Majlinda Bregu sulmon dhe masakron Lulzim Bashën në Facebook

Majlinda Bregu ka reaguar pas letrës së eurokomisionerit Johannes Hahn, duke vënë theksin se shqetësimet i drejtohen edhe Partisë Demokratike.

Bregu e ka nisur shkrimin e saj në Facebook, duke u shprehur se kjo ishte një letër e trishtë.

Ish-ministrja e Integrimit shkruan se Europa vendosi të na bjerë kokës, duke thënë se zgjedhjet e 18 qershorit do të bëhen edhe pa opozitën, pasi u përpoq me të gjitha format që t’a bindë PD-në të futet në zgjedhje.

“Është e pamerituar kjo e keqe që i ndodhi sot partisë së parë antiopozitare në Shqipëri.

Eshtë i rëndë ky qëndrim për të gjithë ata qindra e mijëra demokratë që shkulën diktaturën me ëndrrën për t’u bashkuar me perëndimin e mohuar dhunshëm prej vitesh.

Eshtë e pamerituar për të gjithë ata që e lanë rininë e tyre burgjeve të regjimit komunist vetëm pse donin Europën, e dolën me thinjat e pritjes për ta shijuar më në fund atë.

Eshtë i papranueshëm ky qëndrim për të gjithë ata burra e gra që u vranë pa gjyq, pse guxuan të mendonin ndryshe.

Eshtë e pameritur për të rinjtë që po mbeten ende në udhëkryq e për të gjithë ata punonjës të institucioneve shqiptare, që kanë punuar ndër vite, ore e pa orë, për ta afruar Shqipërinë me Europën me të gjitha standartet që kërkon ajo”- shkruan Bregu.

Në statusin e saj, Bregu citon fjalën e Johannes Hahn: “Le të jemi të qartë. Përgjegjësia do të jetë e liderve, nëse ata do të shkelin aspiratat legjitime të popullit, për një jetë më të mirë”.

“Europa sot e drejtoi gishtin nga PD-ja, – shkruan Bregu –  por u bën thirrje shqiptarëve (të gjithë demokratëve) të mos bien në të njëjtën humnerë me të!!!!”

Deputetja e PD-së, shprehet se qan hallin për qindra mijëra demokratë që nuk donin partinë e tyre rrugëve. Sipas Bregut, ishte Lulzim Basha ai që e deshi në çadër dhe jo në parlament, në mosbindje civile e jo në zgjedhje.

“U gëzua nga e ashtuqujtura “fitore e Kavajës”, që veç si e tillë s’duhej festuar asnjëherë.
Sot ne nuk e meritonim këtë!
Ikja nga beteja për asnjë arsye nuk është rezistencë ndaj kësaj maxhorance të frikshme, as përballje me Edi Ramen, por dorëzim para të keqes që ka zaptuar të përditshmen e shqiptarëve, duke i dhënë një pushtet të pakufizuar të vetmit që pushtetin e lakmon dhe me të tallet” –
vazhdon ajo, duke vënë theksin tek pushteti i pakufizuar që merr Edi Rama pa opozitën.

Bregu shkruan si do të jetë parlamenti i nesërm.

Parlamenti i nesërm do të jetë i pari në 27 vjet ku “demokracia” do të përdoret për të ç’ rrënjosur demokracinë! Dhe jo vetëm s’do ketë pikë vullneti të luftojë drogën e krimin, por përkundrazi rrezikon ta çojë Shqipërinë drejt presidencializmit turk! 

Majlinda Bregu shkon drejt fundit të shkrimit të saj, duke i bërë thirrje demokratëve, për të rindërtuar partinë. Sipas saj, kjo është e vetmja rrugë për të mos lejuar copëtimin vetëshkatërrues të PD-së.

“Ka vetëm një rrugë për të mos e lejuar rëndimin e fatit të shqiptarëve dhe copëtimin vetëshkatërrues të PD –së: kurajo e shpresë e të gjithë demokratëve, për të rindërtuar partinë që sot përballet pamerituar, me dilemën të jesh a të mos jesh!”

SHKARKO APP