Manjani: Valdrini e pranoi ç’ka bërë dhe iku, po mamuthët e vjedhjes së zgjedhjeve pse nuk ikin?
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar për largimin e Valdrin Pjetrit nga procesi i votimeve të 30 qershorit, pas publikimit të dënimit të tij vite më parë në Itali.
Manjani shprehet se Pjetrit e pranoi se çfarë ka bërë dhe u largua, ndërkohë që shtron pyetjen se emra të tjerë në politikë që janë faktuar në vjedhjen e zgjedhjeve vijojnë të jenë ende në funksione të rëndësishme.
“Valdrini, në fund të fundit e pranoi që çka bërë dhe iku. Po këto mamuthët që janë zënë në flagrancë duke vjedhë zgjedhjet, apo janë kontigjent i drejtësisë së huaj si të përfshirë në trafiqe që nuk shqiten?! I janë ngjitur bythës së udhëheqjes dhe karrikeve të pushtetit dhe thonë pa pikën e turpit në publik : “Krenar që vodhëm e trafikojmë”,- deklaron Ylli Manjani.
Ish-ministri shton se kjo kategori politikanësh rri rrotull Edi Ramës, në pritje të marrjes së shpërblimeve të reja për punët që kanë kryer gjatë zgjedhjeve. “Këto janë më vemjet, më të ndyrët e më të poshtrit. I tradhton pamja totalisht. Rrobat e shtrenjta ju rrinë si maska hajdutësh. Flokët sikur i lyejnë me bojë këpucësh. Shtrëngojnë nofullat nga stresi dhe veshin këpucë me majë të hollë. Kur ngrihen nga karriget instiktivisht çojnë dorën pas për të shkundur pantallonat, ngaqë janë mësuar të ulen në vende të pista. Këto nuk ikin, por rrinë aty rrotull të madhit. Në pritje që ky i fundit tu dërgojë ndonjë sms apo ndonjë zile telefoni. Disa prej tyre kujdesen që t’i shfaqen si rastësisht udhëheqësit para syve, me shpresë që të marrin live ndonjë përshëndetje. Le pastaj ndonjë buzëqeshje të zgërdhirë të tipit gjeldeti. Effff! Shpifarakë pa kufi!”,- deklaron Manjani.