Maqedonia “viktimë” e Shqipërisë? Ministri Dimitrov: Na vlerësoni veçmas, jo më Shqipërinë!
Mediat e huaja e cilësojnë Shqipërinë si pengesë për Integrimin e Maqedonisë së Veriut. Lidhur me këtë situatë, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov kërkon që vendi i tij të trajtohet dhe të vlerësohet i ndarë nga Shqipëria, sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Dimitrov u pyet nëse Maqedonia e Veriut rrezikon negociatat për shkak se po trajtohet së bashku me Shqipërinë. Ai theksoi se vlerësimi për të dyja vendet do të ishte gjë e mirë, por në rast kundërshtimesh është më mirë që të vlerësohet njëri (Maqedonia) sesa asnjëri.
”Ky është një proces i bazuar në meritë dhe në këtë proces duhet t’i vlerësosh vendet të ndara. Nuk dua të flas për “paketë”. Dy nga dy është mirë, dy është më mirë se një, por gjithashtu mendoj se një është më mirë se zero. Ne nuk kemi luksin të humbasim mundësinë për sukses, jo në Evropë, jo këtë vit”, deklaroi Dimitrov.
Vendet e BE-së do të marrin më 18 tetor vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Drejtuesit e BE janë shprehur se Shqipëria nuk ka shanse të pranohet, pasi ka probleme krize të fortë politike dhe probleme me ligjin e Kushtetutën. Zgjedhjet moniste, problemet me korrupsionin, me një parlament monist dhe me rrezik destabiliteti, janë disa nga çështjet që rrezikojnë ta lenë Shqipërinë jashtë BE.