Mbërrijnë 20 faqet e para nga komisioni i Venecias

Komisioni Evropian për Demokraci Përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) i ka paraqitur Shqipërisë opinionin final për rekomandimet e saj sa i takon Reformës në Drejtësi.

Në raportin 20 faqe, të hartuar nga komentet e katër ekspertëve, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare zgjidhje për çështjet e diskutueshme mes partive politike mbi modalitetet e ndryshimeve ligjore.

Në konkluzionet e raportit final, Venecia ka renditur pesë pika të cilat autoritetet shqiptare duhet të tregojnë kujdes.

Në pikën e parë për çështjen e miratimit të organeve të larta të sistemit të Drejtësisë, ekspertët thonë se, në qoftë se forcat politike nuk gjejnë konsensus për këtë pikë, duhet të vënë në zbatim sistem proporcional me qëllim garantimin e përfaqësimin e opozitës në këto organe. Komisioni i Venecias thotë se mund të vihen në zbatim dhe modele të tjera që sigurojnë ndikimin e opozitës në këtë proces.

Në pikën e dytë thuhet se, draftin për Reformën në Drejtësi duhet të specifikohet metoda e zgjedhjes së Kryeprokurorit Special dhe mënyrën e llogaridhënies së tij.

Në pikën e tretë theksohet nevoja për reduktimin e kohëzgjatjes së mandateve për anëtarët e organeve të Drejtësisë dhe në fund të mandatit të integrohet automatikisht në sistemin e Drejtësisë.

Në pikën e katërt thuhet se, gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohet verifikimit duhet të gëzojnë të drejtën e ankimit në rast të shkeljes së të drejtave të tyre themelore, me disa përjashtime të arsyeshme të diktuara nga nevojat e procesit të verifikimit.

Në pikën e pestë flitet për qartësimin e kompetencave të vëzhguesve ndërkombëtarë duke theksuar se duhet të kenë të drejta procedurale, por jo kompetenca vendimmarrëse.

Në fund, Komisioni i Venecias thekson se reforma e gjyqësorit nuk mund të ndalet në nivel kushtetues, duke shtuar se një paketë e tërë e zbatimit të ligjeve do të jetë e nevojshme për të rregulluar në detaje funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Këshillit të Lartë të Prokurorëve, organet e verifikimit, etj.

Komisioni i Venecias përsërit gatishmërinë e saj për të kontribuar në këtë proces legjislativ dhe shpreson se reforma do të realizohet në frymën e dialogut konstruktiv dhe të respektimit të vlerave evropiane dhe praktikat më të mira

SHKARKO APP