Mashtruesit dërgojnë e-maile në emër të Policisë së Shtetit, paralajmërime për “arrestime” brenda 24 orëve
Një valë e re mashtrimesh kibernetike ka goditur qytetarët shqiptarë. Persona ende të paidentifikuar kanë dërguar e-maile kërcënuese në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke i paralajmëruar qytetarët se janë nën hetim për “krime kibernetike dhe vepra penale të drogës”.
E-maili mashtrues
Në mesazhin e dërguar, që mban logon dhe emrin e Policisë së Shtetit, thuhet se “në hapësirën kibernetike të qytetarëve janë gjetur krime penale si pornografia, homoseksualiteti, trafikimi i drogës dhe seksi komercial”.
Qytetarëve u jepet 24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë ose për të dërguar një email të menjëhershëm, ndryshe “do të arrestohen menjëherë”.
E-maili mban poshtë firmën e rreme të “Ilir Agim Proda, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”, dhe adresën e institucionit në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë.
Reagimi zyrtar i Policisë së Shtetit
Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit sqaroi se mesazhet janë tërësisht të rreme dhe nuk kanë asnjë lidhje me institucionin apo me strukturat e tij.
“Ka pasur disa raste të shtetasve të paidentifikuar që kanë krijuar adresë elektronike të rremë (email), me kredenciale të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nëpërmjet saj janë dërguar mesazhe kërcënuese, duke njoftuar qytetarët se janë në hetim për krime kibernetike apo narkotikësh,” – thuhet në reagim.
Sipas policisë, këto emaile kanë për qëllim përhapjen e frikës dhe mashtrimin e qytetarëve, duke i shtyrë ata të përgjigjen ose të japin të dhëna personale.
Thirrja për kujdes
Policia thekson se nuk dërgon kurrë njoftime për hetime me anë të e-mailit, dhe se asnjë strukturë zyrtare nuk kërkon paraqitjen e qytetarëve në polici pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar.
“Qytetarët të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile me përmbajtje të tillë. Rasti është tashmë në hetim nga Drejtoria e Krimeve Kibernetike për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve”, – theksohet në deklaratë.
Mashtrim modern me nuanca kërcënuese
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se ky është një format i ri “phishing” – një mënyrë mashtrimi për të marrë të dhëna personale apo për të infektuar pajisjet me viruse.
Në rastet e ngjashme në vendet e BE-së, e-mailet e tilla janë përdorur për të kërkuar “shlyerje” të gjobave të rreme përmes kartave të kreditit.
KOHA JONË SONDAZH

