Manjani: Popull që më shumë besojmë xhelatin se sa gjykatësin!
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani për vrasjen e gjyqtarit Kalaja, thotë se pyetja më me vlerë është sa shumë urrehet gjykata në këtë vend? Për të Reforma në Drejtësi ka dështuar, por edhe shton se pa gjykatës të sigurtë nuk ka Gjykatë të paanëshme. ”Ka sigurisht disa gjëra të tjera për të bërë, por gjykata jonë është larg, ende shumë larg gjykatës së standardit europian. Nuk ndodh askund në gjykatat e Europës këto që ndodhin këtu”,-shkruan Manjani.
Postimi i plotë
Duke parë mllefin ekstrem në rrjete sociale pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, pyetja nuk është më besohet apo jo gjykata. Pyetja është sa shumë urrehet gjykata në këtë vend?! Në këtë vend ku popullsia beson më shumë policinë dhe prokurorinë. Pra beson xhelatin më shumë se gjykatësin.
Kujdes! Qëllimi i reformës në drejtësi ishte të vendoste besimin e publikut te drejtësia. Por qenka vendosur urrejtja! Dështim spektakolar! Kjo nuk është klimë drejtësie.
Insistoj: gjykatësi është zyrtari publik më i kërcënuar. E kërcënon shteti; e shan politika; e përgjon prokurori; e kërcënon pala humbëse. Mirëpo pa gjykatës të sigurtë e të qetë nuk ka gjykatë të paanëshme.
Reforma reale në Shqipëri duhet të jetë reforma e ndërtimit të një gjykate të paanëshme, në radhë të parë të sigurtë. Ka sigurisht disa gjëra të tjera për të bërë, por gjykata jonë është larg, ende shumë larg gjykatës së standardit europian. Nuk ndodh askund në gjykatat e Europës këto që ndodhin këtu.
KOHA JONË SONDAZH

