Marshim historik i Opozitës mes shiut
Mesazhi i krerëve të opozitës: Protesta dhe revolta qytetare do të vazhdojnë pa ndërprerje deri në largimin e Edi Ramës. Nuk ka forcë në botë që pengon popullin shqiptar në betejën për votën e lire. Në ditët në vazhdim protestat do jenë më radikale kundrejt kryeministrit. Basha rideklaron:Me 30 qershor nuk do lejojmë zgjedhje farsë.
Qytetarët dje në Tiranë kanë shkruar një pjesë të historisë së 29 viteve të fundit. Protesta e thirrur pasditen e së hënës para Kryeministrisë ka pasur, si asnjë herë më parë, pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Një pjesëmarrje e mund të cilësohet historike për dy arsye kryesore. Arsyeja e parë që e bën protestën e djeshme historike ka të bëjë më kushtet e motit në të cilat dolën në rrugë shqiptarët. Si asnjëherë tjetër dje ka rënë shi në Tiranë përgjatë gjithë ditës. Në orën 18:30, në kryeqytet ishte një rrebesh që e bënte këdo të mendohej mirë para se të dilte nga shtëpia. Por e kundërta ndodhi me protestën. Dhjetëra mijëra qytetarë sfiduan kushtet atmosferike dhe për tre orë, nën rrebesh dhe të ftohtë, protestuan në gjithë rrugët kryesore. Një protestë që nisi nga godina e Kryeministrisë, vijoi të Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, më pas u zhvendos të Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe u mbyll në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Një sakrificë e tillë e qytetarëve shqiptarë, që për hir të së vërtetës nuk shquhen për akte të tilla publike, është një mesazh se protesta ka marrë një tjetër drejtim. Kur qytetarët janë në gjendje të protestojnë në kushte gati ekstreme moti për mitingje, kjo do të thotë se nuk është më tubim partish, por lëvizje kombëtare për ndryshim. Sinjali që dhanë dje qytetarët vlen si një mesazh për pjesën tjetër të shoqërisë dhe sigurisht dhe për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, që dy ditë më parë i fyeu protestuesit. Arsyeja e dytë dhe më kryesore lidhet me situatën politike. Pas protestës së ditës së shtunë, ku policia tejkaloi çdo ligj duke rrahur, helmuar dhe burgosur qytetarët, ata më skeptikët edhe brenda radhëve të opozitës prisnin që qytetarët që të trembeshin. Me dhunën që u demonstrua të shtunën, përballë protestuesve tashmë nuk janë efektivët e policisë që mbrojnë shtetin, por një strukturë brenda Ministrisë së Brendshme që mbron pushtetin e Ed Ramës dhe është kthyer në celulë politike. Ndaj dhe frika se protestat po kthehen qëllimisht të dhunshme me provokime nga ana e policisë ishin një motiv që mund t’i mbante larg qytetarët nga tubimet e opozitës.
Por dje shqiptarët thyen frikën dhe ishin më shumë se kurrë në shesh duke dëshmuar se nuk tremben dhe nuk tërhiqen. Dje, pamë një protestë gati civile, përveç pak incidenteve sporadike. Një pjesë fare e vogël e protestuesve hodhën fishekzjarrë dhe shashka tymuese në institucionet ku u bë marshimi. Policia tha se u lëndua një polic nga fishekzjarrët e hedhura nga protestuesit. Sigurisht që në një tubim nuk është normale që të ketë të lënduar, por ato pak raste incidentesh ishin sporadike dhe nuk tregonin qëndrimin e opozitës. Ata politikanë që pas çdo fishekzjarri nxitojnë të thonë se kjo është protestë vandalësh dhe barbarësh nuk duhet të harrojnë se opozita ka më shumë se tre muaj në rrugë dhe qytetarët po provojnë në kurrizin e tyre dhunën e policisë, gazin lotsjellës dhe qelitë e burgjeve. Pas gjithë kësaj dhune policore dhe presioni që qeveria po bën mbi protestuesit, askush nuk duhet të çuditet se përse thyer ndonjë xham apo hidhet ndonjë kapsollë. Përkundrazi protesta qytetare po përmbahet nga opozita për të mos u kthyer në një revoltë të ashpër kundër qeverisë. Kemi parë se ç’bëhet në Paris. në Athinë, në Berlin apo kudo tjetër ku protestuesit djegin gjithçka, edhe banka.
Protesta e opozitës ishte dhe një mesazh për ndërkombëtarët. Pas disa muajsh krizë politike që ambasadorët janë munduar ta shmangin nga ligjërimi i tyre në publik duke i dhënë gjithmonë të drejtë qeverisë, dje kanë kuptuar së në Shqipëri ka një problem të madh që tashmë nuk zgjidhet duke anashkaluar opozitën. Një problem që nëse ndërkombëtarë vazhdojnë ta fshehin, siç kanë bërë deri më sot, do të prodhojë vetëm protesta të dhunshme dhe përplasje si ajo që ndodhi të shtunën.
Një gjë dihet: Opozita nuk ndalon dhe nuk do lejojë të zhvillohen zgjedhje farsë me 30 qershor.