Ministri Manjani: Përgjimi në krevatin bashkëshortor nga policia, absurde!
Qeveria ka hartuar një projektligj për të luftuar korrupsionin. Por në një nen thuhet se “ministria e brendshme ka të drejtë, me dyshime te bazuara, të vendosë përgjues në shtëpinë e zyrtarit” (!). Pra pa leje të Prokurorisë dhe vendim gjykate, lejohet që policia të montojë përgjues në shtëpinë e zyrtarit të lartë të dyshuar! Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Mundet që një ministër i brendshëm, që ka post politik dhe nuk është post i pavarur, me këtë projekt që nesër mund të kthehet në ligj, të fus përgjues në krevatin e një zyrtari të lartë, gjoja për të fiksuar biseda korrupsioni në krevat! Kjo është hedhur poshtë nga ministria e Drejtësisë. Ministri Manjani e ka kundërshtuar hapur këtë projekt që shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Ministri i Drejtësisë, zoti Ylli Manjani i cili mori pjese në tryezën e konsultimit publik ku u shqyrtua paketa me “Projektligjet Antikorrupsionë”, theksoi se faza aktuale e reformës në drejtësi është më e rëndësishmja, ndërkohe qe i konsideroi këto ligje si thelbin e kësaj reforme.
Pjesë nga fjala e ministrit Manjani në diskutimin për paketën e ligjeve antikorrupsion:
Ylli Manjani: Për t’u ndalur tek ligji për përgjimet elektronike. Ky ligj është marrë të paktën nga përmbajtja si model nga një ligj i miratuar në mënyrë të çuditshme dhe i kritikuar nga e gjithë bota, në Britaninë e Madhe. Në kohën kur të gjithë e kishin mendjen tek Brexit, u miratua një ligj agresiv survejance në mënyrë të plotë. U kritikua në Britani dhe kur them atje ku shkak i besueshmërisë së policisë dhe organeve hetimore janë super të rreptë, të garantuar dhe profesionistë, por mëgjithatë u debatua. Europa kontinentale ka një qëndrim tjetër nga Europa jokontinentale, përfshi këtu edhe anglosaksonët të cilët janë më agresiv në kuptimin e survejancës. Ka praktika të Gjykatës së Strasburgut ku arrihet në konkluzionin se jo kudo dhe për gjithçka, survejohet. Ne kemi bërë disa hapa në drejtim të mbikëqyrjes publike, padiskutim që organet e ndjekjes kanë të drejta që duhet ta bëjnë edhe pjesën e parandalimit, edhe të përgjimit procedural por jo në banesë, jo në krevatin bashkëshortor dhe jo në tualet. Me audio dhe video, thotë ligji. Kjo është një gjë krejtësisht e re dhe mund të gjykohet të lihet dhe mund të miratohet, por që nga ky moment duhet të ruhemi edhe në krevatin bashkëshortor. Kjo është një çështje që për kushtet e Shqipërisë nuk është e përshtatshme. Organet e ndjekes penale kanë sa të duash instrumenta në dorë për ta parandaluar korrupsionin dhe për të kapur të korruptuarit, por pa cënuar privatësinë. Ky është një standard që ne i qendrojmë fort dhe mirë do të ishte ta shohim përmbajtjen e këtij ligji në këto drejtime.
Së pari, të korrektohet gabimi fatal që u bë në këtë ligj në vitin 2006 duke e decentralizuar të drejtën e kërkimt për përgjim nga shumë agjenci shtetërore. Opozita e asaj kohë ka mbajtur një qëndrim kritik me shumë tq drejtë që ky ligj të mos kishte këtë përhapje. Logjika është që parandalim do të thotë që të marrësh masa për ardhjen e një pasoje që rrezikon publikun, një akt terrorist, një vrasje, dhe parandalimi në bazë të ligjeve dihet se kush e bën, Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shteteror, Shërbimi Informativ Ushtarak, nuk di te ketë tjetër të katërt. Këta kanë të drejtë të kërkojnë e realizojnë përgjim parandalues dhe nga kjo pikëpamje, të gjithë të tjerët bëjnë mbledhje provash. Pra, përgjimi procedural mund të jetë më i gjera nga sa deri më sot por jo të justifikohet më procedurën. Në qoftë se duhet që t’i hyjmë në banesë dikujt për shkak të dyshimeve për terrorizëm, mund t’i hyjmë por me nje vendim gjykate, ashtu sikurse hyhet për një kontroll banese, pra me të njëjtin standard. Pra, ky ligj të shihet thellësisht për të disiplinuar njëherë e mirë parandalimin, dhe për ta ndarë nga pjesa e përgjimit procedural dhe që jep garanci siç i kërkon Konventa e Europiane e të drejtave të Njeriut.
E dyta; duhet të mos shkojmë drejt decentralizimit, flas për përgjimin parandalues, i cili administrohet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe duhet të adminitsrohet edhe nga Prokurori i SPAK, për shkak të detyrave funkionale që ka, dhe jo nga kushdo, jo nga çdo agjenci që blen një pajisje në treg dhe e vë në punë për hesap të vetë , jashtë rregullave të kontrollit procedural, të cilat janë garanci. Kjo është procedura, pra nuk mund të ikë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.
Ka një element të ri që duhet t’a definojmë në këtë ligj dhe që është përgjimi elektronik për shkak të monitorimit të disa institucioneve, disa punonjësve të institucioneve siç është rasti i prokurorëve të SPAK. Eshtë një nocion i ri, por ky nuk është as parandalim dhe as procedurë, kjo është mbikqyrje për të parë sesi sillen zyrtarët në raste të caktuara, përfshi dhe strukturën e hetimit që do të duhet t’a disiplinojmë këtu në këtë ligj, në një kapitull të veçantë. Ky ligj meriton vëmendje për t’a bërë njëherë e mirë këtë ndarje. Insistoj në këtë pjesë, sepse kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, me elementë që mund të na çojnë në abuzivizëm para kohe, me selektivizëm, me shantazhe që mund të përdoren në një mënyrë apo tjetër në mënyrë legjitime. Detyra e ligjit është të sigurojë instrumenta proceduriale, garanci proceduriale dhe filtra të nevojshëm për abuzimin në këtë vend. Ky ligj nuk e bën dhe duhet të ndalim për të arsyetuar.
Ministria e Drejtësisë është e gatshme që propozimin ta vërë para vendimmarrësve. Ekspertët e Mininistrise se Drejtësisë janë të pranishëm, do të jenë të pranishëm, të gatshëm për çdo gjë, për çdo diskutim në mënyrë që t’i vëmë këto ligje të nevojshme dhe të domosdoshme në shtratin e Konventës të së Drejtave të Njeriut, në shtratin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ineresin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”.
Nëse lejohet ky projektligj të marrë formë ligjore atëhere la të kuptohet ministri Manjani që do turren të fusin fshehur nëpër shtëpitë e zyrtarëve të lartë përgjues, videopërgjues kudo nëpër dhomat e apartamentit apo shtëpisë, në krevat apo banjo. Kështu do e kthejnë përgjimin në një mjet shantazhi të turpshëm ndaj çdo zyrtari. Dhe ky përgjim pa vendim prokurori apo gjyqtari, por thjesht se “dyshon” policia.