajin dhjetor, dy të rinjë, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj u vranë sapo dolën nga një kafene. Në javën e parë të Janarit Gazmend Çollaku u rrëmbye nga disa persona me uniforma policie e më pas u gjet i vrarë në një fshat të Krujës. Për këtë ngjarje, mes të dyshuarvë është dhe një ish-drejtues i lartë i policisë i shkarkuar nga detyra në vitin 2013, ndonëse ai e ka mohuar.

Por kreu i organit të akuzës, nëse ka pasur parasysh vetëm këto ngjarje, foli për zyrtarë duke nënkuptuar se janë njerëz që janë në detyrë. Nëse rezulton se zyrtarë të shtetit dhe politikanë janë përfshirë në këto vepra nuk kemi të bëjmë me disa vrasje për “larje hesapesh”, por për krim të organizuar që po njeh një nivel të ri. Ndaj dhe krimet e ndodhura në qytetin bregdetar duket se fijet i kanë të lidhura në Tiranë. Durrësi është qyteti i doganës dhe rrugëve detare e ku gjithmonë ka qenë një nga pikat ku bashkohen shumë interesa të krimit ekonomik. Jo rastësisht, Llalla dje shigjetoi dhe doganat se nuk kanë bërë asnjë denoncim për korrupsionin dhe veprat e tjera penale.

Vizita e djeshme e kryeprokurorit në Durrës mund të merret dhe si sinjal. Një javë më parë ishte në Korçë ku paralajmëroi dhe arrestime të zyrtarëve të lartë. Pak ditë më pas në pranga përfundoi një ish-ministër i akuzuar për shpërdorim detyre. Radhën dje e kishte Durrësi, por trokitja e prangave do ndjehet në Tiranë.

Cilin zyrtar do të arrestojë prokuroria që punon për llogari të grupeve kriminale?

SHKARKO APP