Pandeli Majko mesazh për Ilir Metën dhe reagimi i Manjanit për Ramën

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani nuk i ndahet monitorimit të akuzave që po ‏artikulojnë socialistët ndaj Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, dhe i kujton Edi Ramës se Meta mandatin e Presidentit e merr në datën 24 korrik, kur dhe është dita që ai do të betohet në Kuvend.

Deri atëherë detyrën e Presidentit të Republikës është Bujar Nishani. Por për Manjanin, as kaq nuk e dinë socialistët, që vijojnë ta akuzojnë Ilir Metën, si President që është përfshirë në fushatën zgjedhore në një kohë që ai nuk është ende President.

“Futja e Presidentit në fushatë!!” B.Nishani nuk po bën fushatë për askënd! I. Meta është President me 24 Korrik. As kaq nuk e dinë?!!”- shkruan Manjani.

Ndërsa Pandeli Majko është një tjetër politikan nga rradhët e Partisë Socialiste i cili ka reaguar për deklaratën e Metës për armatosje të popullit. Në një mesazh të gjatë publikuar në “Facebook”, ai i ka përcjellë Presidentit Meta, një mesazh të gjatë ku ngre shqetësimin e tij në lidhje me këto deklarata që ai i quan destabilizuese.

Statusi i plotë i Majkos:

SHENIM PER PRESIDENTIN…META

Thellësisht i shqetësuar për deklarimet dhe protagonizmin e njëanshëm të presidentit të zgjedhur, Ilir Meta. Akuzat dhe paralajmërimet destabilizuese që ai po hedh këto ditë nuk i shërbejnë Shqipërisë. Ato habisin të huajt, fyejnë vendin dhe degradojnë marrëdhëniet politike.

Si politikan i vjetër, ai duhet tja lërë pasionin e garës politike kolegëve që e zëvendësuan në Partinë e tij. Presidenti i zgjedhur, nuk i takon më pjesës por të tërës.

Akuzat apo paralajmërimet nga podiume partiake janë të papërshtashme në rastin më të mirë. Presidenti i zgjedhur duhet ti lërë mënjanë “bombat” për mosdekretim qeverish dhe armatosjen e popullit…

Si rregull, Presidenti shprehet për ato që ndodhin dhe jo për të kundërtën. Ai nuk është as gjykatës dhe as gjykatë. Qëndrimet e tij nuk janë gjykime emocionale por detyrime kushtetuese.

Kritikat e një presidenti të sapozgjedhur për kryeministrin e vendit të tij nuk lexohen së pari në mediat fqinje. Punët e shqiptarëve zgjidhen në shtëpinë e tyre ku Presidenti i Republikës është një figurë qëndrore. Ai përfaqëson unitetin kombëtar dhe jo marrëdhëniet me fqinjët.

Ajo që nisi si tur falenderimesh nga zoti Meta nuk ka pse kthehet në tur fyerjesh për ata që e zgjodhën. Presidenti i zgjedhur duhet të lërë LSI në fatin e vet politik dhe të përgatitet për “kujdestarinë” e Shqipërisë.

Uroj reflektimin të presidentit të zgjedhur. Gjakftohtësia është cilësi që nuk është e shkruajtur në Kushtetutë. Kjo nuk justifikon të kundërtën.

SHKARKO APP